5 atentatet e bujshme kundër Azem Hajdarit

Shares

Në foto Azem Hajdari me mbështetës të PD në janar të vitit 1991

17 vjet më parë një bandë e përbërë nga kriminelë, oficerë policie dhe oficerë të shërbimit sekret ia dolën të ekzekutonin Liderin e Dhjetorit, Azem Hajdari, para zyrave të selisë së PD-së.

Bashkë me të u vra edhe shoqëruesi i tij Besim Ceraj ndërsa mbeti i plagosur rëndë shoqëruesi tjetër Zenel Nezaj.

Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë, kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se do të vritej njeriu me xhupin e zi.

Që nga Lëvizja Studentore e deri kur u ekzekutua nga bandat në pushtet më 12 shtator 1998, Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale.

Mjafton të kujtojmë vetëm faktin, që në periudhën e zgjedhjeve të 22 marsit ‘92, në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek rruga e “Kavajës”, përballë PD-së, tek Kisha Katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit, i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje.

Kjo letër nuk ishte gjë tjetër, veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutimi u krye pas disa atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.

Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Buallit, bandat e krimit i zënë pritë.

Më 16 shtator të 1997 deputeti Azem Hajdari qëllohet me pistoletë nga deputeti socialist, Gafurr Mazrekaj në korridorin e Parlamentit. Mazrekaj e qëlloi tre herë më pistoletë Hajdarin, por ai mund të mbijetojë.

Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, duke qëlluar me breshëri plumbash në makinën e tij, ku përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.

Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë në Tropojë që drejtoheshin atëherë nga Fatmir Haklaj, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Qindra plumba derdhen nga armët e zjarrit mbi makinën e tij. Ai njoftoi qendrën, por nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet. Azemi i shpëton një prite ku dhjetëra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet deputetin Azem Hajdari dhe grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.

Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21.15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetëra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie.

Në këtë atentat morën pjesë 125 vetë, nga këta 25 me uniformë policie. Dy prej tyre, megjithëse të deklaruar e dënuar për vrasje, madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë 4 muaj më parë, qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje.

I pashpjegueshëm qe fakti se, edhe pas vrasjes së heroit të demokracisë, nuk u ngrit asnjë postbllok në të gjithë Shqipërinë. Lajmi për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.

Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e këtij heroi, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e shekullit”. Rexhep Polisi

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...