Edi Rama shpjegon pse e shkarkoi Shkëlqim Canin

Shares

Në emisionin Top Story” të Sokol Ballës në TV “Top Channel”, dha një përgjigje pse u shkarkua Shkëlqim Cani si ministër i Financave. Rama flet edhe për koncesionin e TVSH, ndërsa shmang përgjigjen për implikimin e vëllait të tij në këtë koncesion …

Ka disa institucione ndërkombëtare si Banka Botërore, apo FMN që miratoi marrëveshjen e radhës, ju ishit në një takim me BERZH në Londër ku u miratua fondi prej 300 milionë eurosh për bujqësinë dhe peshkimin, të gjitha këto tregojnë se ekonomia ngadalë ka dhënë disa shenja përmirësimi, por përse e shkarkuat ministrin e Financave?
Fjala shkarkim është një fjalë e papërshtatshme. Faktikisht ministri ka bërë një punë shumë të mirë, por gjithmonë brenda filozofisë time që Qeveria është një skuadër që duhet të punojë në mënyrë kompakte dhe që Qeveria nuk duhet të ndryshohet me variantin riformatim, kam parë të domosdoshme për të bërë një zëvendësim pa prishur filozofinë e skuadrës.

Në intervistën e dhënë gjatë samitit të NATO-s në Uells në 2014-n, keni dhënë që për çdo ndryshim në kabinet, përgjegjësia është e kryeministrit dhe keni ndryshuar çerekun e kabinetit…?
Pata thënë atë përgjigje në atë kohe dhe ju e dini shumë mirë si kanë ndodhur ndryshimet.

A u shkarkuar për koncesionin e TVSH-së Shkëlqim Cani?
Kështu e thotë balta (Partia Demokratike) që flet me fytyrën dhe zërin e qeverisë së vjetër, siç thotë që Ilir Beqaj është i korruptuar, siç thotë që Tahiri është i inkriminuar. Në këto nuk ka asgjë të vërtetë, janë të gjitha pjesë e një dëshpërimi të madh dhe e asaj që thashë. Një parti që duhet të bëjë opozitën dhe nuk e bën, por është qeveria e vjetër që na rri përballë dhe i duket sikur është në ëndërr. E kanë thënë vetë, që populli gaboi që i përzuri dhe vazhdojnë të njëjtën gjë që bënin. Është krejtësisht e pavërtetë. Po bëjmë reforma që të tjerët para nesh nuk morën guximin t’i bëjnë dhe po ju them disa fakte që çfarëdo do të ndodhte në Shqipërinë e sotme nëse do të ishin bërë kohë më parë. Nëse reforma në energji do ishte bërë 20 vite më parë, do ndodhte që në vend që të mbushnim çdo vite me paratë e njerëzve që paguanin një gropë që hapej nga hajdutëria, do të kishim 60 vjet investime në shëndetësi. Do të kishim 40 vjet investime në arsim, 30 vjet investime në bujqësi, nëse do kishim bërë reformën e teksteve 20 vite më parë, do kishim 414 mijë persona që do kishin një formim krejt tjetër dhe do ishin një krah pune i kualifikuar.

Megjithatë…?
Sa për Ilir Beqajn, është një ministër i korruptuar për një arsye të dukshme, për të njëjtën arsye që tregon historia në vende të ndryshme, që reformatorët përbalten dhe goditen në emër të moralit dhe virtyteve. Beqaj i ka hequr 70 milionë dollarë lobeve të ilaçeve dhe rrinë në xhepat e familjeve që kanë nevojë për ilaçe. Me atë reformë kemi ulur me 30 për qind çmimin e ilaçeve, që mungojnë në xhepat e lobeve që janë në një konflikt të madh me këtë qeveri dhe Ilir Beqajn dhe ata financojnë baltën. Kanë interesa të lidhura me qeverinë e vjetër dhe me segmente të ndryshme që bëjnë rezistencë. Lazarati nuk ishte thjeshtë plantacione që u dogjën, por një bankë e parasë së zezë, që e hodhi në erë Saimir Tahiri.

Mirë pra, balta thotë që ju hoqët Canin dhe futë Ahmetajn për koncesionit e TVSH-së, ku ju akuzon se keni interesa personale,  çfarë do t’i thoni baltës nëse Ahmetaj e firmos?
Ju të gjithë intelektualëve, arsimtarëve, gazetarëve që duhet të bëni një gjë të thjeshtë, këto që thotë balta duhet të verifikohen.

