Burrat në qeli dhe gratë dyerve të gjykatës. Kjo është panorama që ofrohet mëngjesin e kësaj të hëne nga Gjykata e Durrësit.
Arrestimet pa paralajmërim të drejtuesve të motorëve nga policia e qarkullimit rrugor, kanë shkaktuar probleme të rënda sociale te familjet e tyre. Mbi 30 drejtues motorësh u arrestuan gjatë fundjavës, dhe ky fillim jave ka sjellë dyndje njerëzish në Gjykatën e Durrësit.

Vrasësit rrinë jashtë, ndërsa fukarenjtë në burg

Alma Bulcari, thotë për “Durrës Lajm” se bashkëshorti i saj Ilirjan Bulcari, kishte vetëm 3 ditë që sapo ishte kthyer nga Greqia, kur u arrestua.
“Punoi atje një muaj, tani lekët i ha avokati. Djalin e kam për operacion, burri është në burg. Ku të shkoj më parë. Fukarenjtë e shkretë po mbushin burgjet. Motori është i tipit ‘Piagio’. Im shoq gjithnjë pa patentë lëvizte. S’ia kanë kërkuar kurrë. Po ta dinte që punët do shkonin kështu, s’do të lëvizte fare. Vrasësit rrinë jashtë, ndërsa fukarenjtë në burg”, thotë ajo e pikëlluar.
Arratisja, zgjidhja e vetme për t’i shpëtuar “diktaturës” së këtij vendi

“Djali punon në ndërtim dhe me motor shkonte për në punë. Të premten e arrestuan kur po kthehej nga puna. Ka tre ditë në qeli dhe akoma nuk na kanë caktuar masë sigurie. Është tmerr! Djali im me rroba pune pa vrarë qoftë dhe një mizë dhe jo më ndonjë njeri, duhet të rrijë në burg tani. Ky shtet po fut përditë njerëz pa faj në burg. Do arratisemi!”, shprehet e revoltuar e moshuara Yllijete Cullhaj.
(“Durrës Lajm”)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












