Tregu i krishtlindjeve në Berlin është rihapur sot, vetëm tre ditë pas sulmit ku humbën jetën 12 persona.
Ajo që vihet re janë masat e shumta të sigurisë, blloqet e betonit të vendosura në disa prej hyrje-daljeve të tregut dhe disa njerëz që vizitojnë zonën pavarësisht sulmit që tronditi të gjithë vendin.
Masa të ngjashme sigurie janë ndërmarrë edhe në tregje të tjera në të gjithë vendin me qëllim parandalimin e sulmeve të tjera terroriste.
Sakaq policia gjermane vijon të jetë në kërkim të të dyshuarit si autori i ngjarjes, një azil kërkues nga Tunizia, i identifikuar si Anis Amri, pas gjetjes së dokumenteve të tij në kamionin që shkaktoi tragjedinë.
Komandot e policisë gjermane kanë bastisur dy apartamente në lagjen Kreuzberg të Berlinit të enjten në mëngjes, por nuk kanë gjetur gjurmë të tunizianit të dyshuar për sulmin vdekjeprurës.
Hetuesit besojnë se Amri mund të ketë qenë në një nga dy apartamentet dhe për këtë arsye kanë vendosur edhe një oficer sigurie për të mbikëqyrur njërin prej apartamenenteve në të cilin besohet se ka jetuar i dyshuari.
Lajmi se gjatë bastisjes janë arrestuar katër të dyshuar është mohuar nga një zëdhënës i kryeprokurorit federal german.
Anis Amri, 24 vjeç, ishte monitoruar më herët gjatë këtij viti me dyshimet se po planifikonte një vjedhje për të blerë më pas armatime, por për shkak të mungesës së provave, mbikëqyrja u hoq.
Përpara se të hynte në Gjermani, i riu kishte kaluar katër vite në një burg italian për zjarrvënie të qëllimshme.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












