INTERVISTA 1/ Bujar Nishani: Emra me rekorde kriminale mund të propozohen për ministra, Presidenti nuk i ndalon dot

Shares

I ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Presidenti Bujar Nishani ka sqaruar “temën më të nxehtë” të ditëve të fundit, “vonesën” e dekretimit të emërimit të ministrave të rinj.
Duke u ndalur te këto dekrete, Presidenti shpjegoi procedurën e shkarkimit dhe emërimit të një ministri, nga Kryeministri, dekretimi i tij dhe më pas edhe votimi nga Kuvendi.
Nishani ka sqaruar se nuk ka pasur asgjë konkrete me dy ministrat e rinj të propozuar, por edhe se Institucioni i Presidentit nuk mund ta ndalojë një emërim të tillë edhe sikur personi i propozuar për ministër të ketë rekorde kriminale.
“Aktualisht Presidentit të Republikës nuk i njihet kjo e drejtë nga Kushtetuta edhe nga aktet aktuale dhe një nga këto… Aktualisht tagri kushtetues është i Kryeministrit për të përcaktuar emrin e ministrit. Kushtetuta nuk është e shprehur qartë nëse Presidenti ka të drejtë të verifikojë nga pikëpamja substanciale kandidaturën e ardhur nga kryeministri. Kushtetuta nuk është e shprehur qartë nëse Presidenti ka mundësi ta rikthejë për rishqyrtim kandidaturën bazuar në informacione dhe kritere të tjera, të cilat Presidenti mund t’i verifikojë përmes instrumenteve të tjera të shtetit, që ta rikthejë këtë kandidaturë tek Kryeministri”, sqaroi midis të tjerave Presidenti Bujar Nishani.

Zoti President, pak a shumë pati, po e quaj një ide, ose disa analiza, të cilat mendonin se fakti që ju iu drejtuat Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekreteve do të pengonte dekretimin e Ministrit të Financave. Ndërkohë ju e keni dekretuar sot Ministrin e ri të Financave. A ka një kontradiktë mes faktit që e keni çuar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim pikërisht për këtë çështje dhe sërish i keni dekretuar të dy, pra edhe shkarkimin, edhe emërimin e Ministrit të ri?
Pyetja juaj është shumë e drejtë. Në fakt edhe unë i kam ndjekur me qetësi nga zyra, por edhe me një lloj habie faktin që kryesisht nga qeveria dhe segmente të qeverisë artikulime krejt të paarsyeshme, të pa baza ndaj punës normale të Presidentit të Republikës, të cilit i është dhënë nga Kushtetuta një afat i caktuar për të vendosur për shkarkimin dhe emërimin e ministrave.

U krijua përshtypja se ju nuk do ta respektonit afatin 7-ditor që do të thotë se ju do të prisnit që Gjykata Kushtetuese të jepte një shpjegim ose një interpretim për këtë çështje dhe pastaj do të vijonit me dekretin?
Pikërisht këtu qëndron fakti sepse në çështje të tilla që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë, me zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve, nuk shikohet ana ligjore dhe ana kushtetuese e një çështjeje të caktuar, por me nxitim përfshihen në debate politike dhe e trajtojnë edhe qëndrimin kushtetues dhe institucional të Presidentit të Republikës si një qëndrim politik, pa marrë në referencë situatën institucionale, të drejtën institucionale. Unë kam qenë në kohën time kushtetuese, në përmbushje të misionit tim në mënyrë krejt normale, madje mund të them që e kam dekretuar edhe para afatit kushtetues emërimin e ministrave të rinj, por në të vërtetë ka pasur një tentativë për të krijuar një ngërç institucional mes Institucionit të Presidentit të Republikës dhe Parlamentit, një tentativë e nisur në seancën…

