Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka shpjeguar edhe njëherë arsyet e protestës së madhe që pritet të zhvillohet më 8 dhjetor në një intervistë me gazetaren Merita Haklaj. Ndërkohë Basha ka dhënë përgjigje lidhur me verëjtjet e Eduard Selamit dhe nëse ka ëmundësi për një koalicion me të majtën e Metës nëse bëhen zgjedhje të parakohshme.
Pyetje: Z.Basha doja të ndalesha tek 8 dhjetori, vazhdimisht, veçanërisht gjatë kësaj jave janë thirrur qytetarët e mbarë vendit të marrin pjesë në një marshim proteste, një marshim si një përballje pa kthim për të rrëzuar qeverinë, kështu jeni shprehur ju. Në fakt 8 dhjetori është një ditë simbolike, u nisët nga simbolika apo ishin pjekur kushtet për të arritur në këtë ditë. D.m.th do të mbahej një marshim edhe nëse nuk do të kishte një 8 dhjetor?
Basha: Unë mendoj se janë të dyja. Unë përfitoj nga rasti të bëj ftesë të gjithë qytetarëve shqiptar të bashkohen me 8 dhjetor njësoj si para 25 viteve, në një kauzë që na përbashkon pa dallime politike, për një Shqipëri të lirisë, për një Shqipëri të dinjitetit, për një demokraci që funksionon për këdo dhe jo vetëm për një grusht njerëzish dhe për një Shqipëri ku zhvillimi ekonomik nuk mbetet pasuri e oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me të. Ndërkohë që populli vuan për bukën e gojës, sipërmarrjet janëq në recension, profesionistë, intelektualë, akademikë, studentë ndodhen përballë rrebesheve të arbitraritetit qeveritar. Pra, është një thirrje e opozitës, po kështu është një përgjigje e opozitës, përgjigja e Partisë Demokratike, përgjigjja e Lulzim Bashës ndaj kërkesave të mijëra e mijëra qytetarëve që kam takuar këto muaj nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, të të gjitha moshave, profesioneve, të punësuar apo të papunë, që të kanalizojmë këtë frustrim të madh, këtë depresion ekonomik dhe psikologjik që ka shkaktuar qeveria “Rama” në një energji pozitive për të ndryshuar rrugën në të cilën ecën Shqipëria dhe padyshim ky ndryshim rruge nuk mund të vijë pa ndryshuar qeverinë.
Pyetje: Në fakt z.Basha flitet shumë për besim tek partitë politike. Teksa e drejtoni këtë thirrje ju a keni besim se populli ka arritur deri në pikën sa të ngrihet në një përballje pa kthim drejt qeverisë. Dua të kujtoj këtu 8 vitet e qeverisjes Berisha, pati plot protesta, por shkuan 8 vite, ndoshta nuk ishin protestat që e sollën PD në pushtet?
Basha: Ky është një krahasim që më mirë se unë e bëjnë vetë qytetarët. Gjendja sot mendoj se është e pakrahasueshme me çdo zhvillim tjetër paraprake të paktën të dekadës e fundit. Gjendja ekonomike flet vetë, investimi, kreditimi dhe si rezultat punësimi janë në pikiatë. Vetëm dy muajt e fundit 73 mijë njerëz kanë humbur vendet e punës për shkak të të ashtuquajturit aksion kundër informalitetit. Dhjetëra e mijëra kanë humbur ndihmën ekonomike, dhjetëra e mijëra fermerë janë privuar nga mundësia për të rritur produktet e tyre me kosto të arsyeshme dhe pastaj për t’i shitur ato pa një presion, pa dhunë, pa arbitraritet, në një treg që për të thënë fjalën e popullit, nuk ka pare, nuk ka lekë, e s’mund të ketë kur s’ka punësim, kur s’ka shpresë. Kjo është e vërteta e madhe e Shqipërisë, por ka edhe një të vërtetë të vogël. Ka një grup njerëzish në krye të vendit që po vënë pasuri përrallore, jo në një vit por në muaj, javë për javë, miliona euro para që u mblidhen shqiptarëve me kërbaç, me represion, me burg. Dhe në vend që të kthehen në investime, në politika punësimi për shqiptarët kthehen në luks të shfrenuar për oligarkët, për Edi Ramën dhe ministrat e tij. Ne i kemi denoncuar me fakte, shqiptarët e kanë ndjekur denoncimet tona, ata i prekin ditë për ditë problematikën që i shkakton krimi dhe korrupsioni në këtë qeverisë. Prandaj jam i bindur që kjo situatë siç është e paprecedentë, pa asnjë krahasim, po kështu do të gjejë përgjigje të paprecedentë nga populli, nga njerëzit, nga individët të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë të thonë fjalën e tyre, kanë nevojë që dufin që mbajnë brenda vetes së tyre ka kanalizojnë politikisht dhe opozita, Partia Demokratike ua jep këtë mundësi me 8 dhjetor.
