Rama: Nuk kam premtuar zbardhjen e 21 janarit brenda këtij mandati

Shares

Kryeministri Edi Rama i rikthehet 21 janarit. Këtë herë, nga studio e emisioni “Kapital” të Aleksandër Furxhiut në “Vizon Plus”, rikthimi kishte si qëllim, evidentimin prej tij, se nuk kishte bërë ndonjë premtim për zbardhjen e kësaj ngjarje këtë mandat 4-vjecar.
“Nuk kam thënë se do të bëjmë drejtësi në 4 vjet. Kam thënë se do t’i shkojmë çështjes deri në fund dhe do të bëjmë çmos që drejtësia të bëjë drejtësi. Nëse jam kaq i vendosur për reformën në drejtësi, një nga arsyet e brendshme është 21 janari. Por ata që kujtojnë se kjo çështje është mbyllur e kanë shumë gabim. Jam shumë kurioz të shoh se çfarë note do të marrin gjykatësit e 21 janarit, pas procesit të skanimit që do të bëhet pas reformës në drejtësi”, ka theksuar kreu i qeverisë.
Në ballafaqimin që autori i emisionit i ka bërë shifrave, veçanërisht atyre që lidhen me largimin e shqiptarëve jashtë vendit, kryeministri Edi Rama është shprehur se nuk janë shenjë e dëshpërimit, por shenjë e ambicies dhe dëshirës, për ta kërkuar zgjidhjen më shpejt, madje për ta kërkuar
menjëherë atë.
“Edhe unë kam ikur jashtë Shqipërisë. Jo se isha i dëshpëruar, por mendoja se atje ku isha, mund t’i realizoja më shpejt ambiciet e mia. Pastaj u ktheva. Njerëzit vijnë dhe ikin dhe kështu funksionon bota sot”, deklaroi Rama.
Kryeministri nuk ka pranuar as rritjen e korrupsionit dhe dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga disa institucione, siç raporton Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas Ramës, t’i referohesh sot KLSH-së, është njësoj sikur t’i referohesh zyrës së financës së PD-së.
E vetmja gjë që Rama i njohu si “të metë” qeverisjes së tij, ishte se duhej ta kishte bërë 1 vit më shpejt, reformën në sistemin energjetik.
I pyetur nëse e sheh Ben Blushin brenda apo jashtë Partisë Socialiste, përgjigjja e Ramës ka qenë e prerë, “Nuk e shoh fare”.
Ndërsa lidhur me një aleancë me LSI-në edhe në zgjedhjet e vitit 2017, kreu i mazhorancës nuk pranoi ta vinte në diskutim diçka të tillë.
“Nuk ka ndonjë arsye për ta vënë në diskutim, patjetër që po. Të gjithë kur martohen kanë bindjen se janë të përjetshëm, por sot që flasim, kam këtë përgjigje”, tha Rama.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...