Është zbardhur vendimi i gjykatës së Lartë, ndaj bashkëpunëtorëve të dyshuar të deputetit Mark Frroku, për vrasjen dyshuar prej tyre në Belgjikë. Sipas këtij vendimi jepen në mënyrë të detajuar edhe ngjarja, vrasja, për të cilën janë arrestuar dhe akuzohen disa persona…
VENDIMI I GJYKATËS SË LARTË

GJYKATA E LARTË
KOLEGJI PENAL
Nr. 22 Regj. Themeltar
Nr. 22 Vendimi
VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Artan BROCI Kryesues
Ardian NUNI Anëtar
Edmond ISLAMAJ Anëtar
Guxim ZENELAJ Anëtar
Tom NDRECA Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 25/06/2015, mori në shqyrtim çështjen penale me Nr.22 Regj.Them., që i përket:
KËRKUESE: Prokuroria e Përgjithshme, e përfaqësuar në gjykim nga prokurori Madrit Kullolli.
PERSONI NËN HETIM: Arjan Bytyci alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më datë 22.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më datë 22.02.1977 (në mungesë).
AKUZA: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 78/1-25 i K.Penal.
OBJEKTI: Caktim mase sigurimi “Arrest në burg”
BAZA LIGJORE: Neni 238 i K.Pr.Penale.
————————
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Tom Ndreca, prokurorin Madrit Kullolli, i cili kërkoi pranimin e kërkesës dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N:
Se kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj shtetasit Arjan Bytyci alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 22.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 22.02.1977, është e bazuar në ligj dhe në prova dhe si e tillë do të pranohet.
Rrethanat dhe fakti penal objekt akuze.
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër KURTI, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik VUKA, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint-Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark FRROKU, i njohur ndryshe si Besnik MORINA, i njohur ndryshe si FRROKU Dritan, i njohur si Piro SFRANI (SOFRANI). Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik VUKA ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin “L.S”. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S. kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes (fakteve). Aleksandër KURTI kishte menduar se do të takonte prostitutën por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. MARINAJ Kristian, i njohur si Arjan BYTYCI, si dhe Lek Bib DJAFA ishin bashkëpunëtorë të VUKA Besnik. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.
Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Arjan Bytyci, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”. Me vendim të datës 15 Janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik MORINA, Besnik VUKA, Arjan BYTYCI dhe Bib Lek DJAFA, Gjykata e Krimeve të Rënda të Rrethit të Brukselit, ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie.
Duke qenë se, nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Ëallon, Belgjikë.
Nga veprimet hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme të Brukselit ka rezultuar se:
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 5 Mars 1999, rreth orës 17:45, Policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të Stacionit “Gare du Midi”, Nr.47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni. Nga këqyrja rezultoi se, hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda tek sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tre gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumentave të identifikimit që ju gjetën, është identifikuar si Azem SHKRELI, lindur në Jugosllavi, më 8 Shtator 1980.
Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar.
Nga deklarimi i shtetasit Nickolas Kurti, vëllai i viktimës, i cili është pyetur nga hetuesit më 7 Dhjetor 2000, ka rezultuar se vëllai tjetër i tij, i quajtur George, e ka informuar për “mbledhjen e baballarëve”, të mbajtur në Shqipëri, më 28 Mars 1999. Zakoni shqiptar parashikon në rastet e gjakmarrjes se, baballarët e përgjegjësve të këtij krimi paraqiten para familjes së viktimës dhe japin informacionin mbi identitetin e autorëve. Gjatë kësaj mbledhjeje, baballarët e përgjegjësve japin shpjegime mbi rrethanat e vrasjes dhe e pranojnë ose jo përgjegjësinë e tyre. Kjo mbledhje duhet t’i bëjë të mundur familjes së viktimës të mund të ushtrojë më pas të drejtën e gjakmarrjes. Në “mbledhjen e baballarëve” të