Në pjesën e dytë të intervistës së tij, Presidenti Bujar Nishani shpjegon takimin e tij në aeroport me Sekretarin Amerikan John Kerry, duke hedhur poshtë spekulimet. Sipas Nishanit, takimi u krye me kërkesë të Sekretarit Kerry dhe se për atë takim ishte dakordësuar nga stafet respektove, të Ambasadës amerikane dhe Presidencës. Për Nishanin më tepër se sa dukja, ka rëndësi qëllimi i atij takimi, sipas të cilit Sekretari Kerry i përcolli edhe disa mesazhe të rëndësishme Kreut të Shtetit Shqiptar.
Presidenti ndalet më tej edhe në marrëdhëniet me qeverinë. Duke pohuar se personalisht nuk ka asnjë përplasje me kryeministrin Edi Rama, Bujar nishani sqaron se “qëndrimet tona, edhe në se reflektojnë dhe patjetër që reflektojnë edhe kulturën individuale edhe formimin personal padyshim po janë qëndrime që bëhen edhe në emër të institucioneve”.
Zoti President, ndërkohë ka pasur një debat lidhur me faktin që ju dolët për të pritur Sekretarin e Shtetit John Kerry në aeroportin e Rinasit pa pasur një takim kokë më kokë me te qoftë në sallën VIP qoftë edhe në ndonjë vend tjetër. Përse dolët për ta pritur dhe a ishte një anashkalim i sekretarit Kerry për t’u takuar me Ju por ishte thjesht çështje e axhendës së tij protokollare?
Po pse mund të mendoj ndonjëri që unë kam dalë inkonjito përpara Sekretarit të Shtetit ?
Që do të thotë se nuk ka pasur një traditë të mëparshme në rastet vizitave të tjera të Sekretarit të Shtetit apo presidentëve të Shteteve të Bashkuara gjatë vizitave në Tiranë…?
Vizita e sekretarit Kerry ishte e një karakteri të veçantë, karakteri tërësisht pune i cili erdhi në Shqipëri për të pasur disa mesazhe konkrete pune me kryetarin e qeverisë dhe me liderin e opozitës. Ka qenë një dëshirë e veçantë personale e Sekretarit Kerry, e cila më është përcjellë përmes ambasadës së Shteteve të Bashkuara …
Pra ishte e rakorduar me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës…?
Pra dëshira e sekretarit Kerry e përcjellë zyrtarisht nëpërmjet ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që me rastin e këtij qëndrimi të sekretarit Kerry në Shqipëri, donte të takonte në shenjë respekti institucional për Presidentin e Republikës edhe presidentin. Ishte e pamundur të realizohen një takim protokollar të gjatë për shkak të axhendës dhe kohës që kishte në dispozicion edhe të mesazheve që kishte me vete sekretari Kerry për institucionet përfaqësuese të Shqipërisë. Nga ana tjetër ne duhet të kemi parasysh që në rastet … unë jam takuar edhe në raste të tjera me Sekretarin Kerry në institucione, qoftë në Uashington, qoftë edhe në takime ndërkombëtare, por neve në se mendojnë të krijojmë një precedent strikt, protokollar, ceremonial me Shtetet e Bashkuara në Amerikës , ata që e thonë, për mendimin tim e kanë gabim sepse kur ka vizita të tilla pune, nuk është në thelb dhe nuk është në kontekst pjesa protokollare, për më tepër që kemi parasysh që neve jemi një vend shumë i afërt dhe partner, aleat i ngushtë me Shtetet e Bashkuara në Amerikës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, përtej natyrës protokollare aq shumë… kontribute … Kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme, në aspektin politik, diplomatik në aspektin ushtarak , në aspektin institucional . Kështu që besoj që edhe mesazhet që Sekretari amerikan i Shtetit donte t’i përcillte presidentit të Republikës, bazoheshin të kjo marrëdhënie speciale dhe e veçantë…
Cilat ishin këto mesazhe?
Shqipëria është një nga aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në aspektin e garantimit të kontributit për të garantuar paqen dhe sigurinë, edhe në vende të ndryshme të botës. Mos harrojmë që Shqipëria si një anëtare e re e NATO-s ka qene mjaft aktive dhe pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe natyrisht këtë mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës të popullit shqiptar dhe për shtetin shqiptar do t’ia përcjellim përmes Kreu të Shtetit shqiptar, edhe elementë të tjerë të cilët kanë të bëjnë pikërisht me partneritetin strategjik që Shqipëria ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucioni , i cili përfaqëson zyrtarisht që të gjithë qytetarët shqiptarë jo vetëm ata që janë anëtare partie, të njërës apo tjetrës parti, të gjithë qytetarët shqiptarë është institucioni i Presidentit të Republikës. Ndaj kjo dëshirë shumë e nderuar për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët që vetë Sekretari Kerry kishte për t’u përshëndetur, për t’u takuar dhe për t’i shprehur këto mesazhe Presidentit të Republikës në momentet që ai do të mbërrinte në Shqipëri besoj që është një vlerësim për gjithë qytetarët shqiptarë.
A rakorduat ju me protokollin e shtetit i cili praktikisht varet nga qeveria dhe a ishte ne dijeni qeveria që ju do të dilnit për të pritur Sekretarin?
