Ndue Lala i arrestuar dy ditë më parë për drogë nga Policia e Pukës në fshatin Dom të Gjegjanit rezulton të jetë anëtar i këshillit bashkiak të Pukës, ndërsa mban dhe pozicionin e shefit të burimeve njerëzore pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Pukë.
Arrestimi i këshilltarit të LSI në bashkinë e Pukës duket se ka çuditur jo pak njerëz, pasi 49-vjeçari nuk ishte i skeduar më parë nga policia për vepra penale teksa prej tre mandatesh ai mban pozicionin e këshilltarit fillimisht në ish-komunën e Gjegjanit e tani në bashkinë e Pukës.
E teksa policia në njoftimin e saj zyrtar bën të ditur arrestimin në flagrancë të Ndue Lalajt, arrestimi i bujshëm i tij për familjarët është veçse një skenar politik, që drejtësia duhet ta zbardhë.
Askush nuk do të flasë për këtë ngjarje, ku blutë e Pukës mbrëmjen e të premtes gjetën 7 thasë ku ishin fshehur 41 kilogramë hashash.
Konteineri i drogës është jashtë rrethimit të banesës se këshilltarit, ndërsa të njëjtën largësi me të kanë dhe banesa të tjera.
Policia nuk ka dhënë detaje të tjera rreth ngjarjes që çoi në arrestimin e Ndue Lalajt, i cili mban dhe pozicione publike, ndërsa dosja hetimore pritet të zbardhë të vërteten rreth këtij arrestimi, për të cilin familjarët shprehen se është një skenar i montuar nga elementë të caktuar.
Vëllai i këshilltarit të LSI gjatë të premtes ka pasur konflikt pronësie me një bashkëfshatarin e tij, çfarë solli dhe ndërhyrjen e policisë, e cila sipas familjarëve me të mbërritur ka kërkuar të ushtrojë kontroll pikërisht në kontenierin ku u zbulua dhe lënda narkotike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












