E vetmja mënyrë që socialistë të zvogëlonin efektin e salcës ka qenë të heshtnin. Si mjeshtra të komunikimit deri diku duhej të jepnin një sinjal se e kuptonin revoltën e studentes nga Fieri dhe se kishin edhe një përgjigje për të që do jepej me ndonjë vendim qeveria në javët në vijim. Ata mund të nxirrnin dikë nga socialistët e vjetër, ndoshta jo Pandeli Majkon, por Arta Daden të këshillonte studenten që të gjente ndonjë rrugë më të qetë për të marrë zgjidhje ndërsa Linditën të kishte mendjen kur të blinte “softe” që trukohen nga universitetet private.
Zhurma nuk do të kishte rënë, efekti nuk do të zbehej, por ama përqendrimi i ngjyrës së kuqe të salcës mbi flokët e verdha mund të davaritej sadopak.
Socialistët e kanë marrë pushtetin me komunikim dhe e kanë mbajtur deri tani me komunikim. Është shumë ironike që një studente të rrëzojë kështjellën e së majtës në Shqipëri që është e ndërtuar si biznes i “fizibilitetit” të të gjitha projekteve që nuk janë ndërtuar kurrë që nga viti 2003 kur Edi Rama u rizgjodh për së dyti kryetar bashkie e deri tani që qeveria e majtë po lëkundet rëndshëm nga një shishe salce.
Dy prej zyrtarëve të majtë që folën, duhej të ishin të fundit që duhej të flisnin. Erion Veliaj e ka nisur karrierën në Shqipëri duke lyer dorën me të kuqe, po aq të kuqe sa salca e Mirela Rukos, duke e stamposur në të gjitha rrugët që qarkullonte Kryeministri Fatos Nano kur shkonte në zyrë, kur shkonte te klubi apo kur shkonte në spital për detoksikim. Nuk kisha parë kurrë një shenjë me komuniste se ajo shputa me gjak që mbështetej mbi mure dhe bordura. Në fakt kisha parë vetëm disa parulla në Urën Vajgurore në vitin 97 që i kishte shkruajtur deputeti komunist i Beratit, Maks Hasani. Por gjithsesi ishte një kontribut që shteti kleptokratik i Nanos të binte.
Olta Xhacka ka hyrë në PS përvec rrugës nepotike edhe si një prej “biopsive” të Sorosit në Tiranë. Herën e parë është shfaqur në një përpjekje për të dubluar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përmes shpalljes së rezultatit në 2009 nga një sallë tjetër vec asaj të KQZ. KQZ “shadow” nuk ia doli dot të sabotonte zgjedhjet, por Olta mbeti si shembull i mirë. Pas pak kohësh u përfshi në strukturat e PS. Nuk kishte bërë pak. Kishte tentuar puc. Ky nuk është i lëngshëm sa salca por ka po atë efekt.
Për shkak të këtyre gjesteve të dy ia kanë dalë të zë vend në politikë dhe të bëjnë karrierë. Cfarë kanë që fyejnë dhe shajnë, denigrojnë dhe komplotojnë ndaj një studenteje që thotë se nëna e saj nuk ka aq para sa nëna e Erionit.
Por nuk janë vetëm këta të dy. Skuadra të bollshme dhe të ngeshme, të sponsorizuara dhe të kalitura shkruajnë mesazhe, postime dhe teskte të tjera kundër revoltës së Mirelës dhe pro Linditës. I thonë dhe komuniste. I thonë dhe debatikase. I thonë dhe dashnorja e Qemal Stafës.
Kot e kanë. Nuk bëjnë efekt. Komunistët milionerë po shajnë një komuniste të varfër. Nuk bëjnë efekt as tek sëra e tyre ideologjike.
Para një viti një grup studentësh qëlluan me vezë Kryeministrin Rama për punë të shkollimit. Atëherë kishte bujë por aq bujë sa mund të prodhojë një gjest. Kësaj here nuk është buja e gjestit, por boria e të gjithë atyre që do të kishin pasur dëshirë të bënin të njëjtën gjë si Mirela. Po them boria, për ti qëndruar fjalorit të kritikëve dhe denigruesve të Mirelës. E cila qartësisht është e majtë. Por një e majtë e zënë përfundi në rradhën ku rri.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












