Nishani: Emigracioni shqiptar, kontribuues i madh i integrimit të Shqipërisë në BE

Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Itali zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të shoqatave të komunitetit shqiptar në Itali, me të cilët bashkëbisedoj mbi rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në konsolidimin e urave të miqësisë mes dy vendeve dhe dy popujve, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm për një zhvillimi të qëndrueshëm.
Presidenti Nishani u shpreh ndër të tjera se arritjet e deritanishme të Shqipërisë, anëtarësimi në NATO dhe vijimi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, si dhe progresi social-ekonomik nuk mund të konceptohen pa kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të emigracionit shqiptar jashtë vendit, të sakrificave, përkushtimit dhe angazhimit, veçanërisht të komunitetit shqiptar në Itali.
Kreu i Shtetit i siguroi të pranishmit mbi mbështetjen e plotë të Institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe të institucioneve të tjera shqiptare në funksion të rritjes së bashkëpunimit me diasporën shqiptare në përgjithësi, dhe veçanërisht me atë në Itali, si dhe mbi krijimin e kushteve të përshtatshme për një pjesëmarrje dhe angazhim më të madh të tyre në jetën sociale dhe politike të vendi

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës Bujar Nishani


bujar nishani, shqiptaret italiTë dashur bashkatdhetarë!
E nderuara Shkëlqesia Juaj, Zonja Ambasadore Bitri,
Të nderuar drejtues dhe anëtarë të shoqatave shqiptare në Itali,
Zonja dhe zotërinj të pranishëm!
Është një kënaqësi e madhe për mua që kam mundësinë të takohem me ju, me bashkëkombësit e mi të shtrenjtë në këtë veprimtari kaq kuptimplote dhe emocionuese pikërisht në zemër të “Qytetit të Përjetshëm”, kryeqendrës historike të Italisë fqinje dhe mike.
Prandaj duke përfituar nga ky rast kaq i volitshëm, dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj si dhe këtë pritje të ngrohtë e vëllazërore!
Miqësia mes popullit shqiptar dhe atij italian është sa e vjetër, aq dhe e mbushur me një respekt të ndërsjellë për historinë e lashtë të dy vendeve tona. Shembujt e kësaj ndërlidhjeje shpirtërore janë të panumërt duke filluar që nga Mesjeta me fushatat ushtarake të Skënderbeut në ndihmë të Mbretit të Dy Siçilive Alfonsit I e më vonë, Ferdinandit I, me mërgimin e dhimbshëm të arbëreshëve pas pushtimit otoman, e duke vazhduar deri tek mbrojtja dhe strehimi që populli ynë u bëri ushtarëve italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas kapitullimit të fashizmit në vitin 1943.
Por në marrëdhëniet mes dy vendeve, një vend të veçantë zënë dy eksodet me përmasa pothuajse biblike të vitit 1991 të bashkatdhetarëve tanë, të cilët me anije përshkuan të vetmen gjë hapësirë na ndan gjeografikisht – detin Adriatik, – duke mbërritur në brigjet e Puljas të etur për liri dhe demokraci.
Mikpritja dhe ndihma e pakursyer njerëzore me të cilat shqiptarët u pritën krahëhapur, janë të gdhendura përjetësisht në kujtesën e dy popujve tanë, madje edhe sot pas gati 25 vjetësh. Dhjetëra mijëra emigrantëve shqiptarë mbërritën në brigjet e Italisë, të mbushur me shpresa dhe ëndrra për një jetë më të mirë, duke lënë pas një herë e përgjithmonë regjimin totalitar dhe diktaturën e pashpirt komuniste.
Përfitoj nga ky rast të falënderoj nga zemra, si dhe t’u shpreh mirënjohjen personale dhe institucionale gjithë popullit mik italian dhe autoriteteve zyrtare për atë mikpritje dhe solidaritet të madh njerëzor e të paharrueshëm që u bënë bashkatdhetarëve tanë në çastet e vështira të mbërritjes së tyre në Itali.
