Qeveria shton disa gjoba të tjera, ja çfarë ndodh po u ankimuat në Apel apo Gjykatën e Lartë

Shares

Qytetarët që humbasin betejat gjyqësore në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë, përpos shpenzimeve gjyqësore, duhet të paguajnë edhe një gjobë prej 100 000 lekësh. Kështu parashikojnë ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, të hartuara nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me agjencitë dhe partnerët ndërkombëtarë, kryesisht EURALIUS dhe OPDAT.

Kufizimet
Masa e gjobës duket se është parashikuar për të frenuar apelimet në Gjykatën e Apelit dhe rekurset në Gjykatën e Lartë. Projektligji shton një paragraf në nenin 421 të Kodit të Procedurës Penale.
Konkretisht, paragrafi parashikon që, nëse rekursi është deklaruar i papranueshëm apo rrëzohet, pala private, përveç shpenzimeve gjyqësore, dënohet gjithashtu me të njëjtin vendim, për pagimin në formë gjobe të një shume të hollash prej 100 000 lekësh.
Paragrafët e parë të këtij neni, parashikojnë që me vendimin që gjykata rrëzon ose deklaron të papranueshëm ankimin, pala private që e ka bërë detyrohet për shpenzimet e procedimit.
Po ashtu, në gjykimet e ankimit vetëm për interesa civile, pala private gjyqhumbëse detyrohet me shpenzimet.
Projektligji për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale kufizon numrin dhe llojin e vendimeve që mund të ankimohen. Shtohet neni 432/1, i cili parashikon disa vendime, të cilat nuk mund të ankimohen.
Konkretisht nuk mund të bëhet ankimim në Gjykatë të Lartë ndaj vendimeve të pezullimit dhe shtyrjes së ekzekutimit të vendimit, ndaj vendimeve me të cilët është vendosur prishje vendimi dhe pushimi i çështjes, kur janë rastet që nuk lejojnë fillimin ose vazhdimin e procedimit ose kur nuk vërtetohet fajësia e të pandehurit, ndaj vendimeve të marra lidhur me masat shtrënguese të sigurimit personal etj.

Gjobat e tjera
Neni 341 i ndryshuar parashikon që nëse i pandehuri, mbrojtësi, viktima, dëshmitari, eksperti apo përkthyesi nuk zbaton urdhrat e gjykatës për ruajtjen e rendit e qetësisë apo fyen dinjitetin e gjykatës, atëherë kryetari i trupit gjykues do ta paralajmërojë atë dhe, nëse ai vazhdon të veprojë si më sipër, do ta dënojë me gjobë deri në 50 000 lekë.
Nëse prishja e rendit apo qetësisë dhe fyerja e dinjitetit të gjykatës shkaktohen nga prokurori, kryetari i trupit gjykues do ta paralajmërojë atë dhe, në përfundim të seancës, do të njoftojë drejtuesin e prokurorisë.
Nëse prokurori vazhdon të shqetësojë rendin e seancës edhe pas paralajmërimit, kryetari i trupit gjykues do të ndërpresë seancën dhe do t’i kërkojë drejtuesit të prokurorisë caktimin e një prokurori tjetër dhe informimin e gjykatës për masat e marra ndaj prokurorit që ka kryer veprimet.
Nëse pjesëmarrës të tjerë në seancë nuk zbatojnë urdhrat e gjykatës për ruajtjen e rendit e qetësisë apo fyejnë dinjitetin e gjykatës, kryetari i trupit gjykues i paralajmëron dhe, nëse ata vazhdojnë të veprojnë si më sipër, urdhëron largimin e tyre nga seanca.
Nëse ata kundërshtojnë urdhrin për largim nga seanca, kryetari i trupit gjykues i dënon me gjobë deri në 50 000 lekë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...