Prej një jave, një prokuror federal shqiptaro-amerikan po asiston njësinë “Task Forcë” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai është Gjon Juncaj dhe ka një eksperiencë të gjatë në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, i fokusuar në hetimin e korrupsionit të zyrtarëve dhe pastrimin e parave, dy nga veprat penale që hetohen aktualisht nga njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Praninë e prokurorit shqiptaro-amerikan e konfirmoi pak ditë më parë, në një njoftim për mediat edhe Prokuroria e Përgjithshme, e cila tha se pranë kësaj strukture është atashuar me kohë të plotë dhe një ekspert i misionit OPDAT, i cili do të ofrojë ekspertizën e tij në fushën e pastrimit të parave.
Aktualisht, pjesë e Njësisë Antikorrupsion janë pesë prokurorë, pjesa më e madhe e të cilëve janë trajnuar për vite me radhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kanë qenë të atashuar në njësitë e përbashkëta hetimore “Task Forcë” të krijuara që prej vitit 2008. Tashmë prokurorët me eksperiencë të gjatë në hetimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik i janë bashkuar Njësisë Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e prokurorit Dritan Rreshka.
Kjo njësi numëron rreth 400 raste, mbi të cilat po kryhen veprimet procedurale sa u përket hetimeve pasurore për persona dhe grupe të strukturuara kriminale, si edhe për raste të dyshuara korrupsioni në nivele të larta drejtuese.
Përveç prokurorit federal që asiston njësinë antikorrupsion, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu tha se policisë shqiptare do t’i bashkohet edhe një ekspert i FBI-së, i cili do të asistojë në krijimin e Byrosë Federale të Hetimit.
Kush është prokuroi shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj!

Gjon Juncaj u prezantua pak ditë më parë në këtë institucion si ekspert i misionit amerikan që asiston drejtësinë shqiptare OPDAT. Gjon Juncaj është një shqiptaro-amerikan nga Miçigani. Ai prej gati 15 vjetësh shërben pranë Departamentit të Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka mbajtur pozicione të ndryshme në zyrat e këtij departamenti që prej vitit 2001.
Ai ka studiuar shkenca politike dhe drejtësi në dy universitete amerikane dhe ka përfaqësuar SHBA-në në çështje gjyqësore kryesisht mbi pastrimin e parave apo mashtrime me skema të sigurimit shëndetësor.
Për më shumë se 5 vjet ka punuar si asistent pranë prokurorit federal të Miçiganit. Sipas faqes së tij në Linked In, prej gushtit ai është në Shqipëri si këshillues ligjor dhe sërish si përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë. Juncaj është pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe pjesë e personave të suksesshëm të këtij komuniteti.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/