SHIFRAT/ Ja si u “tallën” me 14 mijë denoncuesit on-line të korrupsionit, vetëm 6 kallëzime në prokurori

Shares

Rreth 1 vit e gjysmë pasi qeveria hapi një portal on-line për denoncimin e korrupsionit, tashmë mund të thuhet se kjo nisëm jo vetëm nuk rezulton një histori suksesi por edhe një formë “talljeje” me qytetarët që duan të shohin pas hekurave abuzuesit me pushtetin dhe fondet publike.
“BalkanWeb”, referuar statistikave të publikuara në portalin “stopkorrupsionit.al”, mëson se nga 14.424 raportime të qytetarëve brenda 1 viti, vetëm 6 janë dërguar në prokurori. Portali konsideron të zgjidhura 6330 raste, nga të cilat 6260 janë refuzuar dhe vetëm 6 janë dërguar në organin e akuzës.
Ndërkohë në portal janë regjistruar si çështje në shqyrtim 1037 raste, për të cilat ka një afat 16 ditor deri në kthimin e përgjigjes.
Ministria e Shtetit e drejtuar nga Bledi Çuçi, njëherazi koordinatori kombëtar për Anti-Korrupsionin, ka nënshkruar në shkurt të këtij viti, një marrëveshje me Prokurorinë e Përgjithshme që në çdo rast kjo e fundit mund të niste hetimet ndaj personave të denoncuar. Por duket se ndodhemi përballë një terri informativ sa i përket mënyrës se si po procedohet me denoncimet, teksa statistikat flasin vetëm për 6 raste të referuara në prokurori.
Portali “stopkorrupsionit.al” u hap në 2 shkurt 2015, me inkurajimin e fortë të qeverisë për qyetarët për denoncimin e akteve korruptive në 9 sektorë të ndryshëm: Drejtësi, Shëndetësi, Arsim, Polici, Doganë, Tatime, Legalizime, Hipoteka, Automjete, Tendera dhe Ndërtime pa leje. Gjatë një denoncimi qytetarët mund të përzgjedhin nëse duan të ruajnë anonimatin ose jo.
Edhe ish-kryeministri Berisha në kohën e qeverisjes së tij përdori një numër celulari, ku qytetarët ftoheshin të denonconin rastet e abuzimit nga zyrtarë të administratës. Por as ajo nismë nuk pati sukses. Sikundër dështuan edhe dy nisma të tjera në kohën e qeverisë “Rama”, si portali ndërtimet pa leje dhe ankesat on-line në faqen e Ministrisë së Drejtësisë. Madje ka pasur raste kur vetë qytetarët denoncues, janë paditur për shpifje. /BalkanWeb/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...