Sot, në dekadën e parë të shekullit të njëzet e një, jemi dëshmitarë se emigrantët shqiptarë janë integruar më së miri në shoqërinë italiane. Përllogaritet që të jenë me qindra mijëra mijë shqiptarë në Itali, të cilët jetojnë e punojnë me dinjitet në gjithë gadishullin Apenin dhe një shifër që vlen për t’u përmendur dhe marrësi  shembull krenarie është që gati 23% e gjithë studentëve në universitet italiane janë shqiptarë, të cilët shkëlqejnë me rezultatet e tyre akademike.
Të dashur bashkatdhetarë!
Atdheu ynë i përbashkët nuk është më ai i para një çerek shekulli. Shqipëria sot është anëtare me të drejta të plota e aleancës më të madhe e më të fuqishme ushtarake-politike në botë, e NATO-s duke ofruar kontributin e saj jo edhe aq modest, madje duke numëruar edhe martirët e saj të paharruar, në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Shqipëria sot është një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim, ku synon të bëhet pjesë me meritë edhe de jure e familjes së madhe evropiane, pjesë e së cilës ka qenë ngahera gjeografikisht, shpirtërisht dhe kulturalisht.
Shqipëria jonë e përbashkët nuk është më një vend i paqëndrueshëm, i varfër deri në mjerim, konsumatore sigurie, përkundrazi: është vend i bekuar nga Zoti me pasuri dhe burime të pashtershme natyrore, me një popullsi relativisht të re e pulsuese, të arsimuar e të mirëpërgatitur për t’u ndeshur e triumfuar me çdo sfidë të kohërave moderne.
Shembuj e panumërt në radhët tuaja e vërtetojnë më së miri këtë gjë: studentët e shkëlqyer shqiptarë që spikasin pafund nëpër universitetet më të shquara italiane në La Sapienza, Universitetet e Torinos, të Bolonjës, të Firences.
Vetë sukseset e sipërmarrësve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh këtë mes jush; arritjet madhështore të artistëve, piktorëve, skulptorëve, balerinëve, këngëtarëve tanë nëpër skenat italiane që nga La Scala, e deri në ekranet e RAI-t apo Mediaset-it.
Pas 25 vjet pune në Itali, në saje të djersës, mundit dhe talentit të lindur shqiptarët janë integruar në mënyrë të përsosur në shoqërinë dhe jetën italiane, duke kontribuar në mënyrë aktive, si në sferën e prodhimit dhe të biznesit të vogël e të mesëm italian, ashtu edhe në art, kulturë e sporte, me figura të spikatura e talente si Ibrahim Kodra, balerini Kledi Kadiu, këngëtarja Elsa Lila, artisti Adrian Paci, futbollistët Tare, Bogdani, Cana e Berisha, Manaj e Strakosha, etj.
Por sot Shqipëria ka edhe problemet dhe sfidat e saj të përditshme, dhe vuan kryesisht nga një mospërputhje mes realitetit shqiptar dhe perceptimit apo imazhit të gabuar që përcjell tek të huajt, përfshirë nganjëherë fatkeqësisht edhe tek miqtë, fqinjët, aleatët dhe partnerët tanë dashamirës.
Vendlindja jonë nuk është më origjina e skafistëve, të cilët me gomonet plot emigrantë të paligjshëm, drogë ose armë, përpiqeshin dikur të arrinin me çdo kusht e me çdo çmim brigjet italiane, duke njollosur pa të drejtë dhe në mënyrë  të paturpshme emrin “shqiptar”.
Ne nuk mund të përfaqësohemi kurrë nga një pakicë e shëmtuar keqbërësish dhe kriminelësh, nga të korruptuar dhe ligj-shkelës.
Ju jeni pasqyra më e mirë e vlerave dhe virtyteve tona kombëtare, e traditës historike dhe meritave atdhetare të njërit prej kombeve më të lashtë të këtij rajoni.
Të dashur miq!
