Persida Asllani: Perse “Vrima” fitoi çmimin “Lumo Skëndo”

Shares

Drejtoresha e Bibliotekës Shqiptare, Persida Asllani ka shpjeguar sot në një intervistë në Panorama, rrethanat e dhënies së çmimit të “Lumo Skëndo” librit me poezi erotike “Vrima”.

Ajo tregon arsyet e vlerësimit të librit që ka ngjallur shumë diskutime, historinë e këtij çmimi dhe kriteret për marrjen e tij.

Mbi c’kritere zgjidhet çmimi “Lumo Skëndo”?

Në vitin 2006, Ministria e Kulturës e ministri i saj Bujar Leskaj, në bashkëpunim me BKSH-në, konceptuan Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë “Lumo Skendo”, si çmimi i vetëm që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Botimet e përzgjedhura për vlerësim do të çmoheshin në bazë kriteresh teknike, estetike dhe legale me përparësi cilësinë e tyre. Kjo nënkupton pra se botimi, objekt i këtij çmimi, duhet të ketë paraqitje me vlera estetike të tilla që ta klasifikojnë atë si një botim të mirëfilltë bibliofilik. Elemente vlerësues quhen kryesisht: lexueshmëria pamore; paraqitja grafike cilësore; letra cilësore; libërlidhja cilësore; dëftues të tjerë sipas specifikës së botimit (ilustrime të realizuara etj.), nëse ka. Botimi që vlerësohet me çmim duhet të dallohet për kulturë të lartë botuese, të shquhet për punë të kujdesshme redaktoriale, respektim të normave drejtshkrimore, minimum gabimesh shtypi etj. Në vitin 2013 ky çmim nga ana Ministrisë së Kulturës dhe ministres Kumbaro iu besua krejtësisht Bibliotekës Kombëtare (BKSH), duke e nderuar atë si institucionin që e menaxhon dhe e akordon si çmim. Duke përzgjedhur kremtimet e 95-vjetorit, BKSH përmes Këshillit të vet Shkencor, që përfaqëson njëkohësisht edhe Jurinë e Çmimit, vlerësoi me këtë çmim dy shtëpi botuese, pra jo autorë por botues, për vitet respektive 2013 dhe 2014.

Ka një shpërblim monetar?

Jo. Duke filluar nga edicioni i vitit 2013 e në vijim, nuk ka më shpërblim monetar, por mbetet në thelb një vlerësim stimulues për editorinë shqiptare. Sepse në thelb, bibliofil do të thotë “dashnor i librit” dhe siç e dinë tashmë të gjithë, “dashuria nuk blihet me para”

Ju jeni drejtore e Bibliotekës Kombëtare, që përgjigjet për këtë çmim, nga ky pozicion, pse libri i Rita Petros e meritonte çmimin “Lumo Skëndo”.

Pse libri i Rita Petros e meriton çmimin “Lumo Skëndo”?

Kësaj pyetjeje po i përgjigjem si kryetare e Këshillit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare, njëkohësisht edhe Juri e këtij çmimi, duke ju përcjellë edhe një herë motivacionin e të dy fituesve për vitet respektive 2013 dhe 2014:Cmimi Kombëtar i Bibliofilisë- Lumo Skëndo 2013: Shtëpisë Botuese “PRINCI”, për botimin studimor të kompozuar Trilogjia Albanika të autorit Arshi Pipa si një botim që harmonizon vlera të çmuara intelektuale, estetike e bibliofilike, duke pasuruar me hijeshi e dije Bibliotekën Albanologjike. Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë- Lumo Skëndo 2014: Shtëpisë Botuese “ALBAS”, për botimin bibliofilik me poema, “Vrima”, të autores Rita Petro, si një botim elegant që harmonizon konceptualen e imazhit dhe artin e poezisë me provokimin estetik, duke pasuruar shijen bibliofilike të leximit.

C’i sjell ky libër letërsisë shqipe?

Një ligjërim të ri, por edhe femëror mbi erosin si një nga dy përmasat arketipale të njerëzores, strukturuar në boshtin e përjetshëm eros-thanatos (pra vdekje). Në nivel të figuracionit, letërsia shqipe po e flak më në fund figuracionin dekorativ, thuajse tashmë klishe të ligjërimit mbi erosin dhe vdekjen, për t’iu afruar edhe me këtë libër një ligjërimi specifik të pranishëm në poetikat europiane, së paku qysh prej viteve 1960.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...