Mediat turke raportojnë se atentatori që qëlloi ambasadorin rus në Turqi, Andrey Karlov, ka mbetur i vrarë. Sipas mediave turke, ai është identifikuar si Mevlut Mert Altintash, 22 vjeç, oficer i Policisë nga Ankaraja. Ndërkohë, policia turke ka njoftuar se polici është mbështetës i organizatës Feto, të Gylen.
Ai shihej shumë pranë ambasadorit të shtrirë përtokë e të mbuluar me gjak, ndërsa mbante në dorë një armë zjarri. Duke qene se ishte polic, ai ka pasur kartën e policise me vete, gjë që i ka mundësuar atij dhe hyrjen me lehtësi në evenimentin ku po mbahej një ekspozitë pikture.
Sakaq, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë. Turqia ka kaluar disa sulme terroriste vitin e fundit, për të cilat qeveria ka fajësuar militantët kurdë. Megjithatë ka dyshime se edhe militantët e ISIS veprojnë në këtë vend. Sulmi vjen pas ditësh të tëra proteste në Turqi kundër rolit të Rusisë në konfliktin sirian.
Rusia dhe Turqia kanë pasur një marrëdhënie intensive kohët e fundit dhe të dyja kanë mbështetur fraksionet rivale në konfliktin sirian. Gjithsesi, pasi përplasjet mes dy vendeve arritën kulmin kur Turqia qëlloi një avion rus në vitin 2015, Ankaraja dhe Moska kanë bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet diplomatike.

/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












