Kamza, Foto Ilustruese
Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka dhënë hollësi për arrestimet e policëve dhe inspektorëve të INUV-së së Kamzës, të implikuar në lejimin dhe favorizimin e ndërtimeve pa leje në Kamëz. Sipas policisë së Tiranës, veç 8 personave të arrestuar janë edhe 6 persona të tjerë të shpallur në kërkim, midis të cilëve një oficer police dhe 5 inspektorë tt INUV.
Burime të policisë së Tiranës, bënë të ditur se pas një hetimi një vjeçar në bashkëpunim me Prokurorinë e Task Forcës të Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe SHÇBA (Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave) është finalizuar me sukses operacioni “Smile 3”.
Të njëjta burime saktësojnë se në orët e para të mëngjesit të sotëm, u bë e mundur ekzekutimi i Urdhrave të Ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për 6 punonjës si dhe shpalljen në kërkim për 5 punonjës të tjerë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor të bashkisë Kamëz, dhe komunave Paskuqan, Bërxullë, Zall Herr. Po ashtu është bërë ndalimi i 2 specialistëve të Policisë së zonës si dhe shpallur në kërkim një oficer i Komisariatit i Policisë nr. 5, Tiranë.
Këta punonjës dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin si dhe punonjës të Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv”, parashikuar nga neni 248-25 dhe 259 të Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, ka rezultuar se këta shtetas me veprimet apo mosveprimet e tyre, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, kanë sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të shumë qytetarëve si dhe dëm shtetit, në drejtim të zhvillimit normal të territorit, duke lejuar zhvillimin e ndërtimeve pa leje, ku falë një hetimi të mirëfilltë në bashkëpunim me Prokurorinë e Task Forces të Rrethit Gjyqësor Tiranë janë evidentuar vetëm në Kamëz 39 raste, ndërkohë që vijon hetimi lidhur me komunat e tjera.
Materialet ju referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Tiranë, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, dhe “Korrupsionit pasiv”, parashikuar nga neni 248-25 dhe 259 të Kodit Penal
Në kuadër të këtij procedimi nga SHÇBA, është bërë ndalimi i dy punonjësve të policisë
● Fatmir Mulaj, me detyrë punonjës Policie (SPZ).
● Qemal Sinaj, me detyrë punonjës Policie (SPZ).
Gjithashtu është shpallur në kërkim oficeri i Policisë
● I. H.
Inspektorët e INUV të arrestuar janë si më poshtë
● Afrim Deda, 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë K/Inspektor pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në bashkinë Kamëz.
● Muhamed Korra, 55 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë K/Inspektor pranë Komunës Zall Herr.
● Gazmir Marku, 44 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Vorë.
● Petrit Jani, 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ish K/Inspektor pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor në komunën Bërxullë.
● Murat Mena, 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Kamëz.
● Arjan Hoxhaj, 43 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Inspektor Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor në Bashkinë Kamëz.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim inspektorate INUV
● A. P.
● K. H.
● A. T.
● L. Sh.
● L. L.
Njoftimi i Prokurorisë
Lejuan ndërtime të paligjshme. Prokuroria e Tiranës urdhër-ndalimi për policë të Komisariatit nr. 5 dhe inspektorë të INUV në Kamëz
Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhra ndalimi për disa punonjës policie të Komisariatit nr.5 Tiranë dhe inspektorë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) të bashkisë Kamëz, të dyshuar për konsumimin e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv…”, pasi kanë lejuar ndërtimin e objekteve të paligjshme, nuk kanë raportuar për vijimin e punimeve në mjedise private, në kundërshtim me detyrën e tyre dhe në këmbim të parave.
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës, rezulton se në total janë lejuar mbi 80 ndërtime apo shtesa ndërtimi në mënyrë të kundërligjshme.
Në bazë të hetimit, nisur pas referimit të Policisë së Shtetit, Prokuroria e Tiranës ka arritur në konkluzionin se inspektorët e INUV për zonat e Kamzës, Paskuqanit, Bërxullës dhe Zall Herrit, konstatonin ndërtime të paligjshme në ambiente familjare e biznesi dhe nuk i raportonin.
Konstatimi fillestar i kësaj paligjshmërie është realizuar gjatë aksioneve policore të komisariatit nr. 5. Nga verifikimet në terren të forcave policore, kishte rezultuar që të paktën 39 ndërtime të paligjshme nuk ishin konstatuar dhe as referuar nga ana e inspektorëve të INUV-it.
Pas referimit të këtij fakti të dyshuar penal, nga ana e Prokurorisë së Tiranës u zhvilluan hetimet për të evidentuar personat përgjegjës. Në bazë të të dhënave proceduriale, rezultoi se inspektorët e INUV ishin në dijeni të këtyre ndërtimeve të paligjshme dhe i kishin lejuar me bindje, me qëllimin për të marrë përfitime materiale prej shtetasve që kryenin ndërtimet.
Po ashtu, në vijim të hetimeve, rezultoi se edhe disa punonjës të Komisariatit të Policisë nr. 5, i cili mbulon zonën e Kamzës, në bashkëpunim me punonjësit e INUV-it, nuk raportonin për ndërtimet e paligjshme, si edhe ndërhynin tek INUV për lejimin e paligjshmërisë nga ana e qytetarëve të ndryshëm. Edhe për punonjësit e Policisë ka dyshime të arsyeshme se këto ndërhyrje i realizonin përkundrejt pagesave nga ana e qytetarëve të ndryshëm që kryenin punime ndërtuese pa leje.
Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhra ndalimi, për shtetasit si më poshtë:
Punonjës të Policisë
1. Fatmir Mulaj
2. Qemal Sinaj
(Urdhrat e ndalimit të Prokurorisë për këta shtetas janë ekzekutuar nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave)
Inspektorë të INUV
3. Afrim Deda
4. Murat Mena
5. Arjan Hoxhaj
6. Petrit Jani
7. Gazmir Marku
8. Muhamed Korra
(Urdhrat e ndalimit të Prokurorisë për këta shtetas janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












