Kathleen Imholz: Drafti për drejtësinë? Ujku mjegull do

Shares

Drejtësia shqiptare ka shumë korrupsion, pak profesionalizëm dhe nepotizëm dhe këto tre fjalë të bëjnë të kuptosh më së miri mendimin e znj. Kathleen Imholz për sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Imholz është ndër ekspertet e huaja nga SHBA që punon në Tiranë prej shumë vitesh në përbërje të misioneve të ndryshme për drejtësinë nga vendet perëndimore. Aktualisht ajo është e atashuar tek një zyrë juridike me emër në Tiranë por po ashtu e përfshirë në të gjitha zhvillimet e drejtësisë.

– Nëse do t’ju bënim një pyetje thjesht teknike për të deshifruar malin që quhet Reformë në Drejtësi: Nga do t’ja fillonit ju personalisht reformën dhe nga mund të fillohet?

Kam marrë pjesë në Reformën në Drejtësi, në njëfarë mënyre dhe e ndjek me vëmendje. E vlerësoj punën e bërë, deri më tani, por personalisht dhe teknikisht, do ta filloja “reformën” pak ndryshe, apo siç e thoni ju shqiptarët: “Ujku mjegull do!”. Paketa që kam parë është voluminoze dhe vështirë të besohet se në rastin më të mirë do të jetë efikase dhe e menaxhueshme. Nuk do përmend faktin këtu se opozita ka një sërë kundërshtimesh, të cilat e vështirësojnë edhe më shumë procesin.

Jam në dijeni dhe e kuptoj se qasja e komisionit parlamentar ka qenë e duhur, pa përfshirë këtu procesin e “ekspertëve” vendas, si dhe të organizatave ndërkombëtare (OSBE, OPDAT, EURALIUS, Komisioni i Venecias etj.,), por me gjithë avantazhet e kësaj qasjeje, ajo krijon një produkt të “mjegullt”. Kur merremi me diçka, që ka aq shumë rëndësi për popullin shqiptar, jo vetëm që nevojiten thjeshtësi dhe qartësi, por edhe drejtimi nga përfaqësuesit e popullit, domethënë, qeveria, duhet të jetë i duhuri.

Përfituesi kryesor i “reformës” duhet të jetë patjetër populli shqiptar, i zhgënjyer nga drejtësia, e cila që nga fillimi i tranzicionit ka sjellë probleme. Ndaj, kënaqësia e Brukselit, si dhe miratimi i organizatave ndërkombëtare, nuk ka asnjë lidhje me këtë.

– Por, a mundet që me këtë nivel korrupsioni dhe degjenerimi që ka drejtësia shqiptare t’ia dalë Reforma në Drejtësi?

Nuk mund të mohohet se ka shumë korrupsion dhe mungesë profesionalizmi, si dhe nepotizëm, “akrobacillëk”, klientelizëm dhe pandershmëri në sistemin e drejtësisë (por e shmang fjalën tuaj “degjenerim”, e cila më duket shumë emocionale dhe jo e saktë). Por, në qoftë se vetëm Parlamenti miraton një seri të gjatë (dhe të mjegullt) ndryshimesh të ligjeve, si dhe Kushtetutës, me ose pa referendum popullor, asgjë nuk do të ndryshojë ose do të ndryshojë për të keqen (duhet koha e nevojshme për ndryshimet dhe institucione të reja).

Edhe me një ligj dhe nene kushtetuese të reja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mbetet një organ pa efekt ose me efekt negativ, në qoftë se anëtarët – po cilët do të jenë ata – nuk do të veprojnë me ndërgjegje. Atëherë si mund të arrihet ky ndryshim sjelljeje?

Nuk e di – por e di që koha e harxhuar me ndryshime nenesh, ligjesh, Kushtetute është kohë pothuajse e humbur.

Në mbyllje, dua të shprehem se polarizimi (qeveria, gjyqësori dhe aktorët e tjerë të drejtësisë) nuk më duket efikas në asnjë masë. Le të marrim dhe le të bashkëpunojmë me ata njerëz – gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj., – të cilët duan një sistem më të mirë, më të ndershëm, më profesionist. Mund të jenë pak, por ekzistojnë. Pa ata, ndryshimi është i pamundur; “reforma” do të mbetet në letër.rd

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...