Nuk e di se sa ka qene në dijeni qeveria sepse vizita e Sekretarit të Shtetit ka qenë e rakorduar nga stafi i Sekretarit Kerry dhe Ambasada e Amerikane me institucionet përkatëse dhe takimi im me Sekretarin Kerry ka qenë i rakorduar nga stafi i zotit Kerry , i cili ka mbërritur një ditë më parë …
Drejtpërsëdrejti me stafin tuaj…
Drejtpërsëdrejti me stafin tim. Kanë vizituar presidencën dhe së bashku me stafin tim kanë rakorduar të gjitha detajet e takimit tim, ashtu siç kanë rakorduar edhe me të gjithë aktorët e tjerë që Sekretari Kerry është takuar.
Zoti President ndërkohë thatë dhe ju ndërpreva një moment kur ju po flisnit për raportet e tensionuara mes jush dhe mazhorancën, pra do të thotë mes institucionit të Presidentit dhe mazhorancës. Çfarë po ndodh realisht, cilat janë raportet me kryeministrit Rama?
Jam përpjekur dhe do të vazhdoj të përpiqem maksimalisht që të ofrojë të gjithë seriozitetin dhe të gjithë gatishmërinë institucionale për të përmbushur detyrat e mia. Përmes përmbushjes së detyra institucionale, Presidenti i Republikës garanton një marrëdhënie korrekte institucionale me çdo institucion tjetër por, edhe trajtimi më i fundit i këtij rasti, cili u trajtuar dhe u tentua të trajtohej dhe spekulohej politikisht tregon që Presidenti i Republikës që nga dita e parë e kësaj qeveri nuk është konsideruar dhe nuk pranon të konsiderohet si një institucion real, institucion kushtetues. Kjo është e papranueshme dhe kjo tregon gati-gati një mentalitet…
Ju po i referoheni deklaratës së zonjës Felaj apo dhe më gjerë?
Deklarata le të themi e përfaqësueses së qeverisë shqiptare, sepse ajo nuk është një deklaratë personale që ka lindur ashtu vetiu zonjës në fjalë. Në fakt ndonjëherë bëhemi edhe të keqardhur për nivelin ku degradon, le të themi serioziteti dhe standardi i njerëzve që marrin përsipër mandate përfaqësuese në Shqipëri, është një qëndrimi i qeverisë shqiptare krejt i papranueshëm sepse presidenti ishte tërësisht në ushtrimin normal të detyrës së tij, të kohës së tij kushtetuese, kohës së tij kushtetuese. Por kjo tregon edhe njëherë atë mentalitet i cili më shumë i përngjason një mentaliteti otoman ndaj konceptit për pushtetin edhe shtetin se sa qëndrimi shtetar, një qëndrimi civil, një qëndrim i cili kërkon një kulturë minimale politike dhe institucionale në Shqipëri.
Dhe pyetja e fundit zoti President. Mazhoranca vazhdimisht ka akuzuar dhe akuzon, ose nënvizon faktin që ju keni mbajtur qëndrime që shkojnë për më shtat qëndrimeve të Partisë Demokratike , pra qëndrime të njërit krah sesa qëndrime të Institucionit të Presidentit të Republikës që duhet të jetë mbi palët. A keni qenë ju i radhitur me opozitës në një betejë politike që ajo ka me mazhorancën?
Unë besoj që edhe rasti më i fundit e çimentoi, pikërisht këtë denoncim që unë i kam bërë gjatë gjithë periudhës kur kam qenë në sulmet politike të qeverisë, e cila për shkak të pamundësisë për të vënë nën kontroll edhe Institucionin e Presidentit të Republikës ka tentuar ta njësoj qëndrimin e tij si një qëndrim politik me të opozitës. Pra ky rast më i fundit e konsolidoi fort këtë spekulim të qeverisë për të krijuar këtë perceptim të gabuar dhe të pa drejtë tek opinioni publik por unë besoj që edhe rasti i fundit e diskreditoi akoma më shumë pavërtetësinë e një qëndrimi dhe një pretendimi të tillë sepse Presidenti edhe njëherë ka qenë në të gjitha rastet roja i ushtrimit të funksionit të tij. Në se Presidenti i Republikës nuk i duhet si institucion vendit, qeveria të dali dhe të thotë publikisht që vendit nuk i duhet Institucioni i Presidentit të Republikës, qeveria të dali dhe t’i thotë vendit që nuk i duhet më pushtetit legjislativ, nuk i duhet më pushteti gjyqësor nuk i duhet më shoqëria civile, nuk i duhet më media, mjafton të kemi një qeveri dhe një kryeministër , pra këto janë gjëra të cilat kanë të bëjnë me standardin e një seriozitetit , për të cilin unë kam një kut tjetër nga ai i cili jam ndeshur në raport me përfaqësues të qeverisë.
Personalisht keni pasur përplasje me kryeministrin Rama?
JO nuk kanë qenë përplasje personale. Qëndrimet tona, edhe në se reflektojnë dhe patjetër që reflektojnë edhe kulturën individuale edhe formimin personal padyshim po janë qëndrime që bëhen edhe në emër të institucioneve. Përfitojnë për shkak të institucionit dhe fuqisë që ka institucioni që përfaqësojnë, përfitojnë nga infrastruktura, mekanizmat, që ka në dorë institucioni që ne përfaqësojmë dhe për një afat dhe mandat të caktuar, por unë nuk i kam konsideruar dhe nuk i konsideroj këto raporte personale, por natyrisht që raportet ndërinstitucionale kanë ndikim të fortë edhe nga kultura individuale nga formimi civil dhe i përgjithshëm, individual i njerëzve që udhëheqin institucionet .
Faleminderit!
Edhe për mua ishte një kënaqësi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