Na thoni të vërtetën për koncesionin e TVSH-së? Çfarë lidhjesh keni ju?
E vërteta është kjo që çfarë thuhet dhe çfarë propagandohet është një maskaradë e pashoqe sepse nuk japim në koncesion mbledhjen e TVSH-së. Ne duam të ndërtojmë një partneriteti publik-privat, të shfrytëzojmë kapitalin dhe dijet e privatit për të zgjeruar kapacitetin teknologjik të tatimeve. Sot tatimet e Republikës janë në një bazë të dhënash që administrohet nga austriakët, që janë privatë dhe nuk është ndonjë skandal, nuk është alarm. Ne duam që këtij truri elektronik që kemi vënë në punë, t’i shtojmë një kapacitet dhe të përfshijmë në këtë shtim një element të rëndësishëm në luftën kundër informalitetit; raportimin në kohë reale të çdo transaksioni, të blerjes që bën gjithsecili, që sot sistemi nuk e bën, por raporton njëherë në 24 orë dhe me probleme.

Përse kaq shumë kushton, pse mos e bëjë shteti?
Komisioni Europian, në projeksionin që ka bërë për Ballkanin Perëndimor ka thënë që i mungojnë 100 miliardë euro dhe Komisioni ka thënë gjithashtu që janë të gjenerueshme përmes partneriteti publik-privat. Privati do të bëjë investimin.

Megjithatë, privati kot nuk do investojë. Sa do të përfitojë ai?
Nuk është hapur akoma gara, ndaj këto janë muhabete balte. Marr kontrollin mjekësor falas. A ka më turp që t’i kundërvihesh kësaj? Kishim një popull të tërë pa kartela. Një problem i madh për njerëzit dhe për sistemin shëndetësor. U kemi thënë shqiptarëve për 20 vjet bëje kontrollin dhe paguaj 51 mijë lekë, ose shko të privati dhe paguaj 80 mijë lekë, ndërsa ne e bëjmë falas dhe nga buxheti paguajmë 18 mijë lekë nga fondi i shëndetësisë dhe u jep mundësinë qindra-mijëra njerëzve që të kontrollohen dhe qeveria i jep mundësi vetes që të krijojë një bazë solide të dhënash, që do na çojë tek shëndetësia falas. Sot mjeku i familjes është falas. Sot në QSUT një qytetar paguan 7 deri 10 fish më pak se në të kaluarën. Ne do ta realizojmë qëllimin tonë për një shëndetësi falas dhe balta nuk do të na pengojë.

Akuzat për përfshirjen e vëllait tuaj në koncesionin për TVSH-në nuk iu përgjigjët…?
Nëse ka një gjë që gjithmonë ka qenë i vetmi problem i imi, kur e kam ndierë baltën të më futet në të gjitha poret e trupit, ka qenë ngarkesa që i është krijuar familjes dhe në radhë të parë nënës sime. Im vëlla, për të cilin vë dorën në zjarr për ndershmërinë dhe për njerëzillëkun e tij, u shfaq në një fotografi bashkë me një shokun e tij që kanë kaluar vite në emigracion, në Kinë në një kompani kineze, dhe kjo u publikua si implikim i tij në procesin për garën për zonën ekonomike të Spitallës në Durrës. Një zonë ekonomike që do të krijojë një punësim real shumë të madh në 10 vitet e ardhshme. Pavarësisht se e gjitha ishte një manipulim i opinionit publik, vetëm se kishte një të vërtetë që shoku i tij, shumë i mirë në dijeninë time, e kishte ftuar tim vëlla për t’i vizituar këto kompanitë dhe njëra prej tyre kishte konkurruar, unë i kërkova ministrit Ahmetaj të anulonte procedurat. Ky jam unë, por ta harrojnë se mund të njollosin familjen time. Mua më kanë hedhur të gjithë pjesën më me substancë të baltës që prodhojnë dhe le ta vazhdojnë, sepse bëhem më i fortë. Kjo është e vërteta. E kam bërë se nuk mund të pranoja që të cenohej im vëlla dhe ky integritet i rëndësishëm i imi në raport me familjen.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...