DOSJA/ Skandali me serverin e tatimeve, të dhënat u klonuan nga audituesit

Shares

Dy ditë pasi Konferenca e kryetareve vendosi ringritjen e komisionit hetimor parlamentar për Serverin e Tatimeve, News24 ka arritur të sigurojë vendimin e plotë të Prokurorisë së Tiranës e cila ka vendosur në muajin qershor pushimin e çështjes.
Prokurorët Julian Zonja dhe Antoneta Sevdarasi në materialin prej 15 faqesh kanë  parashtruar të gjitha argumentet se përse kjo çështje duhet pushuar dhe përse nuk ka vepër penale për të dy kallëzimet e bëra si nga ana e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve Brisida Shehaj ashtu dhe nga ish drejtori i IT i këtij institucioni Renald Rista.
Sipas prokurorisë, rezulton se nga serveri i tatimeve nuk është fshirë asnjë e dhënë përgjatë vitit 2013 dhe akuza e ngritur nga Drejtoresha e Tatimeve Brisida Shehaj ndaj ish-drejtorit të tatimeve Renald Rista dhe përfaqësuesit të kompanisë “Ikubi indo”, Elton Ropit nuk qëndron.
Ky është një prej konkluzioneve përfundimtare të dy prokurorëve të prokurorisë së Tiranës të cilët për 20 muaj hetuan për anomalinë e shfaqur në server gjatë nëntorit 2013.
Serverit i janë kryer dy akt ekspertime kompjuterike:
Në të parin Drejtoria e Policisë Shkencore nuk kishte kapacitete teknike dhe logjistike për ngritjen e serverit në gjendje pune dhe nuk njihen politikat e menaxhimit të serverit për të përcaktuar nëse ka fshirje apo jo;
Ekspertimi i dytë i kryer me ekspert privat i datës 24. 04. 2015 evidenton se nga analiza e fileve nuk konstatohet asnjë e dhënë për fshirjen e deklarimeve, pasi të dhënat ekzistojnë si në skedarët e të dhënave ashtu dhe në skedarin e depozitimit.
Gjithashtu vihet re një aktivitet shumë i madh i proceseve që tërheqin dhe transformojnë dhe pastrojnë të dhënat si dhe aktivitetet automatike.
Por përse janë zhdukur përkohësisht të dhënat në sistem?
Për këtë pyetje ekspertët janë përgjigjur se Proceset e brendshme që ekzekutohen në DPT për transportim, transferim, transformim, pastrim të dhënash mund të përfshijnë operacione “TRUNCATE”; “DELETE”; “DROP”. Shpesh në këto mjedise ku këto procese nuk janë plotësisht automatike mund të ndodhin gabime në konfigurime që mund të sjellin anomali.
Pra sipas ekspertëve të dhënat janë në data-base dhe plotësisht të rikuperueshme dhe çfarë ka ndodhur është anomali elektronike pa ndërhyrje të qëllimshme të individëve të caktuar.
Nga ekzaminimi i “trace log out” të “Microsoft SQL Server” vërehet një aktivitet shumë i madh i operacioneve të transferim, transformim dhe pastrim të dhënash të cila mund të kenë sjellë ndonjë anomali për mos shfaqjen e tyre.
Nga ana tjetër lidhur me akuzën e ngritur nga Renald Rista se grupi i Auditit ka konsultuar, kopjuar apo fshirë të dhënat shtetërore që ruheshin në serverin e tatimeve,
Prokuroria shprehet se është e vërtetuar se grupi i auditit i kryesuar nga Panajot Gjiknuri dhe Ermal Beqiri ka kryer kopjimin e të dhënave në server, provuar  nga deklarimet e specialistëve por dhe nga akti i ekspertimit ku u provua lidhja e një pajisje kopjuese të hard disqeve.
Sipas prokurorëve, kopjimi dhe klonimi i të dhënave është i justifikuar në funksion të auditimit, në bazë të detyrës së caktuar me Urdhrin e Ministrit të financave nr. 68 në 12 nëntor të vitit 2013 dhe planit të auditimit nr. 17208 i të njëjtës datë.
Eksperti i grupit auditues Olsi Karapici ka pranuar para prokurorëve se propozimi për kryerjen e klonimit të të dhënave u bë nga Panajot Gjinkuri ndërsa procesi i klonimit u krye nga shtetasi Ermal Beqiri dhe filloj me serverin e deklarimeve, duke e fikur serverin nga punonjësi i DPT.
Klonimi i të dhënave është bërë nga data 15 deri me 17 nëntor të vitit 2013. Sipas prokurorisë për të dy kallëzimet e hetuara në një procedim penal nuk ka konsumim të asnjë vepre penale  dhe për këtë arsye çështja duhet të pushohet.

(BalkanWeb)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...