Një raport i dytë i OSBE-së, i publikuar në media që flet për 31 deputetët biznesmenë të Parlamentit shqiptar, që e kanë ngritur pasurinë e tyre mbi aktivitete të dyshimta apo nga burime po të dyshimta ose të panjohura ka ngjallur reagimet e deputetëve të majtë, të cilët njëzëri e shpërfillin, duke thënë se nuk është dokument zyrtar, por thjesht thashetheme që qarkullojnë në media.
Nga ana tjetër mbrojnë jetëshkrimet, si dhe bizneset, që sipas tyre, i kanë ngritur vetëm me punë. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, disa prej deputetëve të Partisë Socialiste dhe LSI-së, të përfolur në këtë raport kanë drejtuar gishtin pikërisht nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Agron Çela: Jam me pushime në Kinë, nuk kam asnjë informacion zyrtar
I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Agron Çela, i përmendur si biznesmen tha se nuk ishte vënë në dijeni për asnjë informacion zyrtar për përfshirjen e emrit të tij në raportin e OSBE-së, çka e cilësonte një biznesmen i kontrabandës së naftës me Jugosllavinë. “Për momentin jam me pushime në Kinë, por nuk jam në dijeni të ndonjë informacioni zyrtar”, tha Çela.
Paulin Sterkaj: Si nënkolonel biznesmen, çdo gjë është konform ligjeve
Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës, i cili në raport cilësohet si një biznesmen, mbi të cilin rëndon një akuzë për vrasje apo analizohet dhe shkollimi, reagon duke thënë se “nuk ka asnjë të vërtetë për mua çfarë është thënë në atë raport. Unë jam një qytetar i lirë dhe çdo akuzë që është bërë për mua në Kuvend për një vrasje është mirë që të pyetet familja e personit për të cilin më kanë akuzuar. Për sa i përket shkollimit tim mund të verifikohet shumë lehtë në Universitetin e Sporteve, ku kam dalë me mesatare 8.5. E kam bërë shkollën në kohën e Enver Hoxhës dhe jo në kohën e partisë së Saliut. Kam mbaruar edhe për Juridik. Nuk më shqetëson aspak raporti për këtë pjesë, pasi kam arritur me meritë deri në gradën e nënkolonelit. Ndërsa për bizneset çdo gjë është konform ligjeve dhe fare thjesht e verifikueshme aty ku regjistrohet çdo biznes”, thotë Sterkaj. Ndër të tjera, deputeti i PS-së, shprehet se ka respektuar çdo ligj qoftë si qytetar i thjeshtë, por edhe si politikan. “Ajo që është publikuar nuk është një raport, por shpifje të Sali Berishës, pasi jam një qytetar dhe politikan që kam zbatuar çdo ligj të këtij vendi ndaj dhe jam zgjedhur e votuar në Parlament”, sqaron deputeti.
Sadri Abazi: Të shkruash diçka të vërtetë duhet të ketë prova
Një tjetër emër i lakuar në raportin e OSBE-së si një ndër deputetët biznesmenë në Partinë Socialiste është edhe ai i Sadri Abazit, i cili përflitet. Duke i konsideruar thjesht thashetheme gazetash çdo informacion të përmbledhur në raportin e OSBE-së, Abazi, thotë se jo çdo fjalë e Berishës duhet marrë për bazë, por duhen prova. “S’e besoj që të jetë një raport zyrtar, por vetëm thashetheme gazetash. Janë më së shumti thashetheme të Sali Berishës që bën nëpër media apo dhe shpik në Kuvend. Ajo që është e vetmja e vërtetë është se pikërisht ky, Sali Berisha, ka mbetur i vetmi plak i keq që i ka mbetur Shqipërisë dhe që merret me të tilla gjëra joserioze. Që të shkruash diçka të vërtetë duhet të ketë prova, nëse është për t’ia futur kot për gjithçka, këtu ia fut vetëm Berisha”, thotë Abazi, i cili shton se “Çdo gjë është e iniciuar nga ai, bizneset e mia janë në respektim të çdo ligji”.
Parid Cara: Jam krenar për të shkuarën time
Deputeti i PS për Qarkun Tiranë (Kavajë), Parid Cara, i përfolur edhe ky në listën me 31 deputetë biznesmenë të dyshuar për pasurinë e tyre, thekson se është krenar për çdo arritje të tij vetëm me punë dhe asgjë tjetër nga sa përflitet në raport. Ai nuk mohon aspak faktin që vjen nga fusha e bizneseve. “Vij nga një profesion i tillë (biznesmen), kam disa kompani të themeluara shumë kohë më parë, 2001-2010. Në shkurt të 2013-s, vendosa të kthehesha në Shqipëri. Unë kam një të shkuar pune, theksoj “vetëm pune” dhe jam krenar për këtë”, thotë deputeti i Kavajës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












