KED, regjistrohet ankesa e parë nga një gjyqtar: Më hoqën të drejtën e kandidimit

Shares

Të paktën një gjyqtar është ankuar në Kuvend se institucionet e përzgjedhjes së kandidatëve i kanë mohuar atij të drejtën për të kandiduar për Këshillin e Emerimeve në Drejtësi, raporton droni.al.

Shorti i përzgjedhjes së anëtarëve të KED u hodh sot në Kuvend duke përcatuar 9 anëtarë që do të verifikojnë kandidatët për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë dhe ata që do të kandidohen per anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Ankesa e gjyqtarit u mësua pasi Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i kërkoi Sekretares së Përgjithshme, Albana Shtylla të kishte një proces sa më transparent.

Meta kërkoi nëse nga momenti që Kuvendi ka bërë publik ditën dhe orën e hedhjes së shortit, a ka patur ankesa në drejtim të Kuvendit nga prokurorë, nga gjykatës apo nga përfaqësues të institucioneve të cilat kanë për detyrë të sjellin kandidat, lidhur me mohimin sipas tyre të së drejtës për të qenë edhe ata kandidat?

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Sekretarja e Përgjithshme, znj. Albana Shtylla tha se lidhur me ankesa konkrete, dje ka pasur një sensibilizim vetëm nga një gjyqtar, duke u shprehur në mënyrë eksplicite vetë gjyqtari, që nuk kam të drejtën të ankohem në këtë fazë të procesit, por thjesht ju bëj me dije që unë mendoj se nuk jam përfshirë në mënyrë korrekte. Por i vetëdijshëm vetë gjyqtari që nuk është faza në të cilën do të kishte ushtruar pikërisht këtë të drejtë të tij. “Ne si shërbime e kemi interpretuar që Kuvendi dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, ka për detyrë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, ushtrimin e hedhjes së Shortit”, shpjegoi Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit.

Shtylla nuk bëri të ditur emrin e gjyqtarit.

Pse nuk u hodh shorti për anëtarët e propozuar nga prokuroria?

Në fakt edhe procesi i shortit ka pasur surprizat e veta. Ka rezultuar se Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur vetëm 1 kandidat. Në këto kushte gjatë procedurës së hedhjes së shortit u konstatua ky fakt dhe për këtë arsye procedura e shortit për zgjedhjen e anëtarit të KED që i përket këtij institucioni nuk u zhvillua. Duke qenë se në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, nga ky institucion zgjidhet 1 anëtar, kandidati i vetëm që plotësonte kushtet për t’u zgjedhur anëtar i KED prej këtij institucioni, u konsiderua ipso jure i zgjedhur anëtar i Këshillit. Për të njëjtën arsye, nuk u zhvillua edhe procedura e shortit për zgjedhjen e anëtarit zëvendësues që përket këtij institucioni.

Gjithashtu ka rezultuar se Prokuroria e Përgjithshme në shkresën zyrtare drejtuar Kuvendit, në vlerësim të plotësimit të kritereve dhe kushteve ligjore që duhet të plotësojë kandidati për të qenë anëtar i këtij organi kushtetues, ka paraqitur vetëm 2 kandidatë nga zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit.

Në këto kushte gjatë procedurës së hedhjes së shortit u konstatua ky fakt dhe për këtë arsye procedura e shortit për zgjedhjen e 2 anëtarëve të KED që i përket zyrave të Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit nuk u zhvillua. Duke qenë se në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, nga zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit zgjidhet 2 anëtarë, 2 kandidatët e vetëm në listë që plotësonin kushtet për t’u zgjedhur anëtarë të KED u konsiderua ipso jure të zgjedhur anëtarë të Këshillit. Për të njëjtën arsye, nuk u zhvillua edhe procedura e shortit për zgjedhjen e anëtarit zëvendësues që përkasin zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit.droni.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...