Skandal në kopshtet dhe çerdhet e Durrësit! Këtë shqetësim e ngrenë vetë prindërit, të cilët kanë deklaruar se ushqimet që shërbehen në këto institucione, ku ata çojnë fëmijët janë jashtë standardeve. Prej rreth 3 javësh, me dhjetëra prindër të Durrësit, kanë ngritur këtë problem që lidhet me ushqimin e fëmijëve te tyre (në çerdhe, kopshte e konviktet publike), të cilat varen nga bashkia e qytetit.
Ankesat e tyre ata fillimisht i dërguan në drejtorinë Arsimore Rajonale ku u mbajt një takim urgjent, ndërsa më pas problematika iu përcoll kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Shqetësimet e prindërve kanë të bëjnë kryesisht me standardet e produkteve ushqimorë, që konsumojnë të vegjlit, dhe produktet e higjienës që përdoren në këtë institucione.
“Orizi nuk zien, makaronat nuk kanë shije, fasulet nuk ziejnë, janë të përziera. Po ashtu dhe djathi nuk ka shijen e tij karakteristike, ndërsa mishi në shumë raste nuk është i konsumueshëm”, pohoi një nga prindërit.
Sakaq, kopshti “1 Maji”, një nga kopshtet problematike në qytetin bregdetar të Durrësit. Njëzëri, prindërit e këtij kopshti deklaruan se fëmijët e tyre ikin të pangrëne nga kopshti.
Çfarë po ndodh realisht me ushqimin që hanë fëmijët në Durrës?

Në Durrës funksionojnë 6 kopshte, 4 çerdhe, 2 konvikte të shkollave kombëtare, dhe shkolla e fëmijëve me aftësi të kufizuar, që varen nga bashkia e Durrësit për sa i përket ushqimeve. Nuk dihet sa është vlera e tenderit nga bashkia, por sipas firmës që e ka fituar janë tenderuar rreth 10 milionë lekë.
Një kokërr vezë normale, sipas standardit të Ministrisë së Shëndetësisë duhet të jetë 40 gramë. Nuk dihet sa është pesha e saj reale, por çmimi është 15 lekë në magazinë, ndërsa në treg me pakicë 10 lekë për kokërr.
Orizi i cili përdoret për fëmijët nuk gjendet në treg, apo në supermarketet e zakonshme, për shkak të cilësisë së tij dhe çmimit. Nuk përdoret as gjerësisht në kuzhinat tona, për shkak se nuk zien kollaj, dhe ka një çmim shumë të ulët, ndërsa në magazinë për fëmijët shkon në 120 lekë kg.
Por edhe fasulet në këtë magazinë me sy të lirë shikohen që janë të përziera. Fakt ky që u evidentua menjëherë nga inspektorët. Në artikujt e tenderuar, një kg patate është tenderuar me 70 lekë kg, realisht me shumicë vlera e patates është 35 lekë kg.
Djathi që shkon te fëmijët ishte djathë 350 lekë kg, merret vetë me mend se sa vlera ushqimore e kalori ka një kg djathë me këtë çmim që u shkon fëmijëve të vegjël.
Sa për mishin, jo rrallëherë është refuzuar nga magazina dhe nga kuzhinieret e mensave, sepse ka qenë i pakonsumueshëm, jo i freskët dhe është refuzuar më shumë se çdo produkt tjetër.
Qytetarët: Po luajnë me shëndetin e fëmijëve tanë

Inspektorët që kontrollojnë çerdhet, kopshtet, konviktet dhe mensat e tyre, nuk duhet ta kishin lënë në këtë derexhe situatën me ushqimin e fëmijëve. Janë pikërisht këta inspektorë, që bëhen “palë” në kurriz të fëmijëve. Bëhen palë duke nisur që nga furnizuesi, magazinieri, dhe deri te kuzhinieret e këtyre institucioneve publike. Nuk është aspak çudi që në këtë tollovi të madhe, furnizuesi të sjellë edhe mall skarco, të “xhapë” magazinieri, të “mbyllë gojën” e inspektorëve, e në fund edhe kuzhinierët e çerdheve, të kopshteve e të konvikteve të mos kenë fare dorë?
Kështu shprehen shumë prindër, që dërgojnë fëmijët e tyre në këto institucione. Këta prindër thonë se abuzimi është i madh, dhe të gjithë strukturat mbyllin gojën dhe sytë, nuk ngrenë problemet sepse janë në tavën e përfitimeve edhe vetë. E nëse duhet të gjendet fajtori, këtë duhet ta bëjnë strukturat e policisë dhe të prokurorisë.
Kush po abuzon me fëmijët me shëndetin e tyre? Këtë pyetje drejtojnë prindërit e Durrësit, sepse edhe punonjësit e policisë, edhe ata të prokurorisë, edhe ata të shëndetësisë, i kanë fëmijët e tyre në këto institucione. Për hir të fëmijëve të tyre, të gjejnë e të vënë përpara drejtësisë ata që abuzojnë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












