Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj raportoi sot në Komisionin në Shëndetësisë në lidhje me shkurtimet në spitalet në rrethe. Justifikimet e ministrit u bënë më se një herë objekt kritikash edhe nga deputetët e mazhorancës.
Ndërkohë që deputetja e PD-së Albana Vokshi e akuzoi ministrin Beqaj për largimin nga puna, në sistemin e shëndetësisë, të 600 personave, ndërsa vetë është duke ndërtuar një vilë në Peruxhia të Italisë.
“Mos mashtroni zoti ministër, pasi janë 600 familje që po u hiqni bukën e gojës. Gjeta kodin e punës. Ata kanë mbi 20 vite pune dhe rrezikojnë të marrin dhe pensionin. Jam e sigurt që këto lekë do venë për tendera si ai që i dhatë mikut tuaj për Sterilizimin. A kanë lidhje këto fonde që po shkurtohen me një shtëpi që po ndërtohet në Peruxhia”, denoncoi deputetja e PD-së Albana Vokshi.
Kundër shkurtimeve të personelit mjekësor ishte edhe deputeti i LSI, Petrit Vasili, i cili tha është një hap i nxituar, pasi është sektori më i gabuar për shkurtime.
“I vetmi kompromis që nuk e kam bërë dot kur isha ministër, ishte të hiqja personel”, tha Vasili.
Ndërkohë, edhe më i ashpër ishte deputeti tjetër i LSI-së, Vangjel Tavo, i cili e akuzoi ministrin Beqaj, se ka urdhëruar nisjen e shkurtimeve nëpër spitale dhe shumë më vonë ka dërguar më pas edhe kriteret për këto shkurtime.
Duke ju referuar një mesazhi, të mbërritur atij dhe që e publikoi në komision, Vangjel Tavo, citoi se, “Struktura ka ardhur që në fillim të tetorit, ndërkohë ne kemi filluar menjëherë procedurat (aty nuk kishte kritere)… Mbasi ne kemi përfunduar me njoftimet dhe me procedurat ligjore, më datën 17 nëntor na vjen një urdhër i dytë me kritere ndërkohë që urdhri i parë thotë të merren masat e menjëhershme dhe nuk na kishin vënë në dispozicion ndonjë kriter”, ishte mesazhi që lexoi Tavo.
Pas kësaj, deputeti i LSI-së Tavo e akuzoi Beqajn edhe për presion ndaj drejtuesve të spitaleve, për largim selektiv nga puna, në bazë të bindjeve politike.
“Po bëj presion ndaj vartëseve të tu unë zoti Ministër?! E keni shumë gabim që po thoni këtë gjë, dhe po bëni shumë gabim që po e dërgoni sepse ju ankohet një deputet apo një tjetër. Ju zoti ministër duhet të kuptoni pozicionin e vështirë të çdo drejtuesi spitali kur i çoni 60 shkurtime. Ju duhet ta kuptoni këtë, prandaj jo vetëm…ju po i bëni presion duke i çuar kontrollin dhe duke i thënë mos shkarko këtë se është i joni dhe shkarko atë tjetrin”, vijoi denoncimin e tij, deputeti i LSI-së Vangjel Tavo.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/











