Opozita është në limitet e fundit kohore, të nisjes së protestës së paralajmëruar prej saj, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryeministri Edi Rama, gjenden së bashku në të njëjtin ambient, në Konferencën ndërkombëtare “Shqipëria dhe Europa, 25 vite nga rënia e komunizmit”, organizuar nga Presidentit Bujar Nishani, me rastin e 8 dhjetorit.
Në këtë konferencë, Berisha ka vlerësuar si historike këtë ditë, pasi shënoi rrëzimin e perdes së hekurt, hapjen e vendit dhe lirinë për qytetarët, aq shumë të munguar.
Nuk ka munguar nga ana e Berishës edhe përshkrimi i tij për gjendjen dëshpëruese të vendit, për të cilën ka garantuar angazhimin e plotë të tij dhe opozitës “për të nxjerrë Shqipërinë nga kjo spirale që po e çon drejt honeve”.
Sipas Berishës, nëse në diktaturë, armiku ishte Enver Hoxha dhe ideologjia, sot dy janë armiqtë; korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, teksa bëri një rikthim në kohën e regjimit komunist, theksoi se disa vende e kapën më shpejt ‘trenin’ e BE-së.
Ai shtoi më tej se për Shqipërinë ngelet sfidë integrimi i shtetit.
Në konferencën e organizuar nga Kreu i Shtetit në 25-vjetorin e rënies së komunizmit dhe Lëvizjes së Dhjetorit marrin pjesë një sërë personalitetesh, diplomatë dhe politikanë të huaj, si europarlamentarja Doris Pack, ish-presidenti kroat Stipe Mesiç, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në konferencë është paraqitur një video-mesazh nga kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ka thënë se Shqipëria çon impulse për bashkëpunim në rajon.
“Bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë, i frytshëm”, ka thënë Merkel.
Po kështu ka pasur edhe një video-mesazh nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ka vlerësuar hapat e bërë nga Shqipëria në integrimin euro-atlantik.
“Ky tranzicion u drejtua nga udhëheqës kurajoz. Me rendësi të shohësh hapat e bëra nga Shqipëria. Shqipëria, hapa përpara në integrimin euroatlantik. SHBA vlerëson miqësinë e ngrohtë me Shqipërinë”, ka thënë Kerry.
Nuk ka munguar në këtë konferencë edhe mesazhi i Papa Françeskut.
“Përpjekje për përparim në zhvillimin shoqëror”, ka thënë Ati i Shenjtë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












