CMIMI/Ja sa kushton arratisja e fundvitit

CMIMI/Ja sa kushton arratisja e fundvitit

398
0
Shares

Teksa ka kaluar pak më shumë se gjysma e muajit dhjetor, agjencitë e udhëtimeve parashikojnë një fundvit me ecuri pozitive për shkak të udhëtimeve të shqiptarëve në vendet e tjera për festat e fundvitit. Drejtuesi i agjencisë ATHS, Besnik Vathi, thotë për monitor.al se numri i prenotimeve është në rritje në krahasim me një vit më parë. Mungojnë shifrat e sakta për të kuptuar trendin e këtyre kërkesave, por drejtuesit e agjencive thonë se kjo vjen për shkak të çmimeve më të favorshme të paketave që po hidhen në treg. “Rajoni është duke punuar fort. Fqinjët janë treguar agresivë sa u takon paketave turistike dhe angazhimi nga ana e tyre për të tërhequr sa më shumë turistë ka qenë i madh. Lëvizjet më të mëdha drejt rajonit pritet të realizohen për Krishtlindje e më pak për Vitin e Ri. Këtë vit, kjo rendje është favorizuar edhe nga çmimet më të ulëta të paketave”, thotë drejtuesi i kësaj agjencie.

Këto paketa nisin që nga 80 euro për person. Kryesisht me këtë çmim vjen Maqedonia, me pikën e saj më të famshme të turizmit dimëror, Mavrova. Sipas drejtuesve të agjencisë Union Travel, vëmendje të madhe po merr edhe Tetova me destinacionin e saj të njohur “Kodra e Diellit”.

Kosova është destinacioni që ofrohet për festat e fundvitit. Agjencia Union Travel sjell për ju një qëndrim disaditor në resortin e mirënjohur të skive, Brezovicën, për Krishtlindje nga data 24 – 26 dhjetor, me çmim që llogaritet në 59 euro për person.

Mali i Zi gjithashtu ofron paketa të favorshme për të kaluar festat e fundvitit. Ofertat për të pushuar në Ulqin në këto ditë të ftohta dimri nisin nga 59 euro nga agjencia ATHS.

Vas Tour ofron qëndrime për tri ditë e katër net në Mal të Zi, në Radika, për çmime që nisin nga 120 euro për person. Në këtë çmim përfshihet akomodimi me mëngjes, si dhe përdorimi i disa shërbimeve, të tilla si sauna, pishina etj.

Union Travel ka menduar edhe për një destinacion të veçantë, jo shumë të frekuentuar, ku nuk mungon mikpritja e ngrohtë e që është Zhabljaku. Me mëngjes dhe darkë, përfshi edhe darkën gala, për dy net e tri ditë ofrohet një paketë që nis nga 80 euro në ditë.

Por, mund të zgjidhni edhe Greqinë, me disa nga destinacionet si Selaniku apo Janina. Kjo e fundit ofrohet nga ATHS me një çmim prej 79 eurosh me qëndrim 3-ditor. Ndërsa udhëtimi në Selanik nis me një çmim prej 56 euro për person.

Nëse preferenca juaj është Çekia, atëherë agjencitë kanë shumë se çfarë t’ju ofrojnë. Është një destinacion që e gjen pothuajse te çdo agjenci, pasi Praga në fund të vitit është një mrekulli më vete. Udhëtimi është kryesisht me autobus dhe itinerari që ndiqet është: Tiranë – Split – Zagreb – Vjenë – Pragë – Budapest – Beograd – Prishtinë – Tiranë.

Bëhet fjalë për qëndrime që shkojnë deti në shtatë ditë dhe llogariten në 239 euro për person, me mëngjes.

Por, mund ta zgjidhni këtë destinacion edhe për Vitin e Ri, Union Travel ju ofron një qëndrim 4-ditor, me darkën gala me një çmim prej 650 euro për person.

Ndërrimi i viteve mund të pritet në Paris me një çmim prej 650 euro nga agjencia Union Travel.

Sipas drejtuesve të kësaj agjencie, kërkesa në rritje për prenotime ka edhe për Italinë. Fundviti në Milano kushton 165 euro për person, në Venecia rreth 450 euro për person, ndërsa në Firence, 138 euro për person.

Ndërsa për Dubai, Sava Tours e ofron këtë destinacion me 789 euro për person, Union Travel për 850 euro, ATHS me po këtë çmim, ndërsa Vas Tours për rreth 900 euro.

Por, nëse dëshironi të provoni një destinacion më intrigues, ku mund të shijoni edhe karnavalet, atëherë do të duhet të zgjidhni Brazilin. Viti i Ri në Brazil është një përvojë krejtësisht ndryshe. Udhëtimi nis që në datë 24 dhjetor dhe zgjat 9 ditë. Oferta vjen nga Vas Tour dhe kushton 2,480 euro në dhomë dyshe, përfshi këtu edhe taksat. Në këtë paketë nuk janë të përfshira vaktet.

Ose mund të zgjidhni Ishujt Maldive. Sava Tours ofron akomodim me 7 net fjetje all inclusive për 1,659 euro për person, përfshirë edhe transfertat, raporton monitor.al.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY