“Ndërsa qytetarë të shumtë përplasen dyerve të Spitaleve, ku shëndetësia është në ditën më të keqe e ku paguhet shumë shtrenjtë gjithçka, ndërkohë që sistemi i është dhënë klientelës me koncesione me fitues të paracaktuar, kur nga arka e shtetit në dy vite kanë dalë 35 miliardë lekë, por në spitale mungojnë ilaçet dhe mjetet bazike, Ministri i Shëndetësisë vazhdon i qetë nga zyra e tij të fitojë tendera nën emrin e kompanisë që deri më 9 shtator 2013 e kishte edhe me letra të vetën”, denoncoi në emër të PD-së sot, deputetja Jorida Tabaku.
Sipas Tabakut, kompania e themeluar nga Ilir Beqaj në dy vjet pesëfishoi fitimin

Për deputeten e PD-së, ndërsa ministri nuk ka përmbushur premtimin për mjekësi falas, kompania e themeluar prej tij, ka katërfishuar volumin e aktivitetit të saj gjatë këtij viti, krahasuar me vitin 2013. Sipas Tabakut, ndërsa shqiptarët varfërohen dhe futen në burg për fatura të papaguara, e kuponë tatimorë, kompania e themeluar nga Ilir Beqaj vetëm për këtë vit, ka fituar 14 tendera.
“Në vitin e dytë të qeverisjes, shqiptarët janë të zhgënjyer nga premtimi i pa mbajtur për shëndetësi falas, por Beqja i Edi Ramës është i lumtur pasi Intech+ po merr para pa fund nga shteti nga institucionet, nga çdo zyrë e publike. Në 8 muajt e parë të vitit 2015 kompania që themeloi ai, rezulton të ketë kontraktuar e vetme kontrata shtetërore në vlerë 211.273.980 lekë ose gati 4 herë me shume se e gjithë volumi i vitit 2013. Ndërkohë që qytetarët po burgosen për një kupon tatimor për dyqanin ku mezi ushqejnë familjen, kur varfëria ka shkuar në skaj, kur papunësia rritet e rritet çdo ditë, kur njerëzit i luten zotit të mos shkelin në spitale për shkak të shërbimit skandaloz, ministri Intech +, ka siguruar deri më tani 14 tendera në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm për vitin 2015 në vlerën e 795.320.911 Lekëve ose rreth 7 milionë euro. Në 22 muaj janë plot 28 tendera që kjo kompani ka fituar e shumë prej tyre janë me prokurim të drejtpërdrejtë, pa zhvilluar as një proces tenderi, pa garë, por me urdhër, me porosi për kompaninë Intech+”, vijon denoncimi i PD-së.

“A mundet që një kompani modeste të fitojë kaq shumë para nëse ish-aksioneri i saj kryesor nuk do ishte bërë ministër i shëndetësisë? A mundet që një kompani me një numër modest punonjësish të fitojë minimalisht për vitin 2015 dy tendera me shuma mbi 100 mln lekë? Përkatësisht 181 mln lekë (siç është rasti i AKSHI) apo edhe e 149 mln lekë (siç është rasti i OSHEE), Ministria e Financave, Insituti i Sigurimeve Shoqërore, ZRPP, etj. Kjo nuk do të ishte e mundur normalisht, por kjo është skema e Edi Ramës dhe ministrave të tij, për t’u pasuruar me taksat e shqiptarëve, për të vjedhur sa më shumë. Kjo është qeverisja rilindase, shqiptarët më të varfrit në Europë me ministrat më të pasur në kontinent. Ky korrupsion, kjo zhvatje e parave të shqiptarëve duhet ndalur, dhe abuzuesit duhet të përgjigjen para ligjit. Bashkë me qytetarët, do ti ndalim, e do vëmë ligjin mbi vjedhjen, ligjin mbi korrupsionin”, përfundon deklarata e PD-së.

/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