Nuk është hera e parë që krijohet ky lloj ngërçi. Kam përshtypjen se ka pasur përplasje dhe tensione edhe më parë midis mazhorancës dhe Presidentit edhe për çështje të tjera. Së fundmi ishte ajo për vizitën e John Kerrit dhe prania juaj në pritjen e tij në aeroport, por do t’i kthehemi më pas asaj. Çështja thelbësore, aty ku u krijua keqkuptimi i parë lidhej me faktin se ju shkarkuat Ministrin e Financave, i cili është ende në detyrë për sa kohë Parlamenti nuk e ka votuar, Shkëlqim Canin dhe nuk e dekretuat njëkohësisht zotin Ahmetaj, që po ashtu ishte Ministri i Ekonomisë. Ndërkohë që kjo ka ndodhur në të gjitha rastet paraardhëse. Pra, shkarkimet e Veliajt, të Nasip Naços apo të Ilirjan Celibashit?
Më duhet të them që ata, të cilët referuan faktin se nuk ka ndodhur më parë ndryshimi i kohës së shkarkimit me kohën e emërimit, nuk janë korrektë, pasi janë të dyja format dhe të dyja mënyrat e dekretimit të shkarkimit dhe të emërimit…

Ç’do të thotë ka dy forma?
Ka raste kur shkarkimi dhe emërimi janë kryer brenda së njëjtës ditë me dekrete të ndryshme natyrisht. Ka edhe raste kur janë kryer në afate të ndryshme shkarkimi dhe në afate të ndryshme emërimi i një ministri. Ju përmendët disa raste. Edhe gjatë Presidencës sime kam pasur raste kur i kam dekretuar në të njëjtën ditë: edhe shkarkimin, edhe emërimin, por më duhet t’i sjell në vëmendje edhe opinionit publik që në të gjitha rastet, kanë qenë për shkak të dorëheqjes së ministrave. Pra, dekreti i shkarkimit dhe i emërimit të pasardhësit të tij ka ardhur për faktin se ndryshimi i Kabinetit qeveritar është bërë mbi bazën e dorëheqjes së parevokueshme të ministrit. Edhe në rastin e zotit Celibashi…

I cili në këtë rast nuk qëndron, sepse Shkëlqim Cani nuk kishte dhënë dorëheqjen, por thjesht u zëvendësua nga Kryeministri?
Po ashtu edhe në rastin e shkarkimit të zotit Veliaj si Ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale dhe i emërimit të zotit Blendi Klosi si Ministër, janë bërë në kohë të ndryshme. Nëse nuk gaboj, shkarkimi i zotit Veliaj është bërë në fillim të muajit maj të vitit 2015, ndërsa emërimi i zotit Klosi është bërë në fund të muajit maj 2015. Ka raste dhe modele të ndryshme qoftë të shkarkimit dhe të emërimit në të njëjtin çast, ashtu siç ka edhe raste dhe modele të emërimit dhe të shkarkimit në afate të ndryshme. Në rastin konkret i dërgova Parlamentit për t’i dhënë fuqi dekretit të shkarkimit të zotit Shkëlqim Cani, për faktin sepse unë si President kam nxjerrë një dekret për emërimin e zotit Shkëlqim Cani si Ministër të Financave. Dhe dekretin…

I cili është vlerësuar në Parlament…
Jo vetëm është vlerësuar, por i është dhënë fuqi në Parlament. Unë nuk kam mundësi që të nxjerr një dekret për shkarkimin e zotit Cani dhe për emërimin e ministrit të ri pa u shfuqizuar dekreti i mëparshëm me të cilin unë e kam emëruar zotin Cani.

