Foto Arkiv
Presidenti i Republikës Bujar Nishani sqaroi gjatë një interviste që do të transmetohet sonte në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziut,tha se ai nuk ka patur kurrë qëllim të mos i dekretonte ministrat Ahmetaj dhe Ekonomi, madje sikurse tha, ka vepruar para përfundimit të afatit të parashikuar nga kushtetuta.
“Unë kam qenë në kohën time kushtetuese, në përmbushjen e misionit tim në mënyrë shumë normale madje mund të them që i kam dekretuar edhe para afatit kushtetues emërimin e ministrave të rinj, por ne të vërtetë ka pasur një tentativë për të krijuar një ngërçe institucional midis presidentit dhe parlamentit”, shprehet Presidenti.
Duke i konsideruar si të shpejtuara dhe të motivuara politikisht hamendësimet, Presidenti shpjegoi përse iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për interpretim të nenit 98 për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.
“Nëse parlamenti nuk e ka vullnetin politik për të miratuar dekretin e shkarkimit atëherë dekretin e emërimit parlamenti nuk mund ta fusë proceduralisht në votim. Ka një nonsens juridik në këtë mes, që unë kërkova ta shmang si fenomen, si mundësi, që do të vinte në pozitë të vështirë parlamentin nga njëra anë, do vinte në pozitë të vështirë edhe Presidentin e Republikës”, shton Nishani.
Kreu i shtetit e quajti qëndrim të papranueshëm të qeverisë deklaratën e Ministres së Shtetit, Ermonela Felaj, për shkarkimin e Presidentit nëse shkeleshin afatet kushtetuese.
Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë:Deklarata e përfaqësueses së qeverisë shqiptare, se ajo nuk është një deklaratë personale, nuk është një deklaratë që i ka lindur ashtu vetiu zonjës në fjalë. Në fakt ndonjëherë bëhemi dhe të keqardhur për nivelin ku degradon serioziteti dhe standardi i njerëzve që marrin përsipër mandate përfaqësuese në Shqipëri. Është një qëndrim i qeverisë shqiptare, një qëndrim krejt i papranueshëm, sepse presidenti ishte në ushtrimin normal të detyrës së tij, të kohës së tij kushtetuese”, shprehet më tej Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani konfirmoi vendosmërinë e tij për të pasur qëndrime institucionale në marrëdhëniet me Qeverinë.
TV “Klan”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












