Lulzim Basha ashpërson gjuhën, i vë disa kushte kryeministrit Edi Rama

Shares

Kreu i PD-së, Lulzim Basha me një gjuhë të ashpër i ka adresuar një sërë kushtesh kryeministrit Edi Rama, duke i kujtuar atij se është shansi i fundit që i jep opozita, mosplotësimi i të cilave do të çojë në pamundësinë e funksionimit normal të Kuvendit.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së grupit të PD-së, Lulzim Basha numëroi kërkesat e forcës që drejton, që nga largimi i Armando Prengës, miratimi i dekriminalizmit në seancën e së enjtes, miratimi po në këtë seancë i largimit të deputeteve Kokëdhima, Leskaj dhe Rakip Suli, që sipas Bashës kanë konsumuar pasuritë publike duke përfituar nga mandati i deputetit.
Me kthimin e Armando Prengës në Komisionin e Sigurisë, Basha ashpërsoi tonin ndaj qeverisë, duke akuzuar Ramën se po kriminalizon PS-në, ndërsa një nga kërkesat e opozitës është edhe miratim i ligjit të dekriminalizimit.
Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se ka strehuar në kupolën e tij kriminelët, si “Armando Prenga që derdhi gjak qytetarësh të pafajshëm në komisariatin e laçit dhe në vend të mbahet në burg shpërblehet dhe rikthehet në kuvend nga Rama. Kemi kriminalizim të shpejtë të PS, kthimi në klan kriminal që drejtohet nga Rama, këto janë zhvillime që thërrasin për një gjykim dhe aksion mbarëpopullor që nuk kufizohet vetëm te PD dhe opozita”, tha ai.
Basha tha se përballja me qeverinë do nisë që të enjten në parlament ku do dorëzohen kërkesat e opozitës, ndër të cilat largimi i Armando Prengës, Koço Kokëdhimës, Valentina Leskajt, Rakip Sulit. “Përballja e gjithanshme nis të enjten në parlament me një sërë kushtesh, një ndër këto kushte është edhe marrëveshja e 24 dhjetorit”, shtoi Basha.
Nga ana tjetër, kryeopozitari Basha theksoi se Partia Demokratike ka bërë shumë për çështjen e dekriminalizimit, ndërsa PS nuk ka lëvizur as gishtin.
“Nuk është e vërtet, PD ka punuar për këto akët. PS s’ka lëvizur gishtin. Çdo vonesë ngarkon Ramën dhe kupolën e tij. Pa zgjidhur çështjen e dekriminalizimit , s’ka Parlament”, theksoi Basha.
Teksa u pyet nga gazetarët për faktin se Prenga nuk është i dënuar, pasi ende nuk ka një vendim nga Gjykata e Lartë, Basha tha se edhe armëmbajtje pa leje për një deputet është vepër e rëndë penale.
“Këto janë truke të Ramës për ti hedhur hi syve dhe ndërkombëtarëve. Dhe Kerry e vlerësoi dekriminalizimin si reformën më të vlefshme. Rama ka sjellë në parlament dhe bashki këtë model dhe ne do e shkatërrojmë”, theksoi Basha.
Praninë e Prengës në një nga Komisionet parlamentare Basha e cilësoi si shkelje flagrante të një nga normave më elementare.
“Ju e patë se dje me shkelje flagrante, me normat më elementare, i dyshuari, i dyshuari për gjykim të rrahesh së një qytetari, është në parlament. Çalët janë në burg. Kush bën avokatinë e të kundërtve, e ka vendin në burg. Do përballen me opozitën, në Parlament e kudo tjetër”, përfundoi kreu i PD-së, Basha.

 

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës

Parlamenti nuk është strehë e krimit, përballje opozitare dhe popullore me të keqen

