Ekonomia do të kërkojë kohë për tu rimëkëmbur pavarësisht rritjes 3.4% të parashikuar nga qeveria për vitin e ardhshëm.
Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, ku analizohet ecuria e ekonomisë theksohet se hendeku negativ i prodhimit parashikohet të mbyllet gradualisht përgjatë vitit në vijim, duke kaluar në kahun pozitiv vetëm në fillim të 2017, vit që korrespondon me zgjedhjet e përgjithshme.
“Ecuria ende e dobët e ekonomisë dhe tregjeve financiare europiane, pasiguria e shfaqur nga agjentët ekonomikë në vend dhe problemet që vazhdojnë të karakterizojnë rritjen e kreditimit kanë sjellë një rishikim të lehtë për poshtë të ritmeve të pritura ekonomike për vitin 2016. Për rrjedhojë, parashikimet tona për kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv janë shtyrë lehtësisht në kohë”, thuhet në raporin e Bankës së Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë parashikon një ecuri të ngadaltë të ekonomisë në gjashtë mujorin e parë të 2016.
Problemet që kanë shoqëruar ekonominë tonë vitet e fundit si kreditimi anemik, konsumi dhe investimet private të dobëta, pasiguritë e agjentëve ekonomikë, pritet të ndihen edhe vitin e ardhshëm duke ngritur pikëpyetje të forta mbi burimet e rritjes ekonomike të parashikuara nga qeveria në 3.4%, ndjeshëm më të larta se rritja 2.7% që pritet këtë vit sipas skenarit pozitiv.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












