10 arsye pse nuk duhet kryer investimi te Parku i Liqenit Artificial të Tiranës

Shares

1. Këtë investim nuk e duan qytetarët e Tiranës. Shoqëria Civile dhe grupe të tjera interesi kanë protestuar kundër këtij investimi, dhe është vështirë të dëgjosh ndonjë zë pro ndërtimit të parkut të lojërave përveç zërave të investitorëve.
2. Investimi redukton ndjeshëm sipërfaqen e gjelbër të parkut të liqenit artificial dhe rrjedhimisht të të gjithë qytetit të Tiranës, duke qenë se ky park tashmë është një ndër sipërfaqet e rralla të gjelbra të këtij qyteti, dhe me të drejtë quhet mushkëria e Tiranës. Dëmtimi i rreth 1 ha pylli (me karakteristikat e pyllit të liqenit) do të thotë se Tiranës nuk do t’i pastrohen më rreth 300 ton gazra helmues në vit, dhe prerja e 1 peme të vetme në park, do të thotë shkatërrimin e një burimi që prodhon oksigjenin e mjaftueshëm për një familje prej 4 pjesëtarësh. Pra në kushtet kur Tirana ka aktualisht cilësi ajri tejet të ndotur, krahasuar me standardet, ky investim rrit në mënyrë të drejtpërdrejtë ndotjen e mëtejshme të qytetit, duke kontribuar në zhvillimin e disa sëmundjeve somatike dhe mendore (që provokohen nga përqendrimi i lartë i gazrave helmues) kryesisht tek fëmijët të cilët janë grupmosha më e ndjeshme.
3. Parku i lojërave te liqeni artificial nuk e zgjidh problemin e mungesës së hapësirave për fëmijët e Tiranës. Padyshim, mund të zgjidhi këtë problem vetëm për fëmijët e lagjeve afër vendit të investimit. Si mund të udhëtojë një fëmijë 3 – 8 vjeç (le të themi) i vetëm nga Kinostudio, Kombinati, apo Lapraka, të luajë në park dhe të kthehet sërish në shtëpi? Do të jetë një mundim i madh për të gjithë këta fëmijë, marrë për bazë këtu edhe trafikun e ngarkuar të Tiranës.
4. Ky investim dëmton rëndë biodeversitetin e qytetit të Tiranës, në një mjdeis ku një pjesë e mirë e popullatave të llojeve të ndryshme faunës kanë humbur tërësisht ose janë reduktuar në nivel kritik përgjatë viteve të fundit. Pjesa ku parashikohet të ndërtohet investimi është një ndër hapësirat më të parapëlqyera në park për shumë lloje shpendësh si: Qukapiku shpinëbardhë, Trishtili i kaltër, Trishtili i madh, Bishtkuqi zeshkan, Avdosa, Gjelbërushja, Cerri, Kacavjerrësi i pemëve, Kukuvajka, e shumë lloje të tjera që gjenden në park, një pjesë e të cilave ndodhen në listën e kuqe të faunës së Shqipërisë dhe mbrohen me ligj.
5. Materialet, zhavorr, dhe lëvore pemësh të thata, të cilat thuhet se do të përdoren për ndërtimin e parkut (në vend të betonit) janë materiale të cilat akumulojnë ndotje dhe disa prej tyre janë mjedis tërheqës jashtëqitje për disa lloje gjitarësh të vegjël, por padyshim edhe për kafshët e rrugës si qentë dhe macet. Nëse këto mjedise nuk dezinfektohen vazhdimisht mund të jenë vatra të përhapjes se infeksioneve të ndryshme. Por në anën tjetër, edhe materialet dezinfektuese kanë impaktet e tyre në shëndetit ne njerëzve.
6. Ndërhyrja në hyrjen kryesore të parkut dhe ngjyrat gri të investimit, afektojnë emocionalisht mijëra vizitorët e parkut. Është vërtetuar shkencërisht se ngjyra e gjelbër, është ngjyra e mirëqenies emocionale tek njeriu, ngjyra e relaksit dhe e shpresës, ndërsa ngjyra gri është personifikim i vuajtjes dhe gjendjes së rënduar shpirtërore. Ky investim do t’i bëjë më të trishtë qytetarët e Tiranës.
7. Investimi shkatërron trashëgiminë e qytetit. Sipërfaqja në fjalë është ruajtur si e tillë dhe është frekuentuar nga shumë breza. Shumë qytetarë të Tiranës kanë kujtime në atë zonë, në atë peizazh ku kanë shëtitur bashkë me të dashurit dhe familjarët e tyre. Prishja e këtij peizazhi “u dhemb” qytetarëve të Tiranës, të cilët prej dhjetëra vitesh e kanë ruajtur këtë sipërfaqe për vete dhe brezat e ardhshëm.
8. Ndërtimi i këtij investimi të padëshiruar nga qytetarët e Tiranës, shkakton zhgënjim të thellë të tyre kundrejt vendimmarrëse, duke ulur besimin dhe shpresën, se në këtë vend zëri i qytetarit dëgjohet, dhe investimet realizohen në drejtimin e duhur. Cenimi i besimit dhe shpresës, cenon direkt cilësinë e jetës së çdo qytetari.
9. Ky investim krijon precedent dhe arsye për investime të mëtejshme në këtë zonë. Deri më tani kjo sipërfaqe është ruajtur me fanatizëm, ndonëse rrethinat e saj janë tërësisht betonizuar. Nëse qytetarët e Tiranës lejojnë këtë investim, kush i garanton se pas këtij nuk do të shpallet një investim tjetër, po kaq “i përshtatshëm” sa investimi në fjalë.
10. “Investimi bie në kundërshtim me moratoriumin e pyjeve”!

Mirjan Topi
Projekt menaxher i organizatës për mbrojtjen e natyrës në Shqipëri (Protection and preservation of Natural Environment in Albania – PPNEA)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...