Gjendja në vend po përkeqësohet me shpejtësi. Parametrat e pasigurisë publike si rezultat i bashkëjetesës së krimit dhe krimit të organizuar nga Edi Rama me qeverinë e tij, parametrat e varfërimit të skajshëm si rezultat i vjedhjes së përditshme nga Edi Rama me oligarkët dhe ministrat e tij të korruptuar, parametrat e rëna të demokracisë si rezultat i arbitraritetit dhe shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit nga Edi Rama dhe skota e tij, po e zhbëjnë Shqipërinë, Shqipërinë që duam, Shqipërinë demokratike, Shqipërinë e shtetit ligjor. Po e kthejnë vendin  me një shpejtësi në parametrat e një regjimi, aparteidi me në krye Edi Ramën, i cili ka strehuar në anën e kupolës së tij kriminelët si Armando Prenga, njeriun që botërisht dihet se plagosi, derdhi gjak qytetarësh të pafajshëm në Komisariatin e Laçit dhe për këtë në vend që të mbahet në burg, të gjykohet, të dënohet, shpërblehet dhe rikthehet në Parlament nga Edi Rama.
Në një vend ku personat me rekorde të tmerrshme kriminale që ligji për dekriminalizimin i detyron të largohen nga postet, po strehon me shpejtësi dhe po marrin në dorë frenat e PS-së në Lezhë, në Krujë, në Has, në Mirditë, në Kukës, në Tepelenë, në Përmet, në Këlcyrë, në Fier, në Durrës, në Vlorë e anembanë Shqipërisë. Pra,po ndodh kriminalizimi i shpejtë i PS-së, kthimi me parametra të shpejtë të saj nga një familje politike në një klan kriminal që drejtohet nga Edi Rama.
Këto janë zhvillime të cilat thërrasin për një gjykim dhe aksion mbarëpopullor i cili nuk mund të kufizohet vetëm tek PD dhe vetëm tek opozita. Sepse siç e kam thënë edhe më përpara, unë kam besim të madh që ndonëse nga njëra anë arbitrariteti, krimi, vjedhja shtohen, nga ana tjetër banda e Edi Ramës është më e izoluar se kurrë.
Edhe vetë socialistët shqiptarë e kuptojnë sot se punojnë në atë parti apo në ato poste qeveritare e administratore që iu kanë dhënë, për një kupolë njerëzish, për Edi Ramën, për Saimir Tahirin, për Arben Ahmetajn, për Koço Kokëdhimën dhe për Ilir Beqajn. Nuk punojnë për Shqipërinë, nuk punojnë për demokracinë, nuk punojnë për qytetarët.
Përballja me këtë regjim është dhe do të jetë e gjithanshme. Përballja në Parlament me këtë regjim do të nisë të enjten me një sërë kushtesh, mosplotësimi të cilave do të çojë në masat e grupit parlamentar për të pamundësuar funksionimin normal të Parlamentit. Dhe në këto kushte janë ato që janë pjesë e marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014, marrëveshje e cila sot është dhunuar në të gjitha format e veta:Largimi i Armando Prengës;miratimi të enjten i vendimit që fut në fuqi ligjin për dekriminalizimin, miratimin të enjten, pas shqyrtimit në Komisionin e Mandateve dhe Rregullores, të largimit nga Parlamenti i Shqipërisë i Koço Kokëdhimës, Valentina Leskaj, Rakip Sulit të cilët në kundërshtim me Kushtetutën kanë konsumuar paratë e publikut shqiptar, pasurinë publike ndërkohë që janë vetë deputetë; pamundësimi i mazhorancës për të penguar punën e komisioneve hetimore parlamentare siç ka bërë deri më sot, duke tërhequr kuorumin dhe efektivisht duke i kthyer këto komisione në komisione pa vlerë sepse puna nuk mund të vazhdojë dhe nuk është e ligjëruar në mungesë të përfaqësuesve të mazhorancës.
Thelbi është dekriminalizimi, germa e ligjit dhe shpirti i ligjit të dekriminalizimit. Për sa kohë që simbolet e dekriminalizimit siç është Armando Prenga në të kaluarën e tij dhe siç është ai sot simbol i kriminalizimit, i deputetit që qëllon dhe gjakos me armë pa leje në derë të komisariatit e kanë rrugën e hapur për atë që quhet Kuvend i Shqipërisë, ky institucion dhe kjo foltore nuk do të funksionojnë normalisht.
Kjo kërkon një mobilizim të madh qytetar të gjithë atyre që e ndjejnë se janë jashtë kupolës, se janë nën arbitraritetin e vazhdueshëm dhe nën goditjen e vazhdueshme të këtij regjimi. Merren dhe burgosen për 72 orë  për riparim të një dritareje ndërkohë që oligarkët betonojnë parkun e tyre,  merren dhe futen në burg për një kupon tatimor për një kile qepë apo një kile kripë, kur ministri i Brendshëm, tutori i bandave të trafikut pohon në televizion se makinën që gjoja e paska shitur e ka mbajtur në të zezë dhe nuk i hyn ferrë në këmbë, përkundrazi prokurorët e korruptuar mbyllin çështjen duke pamundësuar drejtësinë.
Në një vend ku institucionet pamundësojnë drejtësinë, mbetet vetëm një shpresë dhe kjo është shpresa e një reagimi të fortë qytetar. Shansi i fundit për këtë parlament që të funksionojë është përmbushja e kushteve të opozitës. Pas kësaj, kjo republikë ka rënë dhe institucionet e kësaj republike duhet dhe do të mbeten në mëshirën e vullnetit të qytetarëve shqiptarë për të cilët kam besim se nuk do ta lënë vetën e tyre pas 45 vitesh edhe njëherë të përsëritet fati i zi i shekullit të kaluar por do të ngrihen për të garantuar liritë e tyre themelore.
Ne do ti prijmë kësaj beteje. Ne do të jemi në krah të tyre edhe për kauza tërësisht qytetare siç ishte ai i Parkut të Liqenit por edhe për kauza tërësisht politike siç është ndërtimi i dy botëve të ndryshme:  Ndërtimi i një aparteidi këtu në Shqipëri me Edi Ramën që është mbi ligjin dhe kundër ligjit dhe me qytetarët e tjerë që goditen arbitrarisht dhe u merret shpirti për bukën e gojës. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe do të marrë fund.