Por kjo mund të ndodhte me votim zoti Nishani. Që do të thotë se ju do të çonit dekrete të veçanta. I pari do të votohej shkarkimi dhe pastaj do të vinte emërimi i ministrit tjetër?
Pikërisht kjo duhej të ndodhte në Parlament. Unë me keqardhje kam ndjekur që drejtuesja e seancës së Parlamentit të datës 18 shkurt, në shkelje të hapur të ligjit, ka bllokuar votimin e dekretit të shkarkimit të dy ministrave në Parlament, dekrete të cilat kanë qenë në rendin e ditës, dekrete të cilat janë miratuar nga seanca plenare në rendin e ditës dhe në mënyrë të pakuptueshme për opinionin, por për mua tërësisht për shkaqe politike, drejtuesja e seancës e bllokoi hedhjen e tyre në votim për t’i dhënë pra fuqi. Nga ana tjetër, pyetja juaj ka edhe një kontekst tjetër, e cila sjell rezultatin e sjelljes së Presidentit të Republikës nëse një dekret i tij – po flasim për dekretin e shkarkimit, – nuk do të marrë fuqi në Parlament, pra nuk do të votohet dhe nuk do të miratohet nga anëtarët e Parlamentit.

Atëherë nuk futet as dekreti tjetër për emërimin e ministrit tjetër?
Por ama dekreti është i nxjerrë nga Presidenti i Republikës. Ky është një dekret, i cili tashmë është formalizuar nga Presidenti i Republikës. Dhe në rastin e një, teorikisht gjithnjë…

Ka të drejtë Parlamenti mos ta përfshijë apo është i detyruar ta fusë edhe dekretin e dytë, edhe po ra dekreti i parë?
Po nuk mund ta fusë pra dekretin e dytë. Në rast se dekreti i parë bie, pra…

Pra këtë përzgjedhje e bën Parlamenti?
Pikërisht. E bën Parlamenti, por e bën mbi bazën e vullnetit që duhet të shprehë për miratimin e dekretit të shkarkimit. Nëse Parlamenti nuk e ka vullnetin politik për të miratuar dekretin e shkarkimit…, atëherë dekreti i emërimit nuk mund të bie poshtë, sepse atë mund ta rrëzojë vetëm Parlamenti. Dhe Parlamenti nuk mund të fusë procedurialisht në votim…

Sepse mund të votohen dy ministra njëkohësisht…?
Absolutisht që mund të votohen dy ministra. Ka një nonsens juridik në këtë mes, sepse unë kërkova që për ta shmangur si fenomen, për ta shmangur si mundësi, e cila do ta vinte në pozitë të vështirë Parlamentin nga njëra anë, dhe nga ana tjetër do të vinte në pozitë të vështirë edhe Presidentin e Republikës, që të ishim brenda afatit kushtetues, i kërkova Parlamentit që të votonte dhe t’i jepte fuqi – sepse votimi është dhënie fuqie e dekretit të Presidentit për shkarkimin e ministrave. Dhe menjëherë pas dhënies së fuqisë, do të kishim një vakancë. Dhe deri në momentin që dekreti i shkarkimit nuk votohet, nuk i jepet fuqi, ne nuk kemi vakancë të një ministri, sepse është ministri në detyrë. Ministri nuk shkarkohet as thjesht me propozim të Kryeministrit…

Me votim të Parlamentit?
As nga dekreti i Presidentit, por kur të dy këta bashkë gjejnë reflektim në vullnetin politik të Parlamentit.

Po në qoftë se Parlamenti do të votonte dekretin e shkarkimit dhe dekreti i emërimit tjetër nuk do të kishte shkuar akoma, do të kishim një vakuum?
Absolutisht jo! Sepse në ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave, në postin e zëvendësministrit e kemi anëtar qeverie. Pra zëvendësministri merr pjesë në mbledhjet e Qeverisë…

Pra do të merrte funksionet e ministrit në periudhën tranzitore?
Dhe ka pasur praktika të tilla në Shqipëri. Edhe njëherë: Zëvendësministri merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë i deleguar nga Ministri dhe është pjesë e vendimmarrjes kolegjiale të Këshillit të Ministrave.

Me të njëjtat të drejta?
Me të njëjtat të drejta dhe nuk ka asnjë lloj vakuumi në Qeveri.

