Deputeti i PD-së Gent Strazimiri ka denoncuar sot, kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij, ka dhënë leje për prishjen e ambienteve sportive e të përbashkëta për banorët, në resortin Laguna Blu, në bregdetin e Golemit, duke lejuar që aty të hedhë shtat një ndërtim skandaloz.


“Ky regjim arbitrar, klientelist e me dy standarde i ka ditët e numëruara, dhe shpejt do të vijë koha e ballafaqimit me ligjin, për këtë dhe për të gjitha zullumet që ka bërë në këtë vend, sado të përpiqet të shtojë me mjerane të rinj, haremin e tij mediatik”, paralajmëroi Strazimiri.
Pas kësaj deklarate ka reaguar zyra e Kryeministrit e cila ka mohuar që Edi Rama të ketë ndonjë lidhje me këtë leje.
“Kryeministri Edi Rama dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk kane asnjë lidhje me ndonjë leje ndërtimi në të ashtuquajturën Laguna Blu. Leja e dhënë nga komuna rezulton të jetë dhënë mbi një truall pronë private, mbi bazën e studimit urbanistik te zonës në fjalë, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e kryeministrit të kohës Sali Berisha”.

“Gjithashtu, vendimmarrjet e ndryshme të KKT-së, lidhur me bllokimin e lejeve të ndërtimit në qytetet apo në zonat e mbrojtura, në kuadrin e vendosjes së rendit ligjor mbi territorin, as nuk kanë lidhje me zonën në fjalë, as nuk kanë cenuar ndonjëherë të drejtën e njësive vendore për të dhënë leje ndërtimi për njësi familjare banimi dhe/ose turistike, mbi bazën e studimeve urbanistike të miratuara”, përfundon reagimi i kryeministrisë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












