Delegacioni i Bashkimit Evropian e konsideron lajm të mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur ligjin e Vettingut në përputhje me Kushtetutën shqiptare. Me anë të një reagimi, BE-ja inkurajon autoritetet shqiptare që të fillojnë sa më shpejt zbatimin e ligjit për vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.
Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka kërkuar nga partitë politikë që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke i nxitur ato që të veprojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë.
Reagimi i ambasadës së BE
“Bashkimi Evropian i kushton vëmendje të veçantë vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e ligjit të Vettingut në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë.
BE-ja i inkurajon autoritetet shqiptare të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo është thelbësore për përparimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe është pritur gjatë nga qytetarët shqiptarë.
Komisioni Evropian do ta mbështesë Shqipërinë për kryerjen e një procesi Vettingu tërësor dhe të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit”.
Reagimi i ambasadës së SHBA
“Ambasada e SHBA në Tiranë mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e Vetingut. I bëjmë thirrje të gjitha partive politike të respektojnë vendimin e Gjykatës. Gjithashtu, nxisim udhëheqësit shqiptarë të punojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Një reformë kuptimplotë që i largon gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor gëzon mbështetjen e publikut të gjerë dhe është një prioritet kryesor i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












