Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Anastas Janullatos, në një intervistë të dhënë për për CNN-in grekë, ka deklaruar se shtetet perëndimore kanë gabuar në strategjitë e tyre për të luftuar terrorizmin.
Sipas tij, kjo nuk është një betejë që fitohet vetëm me armë dhe municione, por një përballje që kërkon inteligjencë dhe përpjekje më të mëdha për të zhvilluar kulturën dhe edukimin.
“Unë do t’iu them diçka vërtet provokuese. Kam përshtypjen se Perëndimi nuk shqetësohet shumë për padrejtësitë dhe se ku mund t’i dërgojë popujt varfëria”, u shpreh Janullatos.
Kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare thotë se evropianët duke snobuar krishterimin kanë lënë një boshllëk të madh, të cilin përpiqen ta shfrytëzojnë interpretuesit e islamit për të ndërfutur elemente të tjera. Ai flet për një luftë globale asimetrike.
Kryepeshkopi Janullatos shkoi edhe më tej duke thënë se ndonjëherë kanë qenë vetë fuqitë e mëdha që për shkak të interesave të tyre të ngushta kanë kryer veprime të dëmshme për shoqërinë. Ai solli si shembull armatimet e grupeve rebele si dhe tregtinë e jashtëligjshme të naftës me militantët e Shteit Islamik.
Në mbyllje, Janullatos nënvizoi se shoqëria duhet të jetë autokritike dhe të shohë se ku ka gabuar.
“Ka studiues të Islamit që theksojnë dimensione të tjera. Ne jemi përballë një problemi kompleks global. Terrorizmi nuk luftohet vetë me raketa dhe aeroplanë, është një luftë ideologjike. Ne nuk kemi kuptuar se jemi tashmë në një tjetër luftë botërorë asimetrike që asnjë shkollë ushtarake nuk e kishte parashikuar. Gjithë ata që gjejnë armë, kush ua jep? Nuk janë fuqitë e mëdha që nxjerrin fitime? Të gjithë ata që blejnë naftën e xhihadistëve nga e kanë origjinën? Ndonjëherë ne duhet të kemi kurajën për vetëkontroll dhe autokritikë. Faj kanë të gjitha shoqëritë… Nëse nuk merremi me varfërinë nuk mund të përballosh këto situata. Dhuna më e madhe është të jesh në varfëri…”, u shpreh më tej Janullatos.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












