Gjakovari Ardit Ferizi, arrestuar në Malajzi për llogari të drejtësisë amerikane pasi ka hakeruar faqe të Pentagonit për llogari të ISIS duket të ketë qënë aventurier që prej disa vitesh.
Megjithatë, babai i tij, Naim Ferizi e mohon kategorikisht që djali i tij të kishte lidhje me grupe vehabiste apo me shtetin islamik.
“Kurrë s’kam pas lidhje unë me ata, e as djali jem”, thotë babi i tij në një bisedë të shkurtër për Gazetën Express, para derës së shtëpisë së tij në rrugën “Mihal Grameno” në Gjakovë.
“Të hënën do të shkojë në ambasadë amerikane, aty do t’i sqaroj krejt”, thotë Naimi, i cili me profesion është inxhinier i elektroteknikës.
Por ndryshe nga familja, fqinjë të tij thonë se Arditi që kur ishte në moshën 16 vjeçare kishte nisur praktikimin e fesë duke i’u bashkuar ideologjive vehabi të cilat në Gjakovë dyshohet se promovohen pikërisht në xhaminë e cila ndodhet vetëm afërsisht 100 metra nga ku e ka shtëpinë Arditi, e njohur si ‘Xhamia Qyl’.
Ne foto xhamia Qyl ne Gjakove
20 vjeçari i njohur si “Diti” ka disa dosje në Polici dhe Prokurori për krime kibernetike. Ai kishte sulmuar para më shumë se një viti faqen e Qeverisë së Kosovës dhe atë të Serbisë duke e zëvendësuar përmbajtjet e këtyre faqeve me propagandë ekstremiste fetare.
Rreth dy vite më parë, Gazeta Express mësoi se ai sulmoi serverët e Komunës dhe Policisë së Gjakovës. “Ardit Ferizi ka qenë disa herë i arrestuar për dyshimet se ka kryer sulme kibernetike. Atij disa herë iu janë konfiskuar pajisjet, por për shkak të moshës që ai kishte në moshën kur dyshohej se ka kryer veprat policia ka qenë e pa mundur të merren masa tjera ndaj tij”, thuhet në konfirmimin e Policisë Rajonale të Gjakovës.
Derisa nga muaji gusht i viti 2014, “Diti” u largua nga Kosova për të rrugëtuar deri në Malajzi ku përfundoi i arrestuar ditë më parë me akuzën se ka sulmuar softuer kompjuterikë të Ushtrisë Amerikane, nga ku ka marrë të dhëna për rreth 1000 ushtarakë dhe njerëz federal të cilat më pas ua ka dhënë liderëve të grupit terrorist ISIS në Siri.
Sikur të mos mjaftonte me kaq, Gazeta Express merr vesh se i njëjti, 20 vjeçari nga Gjakova, Ardit Ferizi, kryente edhe shit-blerje të armeve nëpërmjet rrjetit social facebook.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/













