PSIKOLOGJI/Dilema e Vetëvlerësimit? Jeto gabimet dhe shumëfisho cilësitë pozitive

Shares

Është një lloj auto-vlerësimi për veten dhe prej vetes tënde. Është opinioni që ti ke për atë që bën, mënyra sesi e shikon veten dhe si e gjykon atë.

Vetëvlerësimi është një vlerë e ndryshueshme. Mund të rritet apo zvogëlohet sipas perceptimit që ke për veten, sipas veprimeve të tua dhe sipas rezultateve që arrin. Kështu që ka mundësi që ai të jetë shumë i lartë ose shumë i ulët sipas periudhave të ndryshme të jetës.

Mendimi i të tjerëve – Është një element i rëndësishëm i vlerësimit për veten. Të ndjehesh i vlerësuar dhe popullor nga të tjerët e ushqen vetëvlerësimin. Megjithatë, komplimentet dhe kritikat nuk japin të njëjtin rezultat mbi të. Nëse dikush na kritikon, vetëvlerësimi ynë ulet, dhe nëse dikush na komplimentin, kjo nuk e rrit në mënyrë të veçantë këtë vetëvlerësim.

Vlerësimi i lartë
për veten – Të kesh një vlerësim të lartë për veten përgjithësisht vlerësohet si një cilësi e rëndësishme për t’ia dalë mbanë në jetë dhe të jesh i lumtur.

Një person me vlerësim të lartë për veten hidhet shpejt në veprim dhe kur ia del mbanë kjo i rrit vetëvlerësimin. Në rast se dështojnë, këta persona kanë aftësinë të relativizojnë dhe prapë të ruajnë një vlerësim të lartë për veten. Gjithsesi, të kesh një vetëvlerësim të lartë nuk është gjithmonë e dobishme. Pasi ndonjëherë çon në marrjen përsipër të rreziqeve të keqllogaritura. Për më tepër, mund ta bëjë një person mendjemadh dhe arrogant dhe ta izolojë nga të tjerët.

Vlerësimi i ulët për veten – Personat që kanë vlerësim të ulët për veten kanë tendencë të dyshojnë te vetja, të hezitojnë dhe të kërkojnë gjithmonë miratimin e të tjerëve. Këta njerëz, me zor kalojnë në veprime, dhe kur përjetojnë suksese, ata mendojnë se është falë të tjerëve ose prej fatit, çka nuk e rrit vetëvlerësimin që kanë për veten.

Ndërsa, nga ana tjetër në rast dështimi, këta persona e zhvlerësojnë veten, çka e zvogëlon vetëbesimin e tyre. Gjithsesi, personat me vetëvlerësim të ulët shpesh vlerësohen për cilësitë njerëzore dhe sensin e mirë të të dëgjuarit.

Vlerësim i mirë dhe i drejtë për veten – Të kesh një vlerësim të mirë për veten s’ka të bëjë me perfeksionin. Kjo do të thotë vetëm ta pranosh veten me cilësitë dhe defektet që ke. Për të pasur një vlerësim të drejtë për veten, duhet të mësosh ta njohësh mirë veten, të kuptosh pikat e forta dhe të dobëta, të identifikosh burimet dhe mangësitë. Është pak a shumë si loja bixhozit. Kur i kemi letrat në dorë, disa i kemi të forta e ca i kemi çka. Vetë loja luhet me të gjitha letrat, me të mirat dhe me më pak të fortat, duhet vetëm t’i luash sa më mirë të jetë e mundur në momentin e duhur.

Vlerësimi për veten ndërtohet – Ne nuk lindim me një vlerësim të lartë apo të ulët për veten. Ndjesia e vlerësimit personal dhe rëndësia e saj rrënjosen me eksperiencat e para të jetës: dashuria e prindërve, e mjedisit që na rrethon, siguria afektive. Vlerësimi për veten zhvillohet pak e nga pak, nisur nga eksperiencat dhe marrëdhëniet me njerëzit përreth. Edhe pse baza i ka rrënjët te fëmijëria, njerëzit dhe shoqëria vazhdojnë të influencojë përgjatë gjithë jetës.


Që në fëmijëri, një person mund të jetojë përvoja që i dëmtojnë vetëvlerësimin. Ndonjëherë janë prindërit të cilët nga kujdesi për t’i mbrojtur fëmijët, përdorin fjalë dhe qëndrime që e çojnë fëmijën të dyshojë te vetja. P.sh., një prind mund t’i thotë fëmijës “Mos e bëj këtë, se do vritesh!”. Dhe fëmija nënkupton: “Mos e bëj këtë se nuk je i zoti!”. Ndodh edhe që të afërmit bëjnë krahasime të tipit “Ti nuk di aq sa motra jote”…ose “nuk je aq i zoti sa shokët e tu”, etj. Atëherë fëmija nuk e ndjen veten në lartësinë e pritshmërive të ambientit përreth. Dhe përsëritja e këtyre situatave mund të çojë që fëmija të mos guxojë më të bëjë ndonjë gjë nga frika e dështimit ose e mosmiratimit. Dhe të mos tentosh më, do të thotë gjithashtu edhe të mos jetosh më eksperienca që mund të rrisin vlerësimin për veten.

Si ta përmirësosh? – Çdo person mund të vendosi të ndryshojë dhe të bëhet aktor në ndërtimin e një vetëvlerësimi më të drejtë për veten. Disa mund të kenë nevojë për ndihmën e një specialisti. Gjithsesi, të ndërtosh një vetëvlerësim të mirë për veten, nuk bëhet me shkop magjik. Ka të bëjë me sfida të vogla të përditshmërisë që të bëjnë të ecësh përpara, dhe ndonjëherë edhe pas. E rëndësishme është të jesh në rrugë. Duke qenë në aksion mund të mblidhen fitore të vogla që pak nga pak na japin besim në vetvete.

Pikësëpari duhet të gjesh paqen me veten. Ta pranosh veten ashtu siç je. Lista e të metave që gjejmë te vetja mund të jetë e gjatë, e ndonjëherë këto anë negative shumëfishohen aq shumë në sytë tanë saqë harrojmë anët tona pozitive.

Kështu që duhet filluar nga njohja e vetes dhe ta pranosh atë plotësisht, me të gjitha cilësitë dhe të metat.

Pasi kemi mësuar pranimin e vetes, hapi tjetër është zhvillimi i vlerësimit për veten. Dhe për këtë nuk duhet t’i mendojmë vështirësitë apo dështimet si limite. Përkundrazi, çdo vështirësi duhet parë si e përkohshme dhe si një sfidë për t’u kapërcyer. Ka gjëra që mund të ndryshohen dhe duhet të gjejmë mjetet. Ashtu sikurse ka gjëra që nuk mund të ndryshohen dhe duhet të gjejmë mënyrat për t’i pranuar dhe për të jetuar me to.

Këshillë

Kur bën mirë diçka, përgëzoje veten, edhe pse nuk e ke bërë në mënyrë perfekte. Një zë i brendshëm sabotues do të tentojë gjithmonë të të tregojë gabimin e vogël që ke bërë që të të bindë që ke dështuar. Mos e dëgjo! Thuaji vetes që ai gabim nuk ishte i rëndë.

Qëllimi nuk është t’ia dalësh mbanë në gjithçka, por të përpiqesh dhe të bësh më të mirën e mundshme. E nëse mërzitesh se ke bërë një gabim, shënoje në një listë, kështu që herën tjetër kur të përpiqesh për diçka dhe t’i dalësh mbanë duke evituar këtë gabim, mund t’i vësh një vizë te lista e të vizatosh një
J
smile anash.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...