Kam disa pyetje që janë më shumë politike: Ju kishit thjesht të drejtën tuaj kushtetuese, pra këtë çështje po e quaj një ngërç juridik apo kishit një pakënaqësi ndaj emrit konkret të Ministrit Ahmetaj?
Unë nuk jam futur në pjesën substanciale të dekretit, pra për të verifikuar nëse zoti Ahmetaj apo zonja Ekonomi e meritojnë plotësisht për të qenë ministra, sepse kjo është e pashprehur qartazi në Kushtetutë. Dhe një nga pyetjet që i kam drejtuar për sqarim Gjykatës Kushtetuese është edhe kjo që a ka të drejtë Presidenti i Republikës, kur dihet botërisht, dihet faktikisht, edhe nga Kushtetuta, edhe nga sistemi politik që në fakt e drejta, tagri kushtetues është i Kryeministrit për zgjedhjen e ministrave. Kryeministri i vendit ka fituar zgjedhjet. Është mandatar nga Parlamenti për të krijuar Qeverinë dhe është tërësisht e drejta e tij për të krijuar Kabinetin qeveritar. Por duhet të kemi parasysh që kushtetutë-bërësi i ka lënë një afat shtatëditor Presidentit të Republikës…

Përse e ka këtë afat atëherë? Në qoftë se Presidenti është thjesht kundër-firmues…?
Kuptimi sipas meje është që Presidenti të ketë mundësi të verifikojë disa kritere dhe disa standarde kushtetuese dhe ligjore të kandidatit për ministër.

Përmes instrumenteve që Presidenti ka?
Përmes instrumenteve, por natyrisht që kjo nuk është e shprehur qartë në Kushtetutë dhe nuk ka asnjë akt tjetër ligjor dhe nënligjor, i cili t’i njohë Presidentit të Republikës…

Pra jeni thjesht një kundër-firmues i kërkesës së Kryeministrit?
Presidenti i Republikës ka një detyrim kushtetues, pra e ka detyrë kushtetuese, detyrim të detyrës së tij për të dekretuar propozimet e Kryeministrit.

Dy pyetje: Në qoftë se ju nuk pranoni ta dekretoni brenda shtatë ditësh, çfarë ndodh? Hyn në fuqi dekreti apo bie kërkesa?
Kjo është një nga pyetjet që i kam drejtuar Gjykatës Kushtetuese?

As kjo nuk është e qartë?
As kjo nuk është e qartë dhe kjo nuk është e parashikuar në Kushtetutë dhe as në ndonjë akt tjetër. Fakti që Presidenti i Republikës vazhdon, madje edhe një nga elementet që solli ky debat, është konfirmimi i asaj që unë e kam shprehur vazhdimisht si një shqetësim institucional që nga dita e parë se kjo Qeveri vazhdon ta konsiderojë Presidentin e Republikës si një institucion armiqësor, si një institucion që mundësisht të mos ekzistojë. Fakti që drejtuesja e seancës së Parlamentit të 18 shkurtit për mendimin tim ka dhunuar të drejtën kushtetuese të Parlamentit për t’u shprehur, sepse vetë Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 i ka kërkuar Parlamentit që t’i gjykojë dekretet, jo përmes heshtjes, por përmes votimit pro apo kundër tyre. Që do të thotë se ka qenë me siguri një urdhër politik, çka për mua tregon një kontroll të fortë të pushtetit ekzekutiv mbi Parlamentin, mbi legjislativin, që duhet të jetë e kundërta. Në sistemin tonë politik Parlamenti është pushteti më i lartë. U tentua që ky kontroll t’i imponohej edhe Institucionit të Presidentit të Republikës që natyrisht nuk mund të pranohej nga ana ime. Për këto shkaqe, edhe për arsye të tjera, edhe për mjaft paqartësi natyrisht që i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Sot është depozituar kërkesa e Presidentit të Republikës në Gjykatën Kushtetuese. Keqardhja ime kryesore ka qenë ajo që ju përmenda në fillim: që një debat, i cili duhet të ishte tërësisht kushtetues…

