Shtëpia ku ndodhi vrasja dhe viktima Pajtim Shehu
Vrasësi i babait të tre fëmijëve disa ditë më parë në Shkallë të Sarandës, dyshohet të jetë një tjetër person dhe jo ai që grabiti lokalin e bashkëfshatarit, të cilin viktima u fut ta ndihmonte.
Dyshimet janë hedhur nga grupi hetimor, tri ditë pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Shkallë të Konispolit, ku mbeti i vrarë me plumb në kokë 44-vjeçari Pajtim Shehu.
“Gazeta Shqiptare” shkruar sot se një person është kapur në fshatin Shëndëlli të Sarandës, i cili dyshohet të jetë autor i grabitjes së lokalit në pronësi të Arqile Poçit në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Ndërkohë, përpos këtij personi të arrestuar, dyshime si autor i vrasjes hidhen edhe mbi një person tjetër.
Pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore, dyshohet që ngjarja e rëndë (ekzekutimi i 44-vjeçarit) të ketë ndodhur aksidentalisht, ose pas një konflikti me një banor të zonës.
Sipas hetuesve, autori i grabitjes së 100 mijë lekëve në lokalin e Arqile Poçit, nuk është vrasësi i Pajtim Shehut. Ngjarja, është “disi” e ngatërruar, pasi dyshohet të jenë dy autorë, të cilët pritet të vihen nën akuzë për dy vepra të ndryshme penale.
Mes të të shoqëruarve është dhe një person nga fshati Shkallë, që dyshohet të jetë autor i vrasjes, pasi i janë gjetur gjurmë baruti në duar. Burimet e mësipërme sqaruan se ky i fundit (emri nuk bëhet me dije) është fqinj i viktimës. Ndërsa, ende nuk dihet nëse fqinji e ka qëlluar aksidentalisht 44-vjeçarin, pasi mund ta ketë ngatërruar me grabitësin, apo e ka vrarë me dashje për shkak të një konflikti të mëparshëm me të.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