Pyetje: Z. Basha supozojmë, e marrim të mirëqenë faktin se ajo që thoni nuk ka më hapësirë, nuk të përcjellë më asnjë sinjal shprese se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen. Po vetë PD së brendshmi është e përgatitur? Ju keni qenë edhe një proces analize këto kohë, ndërkohë që pritet edhe procesi i finalizimit dhe ndryshimit që pritet për riorganizimin e PD. Por ndërkohë ju jeni përballur herë pas here edhe me kritika së brendshmi, i keni dëgjuar në mbledhje grupi, në mbledhje kryesie, takime të ndryshme. Çfarë ndjen pas këtyre kritikave, si i përclllni ato, ju imponojnë ato qëndrimet tuaja, apo i kaloni në heshtje, ndërkohë ndiqni strategjinë tuaj që e keni të përcaktuar?
Basha: Padyshim strategjia është e përcaktuar, është një strategji e përcaktuar në një kolektiv vendimmarrje duke reflektuar mbi të gjitha për realitetin që ne prekim ditë për ditë, realitetin ku jetojnë shqiptarët, jo realiteti e zyrave. As zyrat e qeverisë, as zyrat e opozitës nuk tregojnë realitetin, realitetin e tregojnë qytetarët.
Padyshim që në këtë diskutim ka pikëpamje të ndryshme, ka mendime të ndryshme, ka kritika. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë i vëmendshëm dhe padyshim aty ku ka vend për konstruktivitet, për reflektim, jam nga ata drejtues, lider që reflektoj dhe përshtas strategjinë, mënyrën e veprimit me nevojën e kohës, me nevojën e ditës.
Por askush nuk mund të më mohojë se Partia Demokratike në këto muaj, ndonëse në këto dy vite të qeverisjes Rama, ndonëse gjendemi përballë një qeverie antiopozitare në veprim, një qeverie, e vetmja qeveri në Ballkan që ka krijuar ligjin antiopozitar për ti mbyllur gojën opozitës, prapë se prapë ka spikatur si opozita më denoncuese, si opozita për përballëse me zullumet e kësaj qeverie, si opozita që ja ka dalë që në këto dy vite të ndërgjegjësojë shqiptarët për rrezikun e madh, për kërcënimin e madh që paraqet kjo qeveri për demokracinë, për pasuritë publike për shkak të korrupsionit galopant dhe lidhjeve me krimin. Padyshim që këto denoncime jo vetëm kanë zënë vend tek qytetarët shqiptarë, por kanë zënë vend edhe tek figura të spikatura të mazhorancës, qartësisht sot me fjalorin e opozitës, me faktet e denoncuara nga opozita, po bëjnë sintezat e tyre, ndonëse në pikëpamjen time subjektive por që çojnë padiskutim në të njëjtin përfundim, qeveria e Edi Ramës jo vetëm që nuk ka arritur të ngjallë shpresë, por është sot problemi kryesor, problemi numër një në vend për sa i përket ekonomisë, punësimit, korrupsionit, krimit, demokracisë.
Nga ana tjetër nuk kemi folur vetëm kaq, kemi shpalosur dhe do të shpalosim alternativën tonë të lidhur nga nevoja dhe në padyshim nga nevoja e njerëzve sigurisht në përputhje me mënyrën se si i shohim ne zgjidhjet, me tabanin tonë politik, liria për të punuar, liria për të folur, liria për të tregtuar, liria për tu shprehur, liria për të bërë atë që bëjnë njerëzit e lirë pa pasur frikë se mund të dalë policia apo tatimori për të kërkuar në mënyrë të padrejtë, selektive dhe arbitrare atë që në fakt ka nevojë qytetarët.
Pas kësaj kemi një platformë solide për daljen e dhe nxjerrjen e vendit nga kriza, e cila ndonëse me vendimet e saj duket se ka frymëzuar edhe një kryeministër kopjac, prapë se prapë mbetet platforma e PD-së një zgjidhje që ne jemi gati ta vëmë një funksion të nxjerrjesh së vendit nga kriza në momentin e parë që shqiptarët do të na besojnë në një proces votimi të lirë dhe demokratik.
Pyetje: Pse nuk ia kanë mbushur syrit Eduart Selamit këto ?