U kthye në debat politik?
U kthye dhe u trajtua si një debat politik, madje duke tejkaluar çdo limit të etikës, të kulturës politike, të kulturës institucionale dhe të së drejtës politike duke bërë akuza nga më të fundit ndaj Presidentit të Republikës…

Kam edhe një pyetje tjetër juridike: A keni ju tagër zoti President, që në qoftë se Kryeministri, kushdo kryeministër qoftë jo vetëm ky, mund të emërojë një figurë me probleme që do të thotë: sot në Parlamentin e Shqipërisë kemi persona, të cilët po tentojmë t’i nxjerrim jashtë përmes ligjit të dekriminalizimit, të përfshirë në trafiqe, kontrabandë, të dënuar me vendime të formës së prerë nga gjykata evropiane apo shqiptare? Në qoftë se Kryeministri do t’ju niste për të dekretuar një figurë nga këta, keni ju tagër ta ktheni mbrapsht apo jo?
Aktualisht Presidentit të Republikës nuk i njihet kjo e drejtë nga Kushtetuta edhe nga aktet aktuale dhe një nga këto…

A bëheni bashkëfajtor duke firmosur një dekret të tillë? Teorikisht gjithmonë?
Natyrisht që do të bëhesha bashkëfajtor. Ndaj ka qenë edhe arsyeja pse unë i jam drejtuar Gjykatës Kushtetuese, edhe për këtë çështje që ju ngrini, sepse në fakt askush nga ne nuk besonte se në Parlamentin e Shqipërisë do të vinin njerëz me të kaluar kriminale, deri para se sa Parlamenti vetë të angazhohej me një legjislacion të posaçëm për të filluar tani dekriminalizimin e Parlamentit, që do të thotë largimin e personave me rekorde kriminale nga Parlamenti…

Duke shpresuar që do të ndodhë, sepse kam përshtypjen se akoma po zvarritet…!
Aktualisht nuk jemi në një situatë supozimi, me “nëse”. Jemi në një situatë që ka ndodhur në Parlament dhe ajo që ka ndodhur në Parlament mund të ndodhë edhe në Qeveri. Pra tek Presidenti i Republikës mund të sillen si të propozuar për ministra persona me rekorde kriminale. Aktualisht tagri kushtetues është i Kryeministrit për të përcaktuar emrin e ministrit. Kushtetuta nuk është e shprehur qartë nëse Presidenti ka të drejtë të verifikojë nga pikëpamja substanciale kandidaturën e ardhur nga kryeminsitri. Kushtetuta nuk është e shprehur qartë nëse Presidenti ka mundësi ta rikthejë për rishqyrtim kandidaturën bazuar në informacione dhe kritere të tjera, të cilat Presidenti mund t’i verifikojë përmes instrumenteve të tjera të shtetit, që ta rikthejë këtë kandidaturë tek Kryeministri. Dhe këto kanë qenë pikërisht edhe elementet shtesë të cilat më kanë detyruar që duke ruajtur gjithmonë kontekstin e debatit kushtetues, duke ruajtur seriozitetin me të cilin ne duhet të dominohemi nga mënyra e sjelljes institucionale dhe e dialogut dhe e komunikimit midis institucioneve, duke anashkaluar, padyshim edhe duke hedhur ndonjëherë tej krahëve nxitime dhe retorika politike të panevojshme që nuk tregojnë aspak angazhimin dhe investimin për të ndërtuar shtet, por për fat të keq, shpeshherë e çojnë në kontekstin e një tahmaje të madhe për pushtet, Presidenti i Republikës do të vazhdojë të qëndrojë në një pozicion shumë serioz, duke i konsideruar çështjet e punës ndër-institucionale të shtetit shqiptar si çështje që nuk i takojnë vetëm një individi, por çështje të imazhit të shtetit dhe për t’i parë gjërat në mënyrë të ftohtë dhe të qetë, në mënyrë të tillë që ne t’i japim dimensionin e komunikimit institucional. T’i japim dimensionin e imazhit të shtetit – atë dimension serioz që shteti meriton ta ketë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...