Avokatët kanë vazhduar sot ditën e dytë të tyre, të bojkotit të seancave gjyqësore. Bojkoti i tyre ka të bëjë me refuzimin dhe kundërshtimin e vendimit të qeverisë që rriti pagesat e sigurimeve shoqërore për ta.
Në ditën e dytë të bojkotit, ata paralajmërojnë përshkallëzim të mëtejshëm të protestës së tyre, nëse qeveria nuk reflekton mbi kërkesat që ata kanë. Pjesë e përshkallëzimit të protestës, është edhe mundësia e bojkotit deri në 6 muaj të seancave gjyqësore, deri edhe braktisje të seancave gjyqësore të masave të sigurimit.
Avokatët pretendojnë se nuk janë marrë parasysh, edhe pse përfaqësuesit e tyre kanë paraqitur kundërshtitë në Ministrinë e Financave dhe në Komisionin e Ligjeve, që në hapat e parë të nismës ligjore për ndryshim të ligjit. Sipas tyre, institucionet janë treguar indiferente.
Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, avokatët detyrohen që ata me eksperiencë punë 0 – 3 vjet të paguajnë kontribut 186 mijë lekë (të vjetra) në muaj, ata me 3 – 6 vjet eksperiencë të paguajnë 226 mijë lekë (të vjetra) dhe ata që kanë me më se 6 vjet eksperiencë punë, të paguajnë 286 mijë lekë (të vjetra) në muaj.
Ndërkohë, mësohet se një betejë paralele me bojkotin e gjyqeve, është edhe një ankim në Gjykatën Kushtetuese. Në kërkesën e depozituar në Kushtetuese, Dhoma Kombëtare e Avokatisë kërkon shpalljen si antikushtetues të ligjit, që rriti masën e kontributeve të detyrueshme për profesionet e lira.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/