Atdheu fillon te vetvetja e gjithsecilit prej nesh!
Kam bindjen e palëkundur se nëse secili prej nesh sillet, jeton dhe vepron në mënyrë të përgjegjshme, respekton dhe nderon vetveten në radhë të parë, prindërit që na rritën e na mëkuan me atdhedashuri, familjet e të afërmit, dhe mbi të gjitha, nderon dhe e bën krenar Shqipërinë dhe kombin tonë të përbashkët!
Le të marrim gjuhën për shembull: Këtu mes jush ka edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme kulturore, por më lejoni t’ju vë në dukje se një dukuritë që më shqetëson sa herë që takoj fëmijë të brezit të parë, emigrantë në vende të ndryshme të botës, është paaftësia e tyre për të shkruar e lexuar shqip, paçka se mund ta flasin atë rrjedhshëm.
Tipari thelbësor i një kombi është gjuha dhe nëse nuk e ruajmë dot të pastër gjuhën tonë amtare, nëse nuk ua mësojmë dot atë duke ua lënë trashëgim brezave që vijnë, do të ishte një mëkat i pafalshëm.
Le të frymëzohemi nga arbëreshët! Askush më mirë se ata nuk e ka ruajtur aq të pastër e të paprekur gjuhën tonë amtare në rrjedhën e gati pesë shekujve duke filluar nga Jeronim de Rada, Gavril Dara i Riu, Zef Skiroi e me radhë.
Albanologu i vyer Elio Mirako më ka lënë mbresa të pashlyeshme me dijet dhe njohjen e tij të rrallë të shqipes dhe me lartësimin e vlerave më të mira kombëtare duke vënë në dukje dhe theksuar vokacionin evropian të shqiptarëve. Po ashtu edhe Profesori i nderuar Françesko Altimari i Universitetit të Kalabrisë, apo studiuesi i palodhur, Mateo Mandalá.
Ka ardhur koha që edhe në Itali të ngrihet dhe të hedhë shtat me dinjitet një Institut serioz i Kulturës shqiptare, që veç përhapjes së dijeve, arsimit dhe kulturës, të përçojë edhe visaret tonë të rralla e të vyera të harmonisë, respektit dhe bashkëjetesës shumëshekullore ndërfetare.
Sukseset dhe arritjet tuaja shënojnë margaritarët xixëllues të kurorës sonë kombëtare që nis nga njerëzit e thjeshtë, por të ndershëm dhe lartësohet deri në qiell me Shenjtoren e sapo shpallur nga Papa Françesku në Vatikan vetëm disa javë më parë Nënë Terezën tonë të shtrenjtë.
Kështu që me plot meritë, ju, familjet tuaja, fëmijët tuaj shqiptarë në Itali, jeni shndërruar në ura të fortë miqësie midis dy vendeve, ashtu siç kanë qenë për 500 vjet arbëreshët e Kalabrisë, Sicilisë, Basilikatës, Pulias e Molises dhe siç do të jenë edhe në të ardhmen nipat dhe mbesat tuaja këtu në Romë, Torino, Milano, e deri në Trieste e në Bari.
Të nderuar zonja e zotërinj!
Të dashur bashkatdhetarë!
Të gjitha këto arritje pozitive të vendit tonë nuk mund të konceptohen dhe të pranohen pa kontributin e madh dhe të pazëvendësueshëm të emigracionit shqiptar jashtë vendit, të sakrificave, përkushtimit dhe angazhimit tuaj jetik.
Duhet të ndihemi të gjithë së bashku jo vetëm me fat e të privilegjuar, por mbi të gjitha edhe krenarë që jemi shqiptarë!
Prandaj, në mbyllje të këtij takimi të ngrohtë dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve në emër të popullit dhe shtetit shqiptar dhe t’ju uroj shëndet, mbarësi dhe begati në familjet tuaja, sepse sukseset tuaja janë edhe të Shqipërisë, edhe të gjithë bashkëkombësve tanë!
Ju faleminderit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...