Prokuroria e Përgjithshme ka pushuar çështjen kundër deputetit të Partisë Demokratike dhe ish ministrit të Financave, Ridvan Bode, një nga 7 zyrtarët e lartë të politikës që u akuzuan nga ILDKP për fshehje apo mosdeklarim pasurie.
Bode akuzohej nga ILDKP për fshehjen e një pasurie prej 500 mijë eurosh. Fill pas akuzës, ish-ministri Bode është përgjigjur duke e konsideruar padinë një sulm politik ndaj tij.
“Instrumentat e kapura të ILDKP-së shërbyen një porosi politike të Edi Ramës, duke sulmuar opozitën. Nuk ka asgjë të vërtetë në atë çfarë deklaron ILDKP-ja për zotin Ridvan Bode.
Z. Bode i ka përmbushur detyrimet për deklarimin e pasurisë sipas ligjit dhe në kohë. Kjo është një përpjekje e dyshes Rama-Meta për të larguar vëmendjen nga dekriminalizimi dhe nga korrupsioni galopant që kanë instaluar në qeverisjen e tyre.
Shashka politike që hodhën sot permes instrumentave të kapur të ILDKP-së nuk do ta fshehë dot zullumin dhe pasuritë kriminale që po vendosin Rama dhe Meta”, thuhej atëherë në një reagim të opozitës.
Padia u bë në prill të viti 2015.
ILDKP kishte ngritur një padi edhe për deputetin Tom Doshi. Sipas padisë deputeti Doshi për periudhën kohore 2005 – 2014, akuzohet se ka fshehur pasurinë dhe ka bërë deklarata të rreme për shumën rreth 14 milionë euro, si dhe ka kryer transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 9 milionë euro. Hetimi ndaj tij ende vazhdon
Nën hetim mbeten gjithashtu dy ish deputetët Dritan Prifti dhe Arben Ndoka. Ndoka u kallëzua penalisht në shtator të vitit 2015, për fshehje pasurie, deklarime të rreme të interesave private dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare për shumën e rreth 1,5 milion euro, sipas reporter.al.
Ndërkohë për Andis Harasanin, një tjetër ish-deputet i Partisë Socialiste, Prokuroria ka pezulluar hetimet në pritje të një letër porosie. Harasani u padit penalisht në fund të shtatorit 2015, pasi nga kontrolli i deklaratave të pasurisë së tij, u gjetën “deklarime të rreme, kontrata fiktive e të falsifikuara, transferta bankare, të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare, në banka brenda dhe jashtë vendit, në shumën rreth 2.6 milionë USD”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/