Kastriot Ismailaj: Nuk tërhiqem nga arbitrazhi me DIA

Shares

Biznesmeni Kastriot Ismailaj, i akuzuar për pastrim të parave të përfituara nga kontrata për mbledhjen e borxheve të ish-kompanisë CEZ, tha dje se nuk tërhiqet nga padia ndaj Shqipërisë në Arbitrazh. Personazhi i lakuar gjatë në media këto kohë ishte i pranishëm në seancën e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku po zhvillohet procesi për konfiskimin e pasurisë së tij.
Në seancën e djeshme, Vladimir Meçi, avokati i biznesmenit, paraqiti provat shkresore me të cilat kërkoi rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë për konfiskimin e pasurive të Kastriot Ismailajt. Avokati mes provave të tjera dorëzoi edhe vendimin e pushimit të çështjes së Ismailajt nga Prokuroria e Tiranës, në vitin 2012.
Gjatë seancës së djeshme, Kastriot Ismailaj bëri një deklaratë të shkurtër para Gjykatës. Ai theksoi se ka hapur gjyq me Shqipërinë në gjykatën e Arbitrazhit për prishjen e padrejtë të kontratës që kompania e tij, DIA, ka nënshkruar me ish-CEZ-in.
“Nuk tërhiqem nga çështja në Arbitrazh”, tha Ismailaj para Gjykatës.
Ai bëri me dije se kohët e fundit nuk e kanë lejuar të takohet me bashkëshorten e tij dhe me avokatin mbrojtës, në përmbushje të të drejtave që i jep ligji.
Gjykata e shtyu seancën e djeshme, pasi i kërkoi avokatit të paraqiste dokumentet origjinale nga lista e provave të cituara prej tij. Në maj 2015, Prokuroria urdhëroi arrestimin e biznesmenit Kastriot Ismailaj.
Kastriot Ismailaj akuzohet se ka mashtruar në dy kontrata të lidhura nga kompania e tij DIA me CEZ-in për mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë në vite. Pas dy kontratave të kompanisë DIA me CEZ-in dhe akuzave për mashtrim e përfitim të paligjshëm fondesh, më 28.10.2011, “CEZ Shpërndarje” i ka dërguar një njoftim zyrtar kompanisë “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri, për zgjidhjen e kontratës së shërbimit, datë 01.02.2011, për mbledhjen e borxhit.
Më pas, Kastriot Ismailaj ka paraqitur një padi në Arbitrazh, në bazë të së cilës kërkon dëmshpërblim në shumën 130 milionë euro nga shteti shqiptar.

(“Panorama”)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...