Urdhri i ekzekutimit i nxjerrë sot nga Prokuroria e Durrësit, në zbatim të vendimit të Gjykatës së këtij Rrethi Gjyqësor, për sekuestron preventive të ish-hotel “Vollga”, zbulon nenet për të cilat akuzohet Emiljano Shullazi.
Nga një “ballafaqim” me këto nene, shihet se minimalisht Emiljano Shullazo rrezikon 6 muaj, ndërsa maksimalisht 15 vjet burg, për atë “copë dhurate” që ka përfituar nga hotel “Vollga”.
Në datën 24. 04. 2016, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor në Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 715, për veprat penale të parashikuara nga nenet 186, 248 dhe 287 i Kodit Penal.
Neni 186 i Kodi Penal, “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikon një dënim nga 6 muaj deri në 7 vjet.
Neni 248 i Kodi Penal, “shpërdorimi i detyrës”, parashikon një dënim deri në 7 vjet.
Neni 287 i Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, para shikon një dënim 5 deri në 15 vjet.
KODI PENAL
Neni 186
Falsifikimi i dokumenteve
(Ndryshuar me ligjin nr. 9188, datë 12.2.2004, neni 4; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)
Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim
nga një vit deri në shtatë vjet.
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
(Ndryshuar me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 21; ndryshuar me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 21; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)
Kryerja ose moskryerja me dash je e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar
interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër
tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Neni 287
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale
(Ndryshuar me ligjin nr. 9086, datë 19.6.2003, neni 8; shtuar shkronja “dh” me ligjin nr. 9275, datë 16.9.2004, neni 24; ndryshuar shkronja “a” e pikës 1, shfuqizuar shkronja “ç” me ligjin nr. 9686, datë 26.2.2007, neni 24; ndryshuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012, neni 37; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr. 144, datë 2.5.2013, neni 48)
Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:
a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së
paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes,
pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës
penale ose i veprimtarisë kriminale;
c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga
raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë
produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të
përcaktuara më sipër;
– dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më
shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim .
Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe kur:
a) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person që nuk mund të
merret si i pandehur ose që nuk mund të dënohet;
b) ndjekja penale për veprën, produktet e së cilës pastrohen, është parashkruar ose amnistuar;
c) personi që kryen pastrimin e produkteve është i njëjtë me personin që ka kryer veprën, nga e cila kanë rrjedhur produktet;
ç) për veprën penale, nga e cila kanë ardhur produktet, nuk është filluar asnjëherë çështja penale apo nuk është dhënë një dënim me vendim penal të formës së prerë;
d) vepra penale, produktet e së cilës pastrohen, është kryer nga një person, pavarësisht shtetësisë së tij, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe është njëkohësisht e dënueshme, si në shtetin e huaj, ashtu edhe në Republikën e Shqipërisë.
Dijenia dhe qëllimi, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nxirren nga rrethana fakti objektive.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












