Bunkeri i shembur te ministria, amerikanët i bëjnë analizën

Shares

Profesore Lori Amy e Universitetit Jugor të Xhorxhias, thotë se në Shqipëri, kujtesa për krimet e komunizmit po shtypet në mënyrë brutale. Në një intervistë për Zërin e Amerikës me gazetarin Ilir Ikonomi, Profesore Amy, e cila po bën një studim për traumat e komunizmit dhe tranzicionit në Shqipëri, komentoi edhe për bunkerin në qendër të Tiranës, që është bërë burim polemikash të ashpra. Ajo tha se një bunker nuk mund të shërbejë si simbol i identitetit kombëtar apo si vlerë për popullin.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për bunkerin që qeveria po ndërton në qendër të Tiranës. Në pikëpamje psikologjike, çfarë sinjali dërgon ai bunker për njerëzit që vuajtën nën komunizëm? Përse duhej që qeveria të ndërtonte një bunker të tillë?

Prof. Lori Amy: Për mendimin tim, ka një kufi përtej të cilit askush nuk dëshiron të ndihet i turpëruar për historinë e vet. Në një farë mënyre unë e shoh atë bunker si një përpjekje për konvertim, pra nëse kemi patur diçka që e shihnim si shenjë të turpit, atëherë le ta konvertojmë atë simbol në burim krenarie. Por si mundet që bunkeri, i cili deri në vitin 1991 ishte simbol i…

Zëri i Amerikës: A mundet që një bunker të jetë krenari për shqiptarët?

Prof. Lori Amy: Pikërisht. Si mundet që ai të konvertohet në simbol të identitetit kombëtar, pra në një mënyrë që të kthehet në vlerë për popullin? Dhe këtu ne nuk flasim thjesht për njerëzit që u burgosën ose që jetuan në kampe internimi. Këtu po flasim për një vend të tërë, i cili deri në vitin 1991 bënte manovra ushtarake për të mposhtur imperializmin. Këta bunkerë ishin pjesë e jetës së përditshme, që krijonin paranojën se “ne do ta mposhtim armikun”. Këtë simbolizonin bunkerët për të gjithë vendin.

Zëri i Amerikës: A mund të shihet ky bunker si vepër arti?

Prof. Lori Amy: Fashizmi prodhoi vepra të bukura arti, por që ishin të dhunshme, si pjesë e një ideologjie që përjetësonte dhunën. Nëse kjo është një vepër arti, përsëri pyetja që shtrohet është: Çfarë kuptimi ka dhe çfarë simbolizon ajo? Mendoni se si u ndërtuan ata bunkerë. Ata u ndërtuan në kohën kur vendi nuk kishte bukë të hante. Është çmenduri kur e mendon. Deri në vitin 1991 njerëzit stërviteshin në këta bunkerë kundër armiqve, që, sidoqoftë, nuk mund të mposhteshin dot me kallashnikovë të vjetër në struktura betoni.

Zëri i Amerikës: Nga një pikëpamje praktike qeveria mund t’i kishte shpenzuar paratë e ndërtimit të bunkerit për diçka tjetër me vlerë…

Prof. Lori Amy: Për shembull, Shqipëria ka një trashëgimi të pasur arkitekturore dhe arkeologjike. Ka kaq shumë gjëra vërtet me vlerë që mund t’i sjellin dinjitet vendit. Por çfarë po ndodh? Këto gjëra po shkatërrohen. Po shkatërrohet trashëgimia dhe çdo gjë tjetër që ka vlerë të vërtetë, që mund ta ngrejë vendin drejt një të ardhmeje, e cila përputhet me dinjitetin e tij. E ndërkohë shihni me çfarë merremi!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...