Pamje nga Unaza e re e Tiranës, një projekt infrastrukturor në ndërtim. Projekte të tilla zakonisht kanë volume të larta punimesh në periudhat me fushata elektorale, duke sjellë rritje të përkohshme të PBB-së së ndërtimit.
Vlerësimi paraprak i INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto 2015 flet për rritje ekonomike prej 2.6 për qind, plot 0.4 për qind më pak nga sa qe shpresuar nga qeveria në fillim të vitit.
Programi i qeverisë shqiptare për rimëkëmbje ekonomike mori një goditje tjetër sot (11 prill), pasi Instituti i Statistikave deklaroi se vlerësimi paraprak për rritjen ekonomike 2015 rezulton vetëm 2.6 për qind, nga mbi 3 për qind që pati parashikuar qeveria në janar 2015.
Instituti i Statistikave njoftoi sot se Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e katërt të vitit 2015 u rrit me 2.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, i ushqyer nga rritja në sektorin e ndërtimit, (konkretisht hidrocentrali i Devollit) ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë patën ecuri të keqe, përfshirë bujqësinë, e cila pësoi rënie neto prej 0.9 për qind.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është aktualisht 10.3 miliardë euro. Ngadalësimi i ritmit të rritjes nga 3, në 2.6 për qind, siç ndodhi gjatë vitit të kaluar, përbën një diferencë prej 40 milionë eurosh më pak.
Parashikimi doli huq

(link dokumenti) Por rimëkëmbja ekonomike nuk shkoi siç shpresohet dhe parashikimi i ri i kryer në janar të këtij viti, flet për rritje ekonomike prej 2.6 për qind në vitin 2015 dhe 3.4 për qind në vitin 2016.
Rritje e pashëndetshme

Zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri u zhvilluan në qershor 2015, dhe u paraprinë nga një fushatë ndryshimesh në fasadat e qendrave të qyteteve kryesore të njohura si Rilindja Urbane. Kjo valë shpenzimesh publike solli një rritje të pazakontë dhe të papritur në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Sektorit të Ndërtimit, i cili u rrit me 25 për qind në tremujorin e dytë dhe me 17 për qind në tremujorin e tretë. Sektori i ndërtimit përfitoi gjithashtu edhe nga hidrocentrali i Devollit, një projekt qindra-milionësh aktualisht në ndërtim. Për rrjedhojë, rritja ekonomike, aq e paktë sa qe në vitin 2015, konsiderohet e pashëndetshme për shkak se është e bazuar në ngjarje kalimtare.
Rënia dramatike e bujqësisë

Shkaku kryesor i rënies së bujqësisë vlerësohet se lidhet me përmbytjet masive që përfshinë disa zona të vendit në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, përfshirë dëmet e shkaktuara në Ultësirën Perëndimore nga dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë e Seman.
Autor: Gjergj Erebara
BIRN
Tiranë
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












