Jamarbër Malltezi, kreu i Departamentit për Ambientin, Pyjet dhe Turizmin i Partisë Demokratike, në një intervistë të gazetarit Ilir Sinanaj, për “ResPublica.al”, akuzon zyrtarë të lartë të qeverisë, duke argumentuar sipas tij paaftësinë e tyre dhe mungesën e qartësisë në punët e ndërmarra. Duke folur për lejet ndërtimore, Malltezi akuzon kryeministrin për klientelizëm.
“Klientelizmi dhe korrupsioni po hanë mushkëritë tona. Është e turpshme që niset procedim penal për një hallexhi që ndërton një tendë provizore në verandën e shtëpisë së vet, por nuk guxon të flasë asnjë institucion për obeliskun e antiligjit që janë sarajet e Koços në bregun e Qeparoit që dhunojnë njëherësh 10 ligje dhe 2 plane urbanistike. Është e turpshme që ndërtuesi i sarajave të Edi Ramës, Adrian Nela, për kontributin e tij te Surreli po paguhet me mushkëritë tona duke e lejuar të ndërtojë 2 palë saraje mu mes Parkut të Liqenit në Tiranë dhe shteti i korruptuar nuk vepron ndonëse ka një vendim për prishje nga INUV-i qysh në 2014-n”, shprehet Malltezi.
Monopolizimi i lejeve të ndërtimit në duart e kryeministrit, për maltezin është tregues se kush do të vjelë paratë e ryshfeteve.
“Është trishtuese që vendimet e qeverisë dalin sipas interesave vetjake korruptive të Edi Ramës dhe jo sipas ligjeve të shtetit. Vendimi i qeverisë për t’i marrë të drejtën e autoriteteve vendore të lëshojnë leje ndërtimi dhe t’i monopolizojë në dorën e Edi Ramës tregon veç se kush do të vjelë paratë e ryshfeteve. Pse një qeveri do të nxjerrë vendim që bie ndesh me kushtetutën, ligjet në fuqi, si dhe dhunon 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese? Duhet të jetë ose një paaftësi e tmerrshme ose një interes i madh korruptiv”, shprehet më tej kreu i Departamentit për Ambientin, Pyjet dhe Turizmin në PD.
Duke u ndalur te denoncimi i lejeve të ndërtimit të dhëna nga kryeministri, Malltezi shton se ato u janë dhënë ndërtuesve personalë të Edi Ramës.
“Shihni kush ka marrë leje ndërtimi tani në 2015-ën. Janë dhënë vetëm 5 leje zhvillimi për 5 kompani, dy prej të cilave janë ndërtuesit e sarajeve 58 metroshe të Surrelit, dy të tjera janë për pronarët e dy TV të njohura dhe e fundit ishte për Delijorgjin te qyteza që njihet si Rama-Delijorgji, pasi ishte leje ndërtimi 243 450m2 për 55 pallate e lëshuar veç 1 javë para zgjedhjeve të 2005-s. Pra, uzurpim antiligjor i tagrave kushtetues të pushtetit vendor dhe bllokim leje ndërtimi për çfarëdo zhvillimi ekonomik në të gjithë Shqipërinë, përveç ndërtuesve personalë të Edi Ramës dhe mediave që po i blen. Çfarë emri mund t’i vendosësh kësaj?”, pyet Malltezi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/