Pyetje – Përgjigjet

Pse iu rikthyet edhe njëherë dekriminalizimit kur tani është në çështje të parë Reforma në Drejtësi, kur për dekriminalizimin nuk ishte bërë aktet dhe ju kishit lenë kohë kohë deri në mars. Kështu ka thënë Partia Demokratike…pse kjo urgjencë?
Nuk është e vërtetë. Partia Demokratike ka insistuar për miratimin sa më të shpejtë të këtyre akteve. Partia Socialiste nuk ka lëvizur gishtin në këtë drejtim. Të Enjten, siç e keni marrë vesh, sot janë depozituar kërkesat e Partisë Demokratike për shqyrtimin me urgjencë të enjten të akteve. Çdo vonesë në këtë drejtim ngarkon drejtpërdrejtë me përgjegjësi Edi Ramën dhe kupolën e tij. Pa zgjidhur një më një të ligjit të dekriminalizimit, pa zgjidhur paradoksin e uljes së njeriut që gjakos qytetarët e vetë e pastaj vjen e ulet si deputet normal në parlament, vendi nuk mund të bëjë përpara, vendi nuk do të funksionojë për asnjë minutë si një parlament normal.

Por pritet vendimi i Gjykatës së Lartë…
Vendimin e Gjykatës së Lartë le ta presin oligarkët, le ta presin shokët e tij. Për Partinë Demokratike dhe qytetarët e Laçit dhe gjithë Shqipërisë akti kriminal dhe në flagrancë i plagosjes me armë zjarri të qytetarëve nga një deputet me armëmbajtje pa leje është vepër e mjaftueshme për të mos lejuar praninë e tij në atë që duhet të jetë tempulli i tempulli i demokracisë.

Ka një deklaratë nga PS që Armando Prenga nuk është më deputeti i yni…
Këto janë truket e Edi Ramës. Këto janë përpjekje për ti hedhur hi syve qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar. Edi Rama është subjekti numër një i dekriminalizimit. Ju e patë se si i sfiduar nga mesazhet e Sekretarit Kerri, dekriminalizimin e vlerësoi si të vetmen reformën të suksesshme dhe një model për tu ndjekur në reforma të tjera për të cilat ka nevojë vendi, ky u hodh në një fushatë të shfrenuar të përqafimit dhe marrjes me gajret të Arben Ndokës, të Artur Bushit e të Elvis Roshit sepse Edi Rama e ka zgjidhur fatin e tij politik pazgjidhshmërisht me kriminelët dhe personat me rekorde kriminale që ka sjellë në Parlament, që ka sjellë në bashki, që ka sjellë në Partinë Socialiste. Ky është modeli i tij dhe ne këtë model do ta shkatërrojmë.

Po si? Nuk më dhatë përgjigje se pse me kaq urgjencë?
Sepse ju e patë që dje që në shkelje flagrante të normave me elementare, i dyshuari, i hetuari, i kapuri, i arrestuari në flagrancë për gjakosjen e qytetarëve në komisariat, kthehet në Parlament.

Por është i pafajshëm…
Jo nuk është i pafajshëm. Është nën hetim për një vepër në flagrancë. Ju e dini që Çalët mbetën në burg ndërsa sulmuesi u lirua. Nëse ju kjo u duket normale merreni e pranojeni. Të jeni të sigurt që kush e pranon këtë është minoranca absolute sot në Shqipëri, dhe ajo që them unë është mendimi dhe qëndrimi i shumicës absolute të shqiptarëve. Gjakosësit e shqiptarëve e kanë vendin në qeli nuk e kanë vendin në Parlament.

A ka një pengesë teknike për shkak se z Meta është në një vizitë zyrtare jashtë vendit?
Nuk ka asnjë pengesë. Kjo është çështje e vullnetit politik. Nëse ka vullnet politik kjo zgjidhet. Nëse nuk ka do të përballen me opozitën në Parlament dhe kudo tjetër.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...