ARTAN FUGA/Kur u anulua goli që i bëmë Gjermanisë

Shares

Aty nga mesi i viteve ’70, ishim studentë në aksion. Ndërtohej hekurudha Elbasan – Pogradec. Pasditeve vinin edhe persona që bënin biseda me ne aksionistët, ndonjë këngëtar, ndonjë grup i vogël artistik, etj.

Një ditë erdhi Ai, komentatori i madh i ndeshjeve të futbollit. Na foli për sportin. E donim të gjithë për pasionin, ngjyrat dhe gjallërinë që i jepte transmetimit të ndeshjeve të futbollit në radio.

Aty nga fundi i takimit dikush i bëri pyetjen më të çuditshme në botë : A mund të na transmetosh përsëri ndeshjen Shqipëri – Gjermani?

Ndeshja ishte bërë vite më parë. Ai e kishte transmetuar në radio. Kishte bërë bujë sepse kishte dalë barazim, madje Gjinali, mbrojtësi ynë i djathtë, kishte shënuar një gol në portën gjermane që arbitri nuk e kishte quajtur. Padrejtësi e pastër. Ndoshta edhe arbitri nuk i besonte syve sesi një skuadër si Shqipëria mund të mundte Gjermaninë Federale.

Posi – tha komentatori i Madh dhe sytë i ndritën. E mbante mend në imagjinatë ndeshjen. Atëhere pak kishte televizora. Dhe ja nisi :

Tooooopin e ka Netzer. Eeeeecën përparaaaaaa, ja kalooooon maaaaajtas Fëler që lëshon topin paralel me vijën anësoooooore, tërhiqet me gjithë top, dhe e kaloooon afër teeeeee Myyyyyyler i ardhur në ndihmë të tij, ky ja pasoooooon Bekenbauerit, i cili endet me top dhe kërkon të gjejë një zonë të lirë për shokët e skuadrës të tij.

Ne dëgjonim komentatorin dhe pse ishim gjithë ditën të lodhur nga puna. Punë skllevërish.

Ai vazhdoi : Ja përsëri Myleeeeeeeeeeeer, ndërhyn mesfushori yyyyynë Vaaaaaso, nis me të shpejtë një top për Panon, ky pason majtas te Shllaku, i cili i ofron një top përballë portës gjermane Gjinalit, gjuaaaaaan Gjinaliiiiiiiiii, Gooooooool, gooooolllll, skuadra jonë shënoooooooon, e paaaaabueeeeeesueshmeeeeeee topi ka hyrë në portë pasi ka tronditur shtyllën gjermaneeeeeee, goooool, por, joooooo… arbitri bën me shenjë se nuk ka qenë gol, loja vazhdon, eeeeee paaaaaadrejtë, e paaaaaaadreeeeeeejtë…

Ne që ishim në sallë na dukej se po shihnim ndeshjen që nuk e kishim parë : Gooooool – bërtitëm, të gjithë në këmbë, po përqafoheshim pas disa vitesh për golin që ishte bërë kohë më parë, në një ditë dimri. Goooooooool!

Dhe pastaj kur komentatori theksoi se arbitri e anulloi golin, nisëm të shajmë : O arbitro o qeeeeeen, o maskaaaaaara, o piiiiiiiiiiis, pthuuuuuuu, o i shitur, hajde futemi në fuuuuuushë, jo, jo, goooooool, o qeeeeeeeen!

Bërtitëm si të çmenduar nja pesë minuta dhe pastaj pamë në sy njeri tjetrin.

Mjeshtri Ismet Bellova, Komentatori i Madh, ishte ulur në karrigen në presidium, kishte heshtur, dhe po na shihte si i hutuar. Nuk kuptonte se na kishte eksituar.

Pushuam menjëherë, u ulëm të ngjirur në stolat tanë dhe buzëqeshëm.

Kishim dashur të shfrynim kundër një padrejtësie. Kot, pa emër, e vjetër, por donim, një pretekst të shfrynim.

Dikush nga ne i dhuroi një shall aksioni.

U ndamë, ai për Tiranë, ne u nisëm për në mencë të hanim racionin e fasuleve, qepëve dhe të djathit kaçkavall, shoqëruar me çaj me shumë klor.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...