Basha: Unë, siç e keni ndjekur nuk kam bërë asnjëherë komentuesin. Çdo kush ka mundësi të shprehë dhe të japë kontributin e vet pozitiv dhe konstruktiv brenda partie, këtu është detyra ime, pjesa tjetër mund të jetë detyra e juaj, e gazetarëve, e çdokujt tjetër. Unë nuk mund të shpenzoj asnjë sekondë, asnjë pikë energjie time apo të Partisë Demokratike në një debat i cili nuk fokusohet tek e keqja e madhe në vend që është korrupsioni, krimi i ngritur në sistem, hajdutëria masive dhe mizorja ekonomike që ka shkaktuar qeveria e Edi Ramës.
Pyetje: Ju u investuat në shtator në aferën e CEZ, përmes akuzave të forta ndaj Ilir Metës , aq sa LSI-ja aludonte për një pakt mes jush dhe Ramës kundër Ilir Metës. Ndërkohë që ditët e fundit nuk po shpreheni edhe shumë kundër Ilir Metës. Ka ndryshuar diçka, ju dhe Rama keni patur më frikë aleatin e vogël Ilir Meta?
Basha: Për ne të dy janë kundërshtar, secili ka pjesën e vet të zullumit në këtë keqqeverisje, ndaj secili ka pjesën e vet të përballjes me Partinë Demokratike. Nuk kemi bërë dhe nuk bëjmë kurrë kulisa apo intriga për t’i parë këta të dy veç e veç sepse bashkë janë në zullum, bashkë janë në pazare dhe bashkë duhet të jenë edhe në përballjen me përgjegjësitë e tyre. Padyshim që secili ka proporcionin e vet të zullumit dhe keqqeverisjes, secili ka proporcionin e vet të përgjegjësisë e vet të vjedhjeve së miliona euroshe që po u bën shqiptarëve dhe ka gjetur tek Partia Demokratike dhe Lulzim Basha secili prej tyre një kundërshtar të paepur që e katandisi Shqipërinë në dy vite në vendin më të depresuar ekonomikisht, politikisht dhe psikologjikisht në Ballkanin Perëndimor. Vendi i vetëm të cilin Bashkimi Europian refuzoi ti hapë edhe bisedimet për anëtarësim.
Pyetje: Ju jeni shprehur në intervista të ndryshme televizive, se kurdo të ketë zgjedhje se do ta lexoni qartë vullnetin e zgjedhësit për sa i përket aleancave. Keni folur edhe për përmirësim të sistemit, në konceptin tuaj, në mënyrë që vota e qytetarit të lexohet drejt dhe vullneti i tyre të përkthehet në opozitë apo qeverisje. Vazhdoni ti qëndroni faktit që PD dhe e djatha do të vijë në pushtet. Apo nuk përjashtoni mundësinë e bashkëpunimit edhe me eksponentë të së majtës?
Basha: Prioritet tona, prioritet e mija janë të qarta. Së pari, të mos i japim më kohë të keqes. projektbuxheti që kanë sjellë është prova më e qartë, prova më e qartë, është lopa në dhomën e ndenjes, siç i thonë, vetëm se është një lopë pa qumësht sepse qumështin ia kanë vjedhur. Do ti bie më shumë pensionistëve, arsimtarëve, të punësuarve, një kategorie të veçantë të cilët ia kanë 5-fishuar kontributin shoqëror, sipërmarrjes që i kanë vënë taksa të reja, siç është taksa mbi truallin, gjobat arbitrare, ku me një të tillë i marrin fitimin e dy viteve, tre viteve, katër viteve. Çfarë presim më? T’i japim më kohë të keqes apo jo? Kjo është pyetja që unë shtroj përpara çdo shqiptari dhe para çdo shqiptareje dhe nuk e shtroj vetëm teorikisht, e shtroj edhe në takimet e mia me ta. Dhe shoh që edhe ata e ndjejnë që nuk ka kohë më për të pritur. Prandaj 8 dhjetori nuk është më një thirrje për protestë është një pikë takimi i opozitës së vendit e PD-së, e imja, e qytetarëve shqiptar që presin një rrugëdalje nga kriza.
Pyetje: Ju vjen keq, për simbolikë që nuk jeni në seancën e ardhshme për të shtypur atë butonin jeshil për dekriminalizimin ?
Basha: Jo, aspak. Unë e kam udhëhequr këtë betejë si kryetar i Partisë Demokratike, së bashku me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe së bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe padyshim që votimi me konsensus i këtij ligji kurorëzon përpjekjet dhe një sfidë, një betejë të vërtetë të fituar jo thjesht nga unë apo nga PD, por jam i bindur janë të fituar dhe ndjehen dhe do të ndjehen të fituar të gjithë qytetarët shqiptar pa dallim politike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/













