Qeveria po përgatit disa ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike” i cili veç ndërhyrjeve të tjera, i jep të drejtë Shërbimit Informativ Shtetëror të ketë akses të drejtpërdrejtë në tabulatet e komunikimit mes përdoruesve të telefonisë.
Nisma e cila është siguruar nga “Shqiptarja.com”, mban firmën e ministres së Inovacionit, Milena Harito dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas këtij drafti, për ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe luftën ndaj terrorizmit, kompanitë celulare dhe të telefonisë fikse detyrohen që brenda 24 orëve të vendosin në dispozicion të SHISH bisedat e kërkuara prej këtij të fundit.
Në datën 18 nëntor 2016, ajo është nisur për konsultim në disa ministri, pranë SHISH-it, Prokurorisë së Përgjithshme, AKEP, etj. Por ministria e Drejtësisë nuk e ka mbështetur këtë projektligj me dy argumente: cenimin e privatësisë së përdoruesve të telefonisë, dhe mungesës së garancisë ligjore që këto përmbajtje bisedash elektronike apo telefonike nuk do të keqpërdoren.
Relacioni
Në relacionin shoqërues, dy ministrat Harito e Tahiri shprehen se ky ndryshim që përfshinë dhe SHISH-in tek institucionet që mund të administrojnë tabulatet, vjen në kuadër të forcimit të rendit dhe sigurisë në vend.
“Në pikën 8, parashikohet që të dhënat operative të identifikimit të pajisjes, pajtimtarit dhe vendndodhjes, për nevoja të ruajtjes së sigurisë publike dhe kombëtare, parandalimit të krimeve të rënda apo akteve terroriste, t’ju vihen në dispozicion mbi bazën e kërkesës brenda 24 orëve, dhe shërbimeve informative dhe të inteligjencës, Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake”, thuhet në relacionin e firmosur nga Milena Harito dhe Saimir Tahiri.
Përplasja
Ky projektligj nuk është mirëpritur nga Ministria e Drejtësisë. Ai i ka dërguar një shkresë ministres Milena Harito në 5 dhjetor, ku shpreh rezerva serioze ndaj kësaj nisme.
“Kjo do të sillte një përkeqësim të pariparueshëm të nivelit të ruajtjes së fshehtësisë së komunikimeve dhe të dhënave personale, për sa kohë aksesi u jepet organeve ekzekutive të emëruara pa asnjë ndërhyrje në organet kushtetuese. Këto parashikime nuk e kanë kufizuar detyrimin e ruajtjes së të dhënave. Gjykojmë se duhet të ishin parashikuar llojet e veprave për të cilat mund të kërkohen këto të dhëna, pasi në të kundërt gjithë procesi rrezikon të kthehet në abuzim, nisur nga fakti se për çdo dyshim apo të dhënë lidhur me një lloj vepre penale, propozohet të jepet e drejta për të kërkuar këtë informacion. Përfundimisht sugjerojmë rivlerësimin e nismës”, thuhet ndër të tjera në shkresën e Ylli Manjanit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












