Nikollaq Neranxi denoncon: Qeveria falsifikon VKM e saj, plan mafioz për ët zhdukur Himarën

Shares

Image GalleryNikollaq Neranxi ka reaguar sërish sot, për atë, që sipas tij, është zhdukja e Himarës dhe historisë së saj.
Sipas Nerzanxit, përveçse kjo po bëhet realitet, Qeveria ka manipuluar edhe vendimet e saj, kur ndërsa e kishte shpallur Himarën, “zonë e mbrojtur historike”, në zbardhjen e VKM në fletoren zyrtare, një gjë e tillë “është fshirë” për Himarën.

Denoncimi i plotë i Nikollaq Neranxit


himara, punimeTë dashur miq! Historia e Himarës ka marrë përmasat e një telenovele. Ka çdo ditë nga një seri të re me intriga dhe prapaskena dhe mbi të gjitha, nuk është nga ato çuditë tipike që zgjasin vetëm tre ditë. Është një dramë e fortë ku luhet me emocionet, krenarinë, pasurinë, emrin dhe gjithçka, një komunitet ka pasur, ka dhe pretendon me të drejtë ta ketë. Në Himarë po grabiten pronat dhe po kërkohet të shkatërrohen shtëpitë shekullore. Banorët nuk janë dakord dhe këtë ia kanë bërë më dije të gjitha institucioneve me anë të një letre ku janë të gjitha firmat e tyre. Banorët u dhunuan në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak që të frikësoheshin, të ulnin kokën dhe të linin mafien të bënte punën e saj. Plani për Himarën është ogurzi, Himara është në rrezik, Himara kërcënohet me fshirje nga harta me gjithë historinë dhe emrin e saj. Mënyra se si po trajtohet kjo zonë, është e paparë dhe e pa dëgjuar më parë.
Në Himarë po investon Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Paratë janë dhënë nga Europa me qëllim rehabilitues dhe rikualifikues, sidomos të zonave të vjetra. Në faqen zyrtare të FShZh, thuhet që Dhërmiut dhe Vunoit, do i bëhet restaurim dhe rikualifikim urban, me qëllim rehabilitimin e shtëpive tradicionale…etj. Ndërkohë për Himarën thuhet vetëm që do bëhet rikualifikim urban i territorit për zhvillimin e turizmit dhe progresit ekonomik. Asnjë fjalë për restaurim dhe kthim në identitet si për Dhërmiun dhe Vunoin, megjithëse historia e saj është njësoj e lashtë. Ndërkohë me 20 janar 2016, me një Vendim të Këshillit të Ministrave, u vendos, që Himara, Dhërmiu dhe Vunoi të shpallen zona historike, të mbrojtura, që do të thotë që nuk lejohet asnjë tjetërsim në thelb, vetëm restaurim i ndërtesave të vjetra ekzistuese. Natyrisht ky vendim nuk të pengon të merresh me infrastrukturën e cila është mesjetare në atë zonë, duke filluar nga ujërat e zeza që derdhen akoma në det dhe nuk dëshmojnë aspak për historinë e Himarës, por vetëm për keqqeverisjen e saj lokale. Ndërkohë çfarë ndodh në realitet? Në investimet që po bëhen, Himara po trajtohet sikur të jetë Qyteti Stalin, si një vend pa histori që ka nevojë vetëm për trotuare, (para se t’i vihet rruspa shtëpive natyrisht). Por a e dini se çfarë ka ndodhur ndërkohë? Në fletoren zyrtare, nr. 9, është zhdukur vendimi i Këshillit të Ministrave për shpalljen e qendrës së Himarës si historike dhe është lënë vetëm Vunoi dhe Dhërmiu. Pra gjithçka gati, edhe me letra, për të rrafshuar një herë e mirë këtë vend dhe këtë histori, dhe me paratë e Europës madje, të cilat janë marrë për të bërë pikërisht të kundërtën e kësaj që po bëjnë me këtë qytet. Prandaj i terrorizojnë banorët, prandaj askush nuk na e shpjegon projektin, prandaj ka aq shumë presion në media që ngjarjeve në Himarë, të mos i bëhet transparencë. Por ne kemi vendosur ta ndalojmë këtë marrëzi me çdo çmim! Telenovela vazhdon….së shpejti seri të reja!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...