Shyqyri Çoku
Po lexoja sot intervistën e ish oficerit Shyqyri Çoku dhënë shtypit të përditshëm. U habita sesi mohonte se ka qenë oficer i Sigurimit të Shtetit. Deklaronte se ka qenë vetëm pjesë e strukturave të policisë. Është e vërtetë se nuk ka qenë ky hetuesi i Sami Repishtit, pasi i tillë ka qenë Fadil Kapisyzi, por të dhënat e tjera nuk ishin të sakta. Karriera ushtarake e Çokut është e ndarë në këtë mënyrë:
-21 vjet oficer Policie.
-8 vjet oficer e drejtues Sigurimi.
-9 vjet oficer e drejtues Hetuesie.

“Krimet politike” si agjitacioni e propaganda, arratisja, diversioni, etj, i hetonte vetëm Sigurimi i Shtetit, e pas vitit 1974 edhe hetuesia. Asnjëherë policia nuk merrej me “krime” të tilla. Kur është hetuar çështja e priftërinjve Zef Pllumi e Nikoll Mazreku, Shyqyri Çoku ka qenë hetuesi i Sigurimit të Shtetit, e për këtë meritë, u gradua shef i kësaj hetuesie. Në tërësi ai ka qenë 17 vjet hetues, e për këtë arsye ka numër të lartë procesesh politike.

Në vitin 1939 Çoku ka qenë veçse 10 vjeç. Gjatë luftës, ka qenë pemëshitës i ushtarëve italianë dhe duhanshitës i ushtarëve gjermanë. Në maj 1944, pra gati në mbarim të luftës, del partizan në moshën 15 vjeçare me batalionin “Perlat Rexhepi”. Me yll të kuq në ballë, me idealin e “një bote të re” ka qenë pjesë e formacioneve komuniste që në këtë kohë ishin nën urdhrat e Miladin Popoviçit e Velimir Stojniçit.
(Bashkëlidhur një vlerësim pozitiv për personin në fjalë kur ishte oficer i Sigurimit të Shtetit).
* Studiuesi Kastriot Dervishi ka qenë drejtor i Arkivës së Ministrisë së Brendshme
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