zhvilluar në një fshat të Shkodrës, nga ku viktima është me origjinë, kanë qenë prezentë: babai i viktimës, vëllai i viktimës, George KURTI, Preng FRROKU, babai i Mark FRROKU (Besnik MORINA), Bibe DJAFA, babai i Lek Bib JAFA (Lek Bib DJAFA) dhe Fran Ded JOKA, babai i Hile JOKA (Arjan BYTYCI). Babai i autorit të katërt, Nikoll VUKOL nuk është paraqitur në mbledhje, pasi djali i tij Alex VUKA (Besnik VUKA) nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës, duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte. Megjithë mungesën e babait të Alex VUKA (Besnik VUKA), borxhi i gjakut është vënë dhe secila prej katër familjeve duhet që këtej e tutje “të paguante një jetë” që të vendosej sërish paqja.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se, arsyeja e vrasjes së Aleksandër KURTI ka qenë larja e hesapeve në lidhje me shtetasen “L.A”. Sipas Nickolas KURTI, vëllai i tij Aleksandër, kishte disa probleme me një farë Ben (Arben FRROKU), më të madhin e tre vëllezërve FRROKU, tutor i prostitutave me emrat “L”, “M” dhe “Z”. Nickolas KURTI, ka deklaruar se Arben FRROKU ishte porositës i vrasjes së shtetasit Aleksandër KURTI, e kryer nga vëllai i tij “Mark” alias Besnik MORINA. Lek Bib DJAFA (Xhafa) i ka deklaruar shumë shqiptarëve se ka marrë shumën 10.000 dollarë amerikanë për ekzekutimin e shtetasit Aleksandër KURTI. Nga shpjegimet e shtetasit Nickolas KURTI, rezulton se ditën e ngjarjes, ka patur një debat midis viktimës dhe tre djemve të baballarëve, në Gare du Midi në Bruksel. Një person i katërt ka ndërhyrë, toni është rritur dhe personi ka nxjerrë thikën. Motivi i vrasjes së tij: raporti midis viktimës dhe shtetases “L” po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër.
Në shtator dhe tetor 2000, Nickolas KURTI deklaron në polici se kunati i tij është lidhur me Markun (Besnik MORINA) dhe shtetasin Hilë JOKA për të vrarë shtetasin Aleksandër Kurti. Prindërit e KURTI-t jetojnë në Amerikë me djalin e tyre Nickolas. Vëllai i tij Georges është larguar nga Shqipëria për një destinacion të panjohur në Evropë. Ai është i kërkuar nga banda e të katërve.
Marku, me vëllezërit e tij Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tre prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen FRROKU. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases “L”. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja “L” i telefonon tutorit të saj Nardi (FRROKU alias Shkurt LASKU), i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllanë Dritan (Besnik MORINA). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në Gare du Midi. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër KURTI dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është “L” e cila pret viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.
Informacion i rëndësishëm është marrë dhe nga dëshmitarët e tjerë të pyetur në Belgjikë, thëniet e të cilëve gjenden të pasqyruara në akt akuzën e dërguar nga autoritetet belge.
Mbi bazën e këtyre fakteve Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar autoriteteve belge me Nr.345/4 dt. 30.03.2015 shkresën me objekt vënien në dispozicion së të gjitha provave që ndodhen në dosjen hetimore të autoriteteve belge që kanë të bëjnë me shtetasit Mark Frroku dhe Arjan Bytyci alias Kristian Morina, alias Hilë Joka, alias Hilë Morina, alias Ilir Morina. Këto akte janë dërguar nga autoritetet belge me shkresën Nr.266/20 prot, dt. 24.04.2015.
Edhe pse është urdhëruar ndalimi i shtetasit Arjan Bytyci me urdhrin datë 03.04.2015 të prokurorit, ndalimi i tij nuk ka qenë i mundur pasi ai nuk gjendet.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenet 80/2, 228, 229, 230, 238 dhe 245 të Kodit të Procedurës Penale,
V E N D O S I
– Pranimin e kërkesës.
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim, në mungesë, Arjan Bytyci alias Kriastian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina, lindur në Pukë, më dt. 02.02.1977 alias Ilir Morina, lindur në Drenicë, Kosovë, më dt. 02.02.1977, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i K.Penal.
– Ngarkohet prokurori për ekzekutimin e këtij vendimi.
Tiranë, më 25.06.2015
A N Ë T A R A N Ë T A R K R Y E S U E S
Edmond ISLAMAJ Ardian NUNI Artan BROCI
A N Ë T A R A N Ë T A R
Tom NDRECA Guxim ZENELAJ
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












