Lulzim Basha u tha demokratëve të Sarandës se politika do të ndryshojë, duke ndryshuar së pari Partinë Demokratike. Ai foli për parimet që duhet të udhëheqin këtë forcë dhe anëtarët e saj, për ta kthyer politikën tek qytetarët, për tu dhënë atyre pushtetin që meritojnë. Basha theksoi se hapja, bashkimi dhe qëndrimi pranë njerëzve do të kthehen në akte konkrete dhe vendimmarrja në PD nuk do të jetë e mbyllur e një grushti njerëzish, por vendimmarrje e hapur ku përfshihet anëtarësia.

Fshati Xarrë e ka humbur shkëlqimin dhe i mungon entuziazmi i sezonit të mandarinave. Fermerët këtu janë braktisur dhe nuk ka asnjë masë mbështetëse nga qeveria. Lulzim Basha i pyet nëse kanë marrë subvencione këto 3 vite.

“Subvencionet për bujqësinë nuk do ju përjashtojnë ju, ju do të merrni subvencione, do të merrni grante. Do të merrni para për të mbështetur prodhimin tuaj dhe po kështu ne do të ndërhyjmë për të ndërtuar infrastrukturën, për të mbyllur rrugët që kanë mbetur akoma pa mbyllur dhe për t’ju dhënë ju akses të plotë në treg. Kjo do të ndryshojë me qeverinë tonë, paratë janë. Në qoftë se paratë nuk shpenzohen për luks qeveritar, në qoftë se nuk ndahen me miqtë e kryeministrit ato mjaftojnë për të mbështetur bujqësinë; ato mjaftojnë për subvencione për çdo fermer në bazë të prodhimit”, siguroi Basha.
Operatoret turistikë të Sarandës ankohen se qeveria në kulmin e sezonit turistik ndryshon taksat ndërkohë që ata kanë nënshkruar kontrata me tarifa të tjera, çka dëmton turizmin dhe ekonominë e qytetit.

“Ndryshimi i legjislacionit në mënyrë të paparashikuar është një sëmundje e cila duhet të marrë fund. Nuk e drejtoj gishtin që të them e bëjnë vetëm këta, ka ndodhur edhe më përpara. Me qeverinë e ardhshme kjo do të marrë fund. E para ajo që ne kemi thënë për të gjithë sektorët është ulja e taksave. Në raport me TVSH-në ne do ta ulim për të gjithë Shqipërinë për të gjithë aktivitetin ekonomik nga 20% në 15%. Dhe po shqyrtojmë një shkallë të veçantë vetëm për turizmin”, tha Basha.
“Na lini të punojmë. Në qoftë se mund të na ndihmoni, na ndihmoni, ju jemi për faleminderit. Në qoftë se nuk mundeni të na ndihmoni, na lini të punojmë. Ne dimë ta menaxhojmë”, është kërkesa e opetarorëve turistikë të Sarandës.
“Do ta lëmë Sarandën të punojë dhe ne do t’ju ndihmojmë. Do ta lëmë Shqipërinë të punojë dhe do t’ju ndihmojmë”, deklaron Lulzim Basha.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











