Drejtësia penale është vënë në fokus të konsultimeve për ndryshimet kushtetuese. Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë, u zhvillua Konsultimi publik për “Ndryshimet Kushtetuese-Drejtësia Penale”.
Pas realizimit me sukses të tryezës së parë, në të cilën u shtjelluam në detaje teknike ndryshimet kushtetuese në sistemin gjyqësor, sot u trajtuan në nivel teknik ndryshimet kushtetuese që prekin dhe riformatojnë institucionet e drejtësisë penale.
Ndër institucionet e drejtësisë, objekt diskutimi ishte sot prokuroria, organizimi i saj si edhe zgjedhja e kryeprokurorit. Nga diskutimet e sotme, ajo që pritet të ndodhë, është se kryeprokuroi aktual Adriatik Llalla, e mbyll mandatin e tij dhe pritet që vendin e tij ta zërë një emër tjetër.
Në këtë kontekst, Koraljka Bumçi, eksperte e Misionit Euralius IV dhe eksperte dhe në grupin e drejtësisë penale, sqaroi mënyrën se si është konceptuar nga ekspertët emërimi dhe kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në fjalën e saj, Koraljka Bumçi tha se Prokurori i Përgjithshëm është menduar të zgjidhet midis juristëve më të kualifikuar, me të paktën 15 vjet eksperiencë profesionale, moral të lartë dhe integritet profesional, i diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës ose diplomë në drejtësi në nivel master ose më lart, të mos jetë dënuar për kryerjen e një vepre penale dhe të mos ketë post politik në një parti politike për të paktën 10 vitet e fundit.
“Është propozuar që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm të zgjatet nga 5 deri në 9 vjet afat. Me zgjatjen e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe pa mundësi të riemërimit, do të ketë një kredibilitet dhe pavarësi më të madhe, pasi ai nuk do të jetë në varësi të një opsioni politik. Pasi ai nuk do të ketë të drejtë të riemërohen, ai do të ketë ndikim më pak politik në ushtrimin e detyrës së tij”, tha Koraljka Bumçi.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin gjyqtarë, grupet e interesit, avokatë, pedagogë të së drejtës të universiteteve publike dhe private, shoqëri civile, institucione të fushës, grupet parlamentare si edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.
Drejtoresha e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Katrin Treska tha se prania e ekspertëve të këtyre misioneve ndërkombëtare, është një garanci më shumë për një reformë transparente, gjithëpërfshirëse, efektive në sistemin e drejtësisë.
Më pas, vendi iu la diskutimeve dhe pyetjeve të të pranishmëve në këtë tryezë, të cilat u përqendruan kryesisht në tematikat e prezantuara gjatë konsultimit. Ato u mbajtën shënim nga organizatorët, për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë në vijim.
Në përmbyllje të takimit, Jon Smibert, Këshilltar ligjor rezident i OPDAT relatoi dhe konkluzionet e kësaj tryeze diskutimi.
Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.
Ambasadori amerikan Donal Lu: Katër etapat e reformës
Duke folur në këtë tryezë të konsultimi publik, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu theksoi se ekspertët ndërkombëtarë janë mbështetur në katër etapa për këtë reformë.
“Ekspertë amerikanë dhe europianë kanë punuar shumë për të hartuar një paketë reforme që do të rezultojë më shumë ndjekje penale të krimeve të rënda. Ekspertët ndërkombëtarë kanë pasur parasysh 4 qëllime: Adresimi i korrupsionit dhe ndikimi politik; Të parandalojnë gjykatësit e prokurorët të mbrojnë gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe të paaftë; Të shmanget kapja politike nga cilado parti; Të sigurohet që sistemi i ri është në përputhje me standardet ndërkombëtare. Unë besoj se kjo reformë i përmbush këto katër qëllime”, theksoi ambasadori Lu.
Duke vijuar fjalën e tij, ambasadori i SHBA-ve theksoi se shpreson se me një reformë në sistemin e drejtësisë Shqipëria do të jetë një vend më i sigurt.
“Së fundmi kam kuptuar se disa persona u thuhet se çfarë duhet të thonë ose më keq akoma se çfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë më kujton të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhme demokratike. Ky është sistemi juaj i drejtësisë, kini kurajën që të flisni atë që mendoni dhe mos përsërisni çfarëdo gjëje që u kanë thënë. Mos u trembni nga këta të pafytyrë! Shpresoj që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt dhe me shumë kriminelë në burgje”, përfundoi ambasadori amerikan.
Eksperti i PD, Gazmend Bardhi: Reforma të bazohet në tre shtylla kryesore
Eksperti i Partisë Demokratike në Komisionin e Posaçëm parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Gazmend Bardhi theksoi se reforma në drejtësi duhet të bëhet por duke u bazuar në disa parime.
“Është e panevojshme që ne të ripërsërisim qëndrimin tonë, se Reforma në Drejtësi duhet të bëhet! Po, duhet të bëhet bazuar në tre shtylla kryesore: luftë ndaj korrupsionit dhe rritje e eficencës së sistemit; luftë ndaj kooperativizmit dhe përgjegjshmëri; si dhe garantimi i pavarësisë dhe mosndërhyrjeve politike. Për këtë nuk ka asnjë diskutim dhe besoj se çdokush në këtë sallë bie dakord. Mënyra sesi ka funksionuar deri më sot drejtësia penale në Shqipëri, ka vend jo vetëm për përmirësime, por për një reformë të thellë. Ne duam t’i jepet fund katrahurës së influencave politike dhe korruptive, që bëjnë të pamundur ndjekjen penale ndaj organizatave të rrezikshme kriminale dhe ndaj funksionarëve të lartë politik”, u shpreh Bardhi.
Zëvendësdrejtuesi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Henrik Ligori: Organizimi dhe kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokuroisë
Për të folur për përbërjen dhe kompetencat e atij që në amendamentet kushtetuese është quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ishte i pranishëm Henrik Ligori, Zëvendësdrejtues në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe ekspert i grupit për drejtësinë penale.
Ligori sqaroi se pse zyra e Prokurorisë SPAK duhej organizuar ne nivel kushtetues.
“Garancia e qëndrueshmërisë përballë një pushteti të fortë politik dhe një traditë të ndryshimit të shpeshtë të ligjeve të organizimit gjyqësor. Krijimi i SPAK-ut me ligj mund të përcillte idenë se ‘përderisa është krijuar me ligj edhe mund të ç’bëhet me ligj’. Pra, sërish, ideja e qëndrueshmërisë. Me ligj, nuk do të ishte e pamundur t’u kërkoje prokurorëve të pranonin të kontrolloheshin periodikisht, edhe në privatësinë e komunikimeve; kushtetueshmërisht besohet si një zgjidhje më e zgjuar”, tha Ligori.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












